Politika nuk mund të zgjidhë ngërçin  e drejtësisë, me të njëjtat mjete që  krijoi problemin, derisa nga ajo varet edhe karriera

460
Sigal

Reforma në Drejtësi të realizojë ligjin e zbatueshëm në mënyrë të barabartë, kontrollin e vendimmarrjes në drejtësi, përgjegjësinë për cilësinë e dhënies së  drejtësisë

Një nga reformat më të shumëpërfolura, nga maxhoranca është reforma në drejtësi. Mirëpo edhe pse kanë kaluar 1.6 vjet qeverisjeje, ende maxhoranca nuk ka mundur që ta ndërmarrë dhe ta zbatojë këtë reformë, edhe pse kjo reformë jo vetëm që pranohet domosdoshmëri nga opozita, por është edhe një ndër 5 prioritetet e Bashkimit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë për anëtarësim të plotë. Gazeta “Telegraf”, në këtë forum afron te lexuesi 4 qasje nga politikanë, specialistë të juridikut, por edhe pedagogë, sikurse janë Kreshnik Spahiu, Dëshira Subashi, Av. Idajet Beqiri dhe Erion Kristo, duke u mbështetur në 2 pyetje që gjithsecilin nga ne e shqetësojnë sa herë përballet me drejtësinë: Maxhoranca dhe opozita a e duan një drejtësi të pavarur? Dhe cila reformë mund ta bëjë drejtësinë tonë të japë drejtësi?

Dëshira Subashi: Në varësi të pëlqimit të një apo disa vendimmarrjeve, varet edhe karriera profesionale në drejtësi

– Maxhoranca dhe opozita a e duan një drejtësi të pavarur?

– Pyetja që më bëni, në vlerësimin tim, është interesante për të menduar në një përgjigje. Drejtpërsëdrejti, do të nguroja të jepja një përgjigje që politikanët “në bashkëpunim” të duan apo të mos duan një drejtësi të pavarur. Lidhur me drejtësinë e pavarur, sigurisht nga politika, perceptimi im në shumë vite është se pavarësia në drejtësi kërkohet në vitet që një forcë politike është në opozitëKujtoj vitet kur në pushtet ishte opozita e sotme. Problematikat konfliktuale  institucionale mateshin apo mburreshin, me vendimet  e gjykatave të të gjitha niveleve. Ky apo ai problem është  vendimmarrje e drejtë qeverisje, sepse  këtë vendim konfirmoi drejtësia; në të kundërt opozita e mëparshme, sot në qeverisje, aso kohe anatemonte fort drejtësinë si politike në shërbim të pushtetit. Sot hesht në vendimet që merr gjyqësori. Çfarë ndryshoi? Ndryshoi vendimmarrja e gjykatave? Askush s’e thotë. Ajo që qeverisja ka thënë fort është reforma në drejtësi, e cila deri më tani thuhet se do të prekë pjesën strukturore të drejtësisë. E megjithatë, në princip ky hap drejtpërsëdrejti nuk sjell një drejtësi të pavarur, siç ju më pyesni. Sot pas një vit e gjysmë në qeverisje, bashkë me opozitën e sotme pranohet në unison një reformë në drejtësi. Ndryshimi është se opozita sot kërkon monitorim ndërkombëtar. Ok, në gjykimin tim. Por sjellja politike e shumë viteve, a kërkon një vëmendje? A do të thotë se vërtetë politika pranon së drejtësia nuk funksionon e pavarur? Për mua po! Shkaku, do të më pyeste cilido lexues, në gjykimin që unë bëj. Asnjë gjyqtar apo trup gjykues nuk do të dëshironte që në vendimmarrjen e gjykimeve të tij/tyre të ndikonte dikush, askush nuk do të dëshironte që në dhënien e një vendimi të mendonte se kujt i pëlqen ai vendim, në rrethin politik e aq më shumë në pushtet. Por ndikimi drejtpërdrejtë apo indirekt, ka bërë  këtë ndikim me dëm për drejtësinë, mendoj unë. E në varësi të pëlqimit të një apo disa vendimmarrjeve, varet edhe karriera profesionale në drejtësi. Këto raporte të politikës me drejtësinë, në gjykimin tim, kompromentojnë pavarësinë e një drejtësie të pavarur. Një drejtësi e pavarur ka në zemër të saj ligjin të barabartë për të gjithë, të drejtat e njeriut, si një nga parimet bazë të një shoqërie në demokraci. Një gjyqësor i pavarur ndikon drejtpërsëdrejti në cilësinë e qeverisjes dhe për rrjedhojë edhe në cilësinë e të drejtave të një shoqërie. Rikujtoj një shprehje të njohur të George Uashington-it, i cili deklaronte: “Një administrim i vërtetë i drejtësisë është shtylla më kryesore e një qeverisjeje të mirë , është shtylla e një demokracie”. Siç sillet politika me gjyqësorin, edhe ky i fundit këtë pasqyron. Është një sjellje e ndërsjellë e fatkeqësisht. Ndaj  reforma më e vështirë duket se është reforma për një drejtësi të pavarur.

Kreshnik Spahiu:Qeveria socialiste e ka të pamundur të ndërtojë drejtësi të pavarur, demokratët duan atë të gjunjëzuar

25 vite pas rrëzimit të sistemit komunist, demokratët dhe socialistët kanë treguar se nuk kanë vullnet për ndërtimin e një sistemi drejtësie të pavarur. 10 vitet e para të Kuvendit shqiptar treguan se numri i juristëve në Kuvend ishte zero, që reflektonte një frymë anti-juridike në sistemin politik. Më pas u bë 140 deputetët juristë me diploma false në universitetet private. Qeveria socialiste e ka të pamundur që të ndërtojë një drejtësi të pavarur sepse për rrjedhojë i duhet të shpërndahet parlamenti dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Mbi 30 deputetë të saj duhen arrestuar apo ekstraduar nëpër shtete europiane që janë në kërkim dhe për pasojë ata bien nën 50% dhe krijohet krizë politike. Ndërkohë, demokratëve iu intereson një drejtësi e gjunjëzuar, sepse ish ministrat e saj duhen proceduar për korrupsion dhe abuzim me pushtetin. Qartazi ka një marrëveshje mes të dy palëve që të mbyllin sytë dhe veshët në krimet dhe përfitimet, por thjesht të bëjnë zhurmë mediatike.

Erion Kristo pedagog i Filozofisë te universiteti “Marin Barleti”: Drejtësi e pavarur do të thotë që të krijohet një garant tjetër veç politikës në Shqipëri

Drejtësi e pavarur do të thotë që të krijohet një garant tjetër veç politikës në Shqipëri, pra një pushtet i dytë. Politika shqiptare s’ka për ta lejuar kurrë një ortak në pushtet. Prandaj, drejtësia nuk ka për të qenë kurrë e pavarur. Në momentet që flasim, drejtësia është e pavarur, por nga ligji, dhe e varur nga politika. Prandaj, ajo çka kërkohet është që ajo të jetë e varur nga ligji. Nëse drejtësia në nivelet e larta emërohet nga politika, ajo s’ka për të qenë kurrë e pavarur. Ndërsa marrëdhënia politikë-drejtësi është e përcaktuar, në kuptimin e nënshtrimit të drejtësisë ndaj politikës, marrëdhënia drejtësi-publik, ose drejtësi-e mirë publike, është e përkundërt. E mira publike i është nënshtruar drejtësisë, ose më mirë të themi oligarkëve të drejtësisë. Pra, në Shqipëri nuk mbizotëron e drejta publike, po interesat private të drejtësisë.

Av. Idajet Beqiri jurist: Formalitet dhe zvarritjet disa vjeçare të trajtimit të rekurseve dhe kërkesave, e kanë bërë “drejtësinë e vonuar, në drejtësi të mohuar!”

Reforma në drejtësi po ecën me hapat e breshkës, tepër ngadalë. Për rrjedhojë, nuk janë arritur rezultatet e pritshme. Nëse shqiptarët i dhanë maxhorancës aktuale 1 milion vota në zgjedhjet politike të 23 qershorit 2013, një nga arsyet kryesore ishte se ata donin një përmirësim të shpejtë dhe radikal të të gjithë sistemit të drejtësisë në përgjithësi, dhe atij gjyqësor në veçanti. Kanë kaluar afro një vit e gjysmë dhe në horizontin e shumicës së sistemit gjyqësor ka vetëm korrupsion, paaftësi, pandershmëri, kapje të sistemit nga politika, dallaveret dhe subjektivizmi antiligj dhe antishtet. Shqiptarët po vuajnë tragjikisht mungesën e drejtësisë në këtë vend, dhe sistemi gjyqësor po luan dy funksione diametralisht të kundërta, nga njëra anë po zgjidh një numër të konsiderueshëm konfliktesh mes shqiptarëve, dhe nga ana tjetër, këto gjykata me vendimet e padrejta gjyqësore që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin, janë bërë ndër shkaqet kryesore që Shqipëria të ketë këtë shkallë kaq të lartë kriminaliteti, posaçërisht kundër jetës dhe shëndetit. Fatkeqësisht, Gjykata e Shkallës së Parë për krime të rënda nuk e justifikoi qëllimin pse u ngrit. Ajo është kthyer në një “noteri” fatkeqe, e cila “noterizon” thjeshtë dhe vetëm “brumin” që i sjell organi i akuzës, megjithëse ky “brumë, shpesh herë është një helm vdekjeprurës për drejtësinë në vend. Gjykata e Lartë me “pavarësinë “e saj; e ka nxjerrë plotësisht drejtësinë në këtë vend komplet jashtë shinave, sepse formalitet në studimin dhe trajtimin e dosjeve gjyqësore nga njëra anë, dhe zvarritjet disa vjeçare të trajtimit të rekurseve dhe kërkesave, e kanë bërë “drejtësinë e vonuar, në drejtësi të mohuar”! Sistemi aktual gjyqësore, nga maja e piramidës e deri poshtë, është kthyer në një rrumpallë të pakorrigjueshme. Sistemi i emërimit, i vlerësimit dhe i kontrollit dhe disiplinimit të këtij sistemi, me KLD-në në krye, janë turpi i këtij vendi. Maxhoranca ka vullnet për ta reformuar sistemin e drejtësisë, por nuk ka “këllqe”! Opozitës aktuale i intereson që sistemi gjyqësor të qëndrojë i korruptuar, ndryshe mbi 70 përqind e udhëheqjes së saj e kanë vendin në burg sepse kanë bërë krime të rënda. Maxhoranca po mbetet “peng i opozitës, i shantazhit të saj, i bojkotit të saj dhe po toleron të patolerueshmet, po bën “kompromise” në dëm të shtetit ligjor, të interesave të qytetarëve. Kjo është dramatike.

-Cila reformë mund ta bëjë drejtësinë tonë të japë drejtësi?

Dëshira Subashi: Reforma duhet të synojëligjin e zbatueshëm në mënyrë të barabartë, kontrollin e vendimmarrjes në drejtësi, përgjegjësinë për cilësinë e dhënies së  drejtësisë

Drejtësia nuk është një sistem i shkëputur nga gjithë sistemi institucional i një shteti. Drejtësia pasqyron atë që ndodh në një shtet dhe në një shoqëri. Madje, do ta cilësoja pasqyrën e tyre. Prandaj, që të japësh një përgjigje se cila reformë mund të bëjë drejtësinë tonë të japë drejtësi, gati është e pamundur. Unë nuk besoj se dhënia e drejtësisë është çështje e miratimit të një ligji apo të një pakete ligjesh. Drejtësia jepet nga gjyqtarë të përgatitur mirë profesionalisht, të cilët unë besoj se nuk i mungojnë drejtësisë.  Drejtësia jepet nga gjyqtarë me integritet të lartë moral dhe që japin vendime të pandikuar. Për këtë  tipar besoj se nuk ka mjet për reformë. Ky tipar ka nevojë për vëmendje të institucioneve të vetë drejtësisë, apo praktikave, që domosdoshmërisht duhet të unifikohen, nën përgjegjësinë e instancave të larta të drejtësisë. Ky do të ishte mjeti efikas  për të nxjerrë në pah gjyqtarin që nuk zbaton ligjin në mënyrë të barabartë, për gjyqtarin e ndikuar nga….cilado formë.  Duhet të sjell në vëmendje të lexuesit, se dhënia e drejtësisë është vërtetë një çështje madhore në jetën e secilit. Kjo drejtësi e dhënë në kohë të arsyeshme do të përmbushte plotësisht qëllimin e misionit të drejtësisë. Është elementi kohë në dhënien e drejtësisë, që dëmton drejtësinë, humb vlerën e drejtësisë. Në këtë çështje vlen një reformë në drejtësi. Kjo reformë duhet të përmbajë drejtësinë e përfituar realisht, pra që drejtësia të mos mbetet në letër ku është shkruar vendimi, por të fuqizohen mekanizmat e gëzimit të drejtësisë. Duhet të sjell sërish në vëmendje të lexuesit polemikat e shumta politike në të ashtuquajtur reformë në drejtësi, në vitin 2012. Kjo reformë solli krijimin e gjykatave administrative, të cilat kishin në misionin e tyre afate gjykimi tepër të shkurtra, procedura gjykimi të thjeshtuara, në çështje ku në konflikt përfshiheshin organet shtetërore publike midis tyre, apo midis organeve publike e individit etj, përcaktime në ligj. Sot ky segment i drejtësisë është në funksion, por qëllimi i një gjykimi në afat të shkurtër në shumë gjykime  nuk është i mundur të përfitohet.  Heshtje! Të tilla reforma nuk sjellin risi. Drejtësi  kemi atëherë kur pikë për pikë e ligjit zbatohet nga çdo hallkë e drejtësisë dhe jashtë saj. Në bindjen time, reforma në drejtësi duhet të synojë  tre  elemente:

Së pari : ligjin e zbatueshëm në mënyrë të barabartë për cilindo që është përpara drejtësisë,

Së dyti :  Kontrollin e  vendimmarrjes në drejtësi, brenda sistemit.

Së treti :  Përgjegjësinë për cilësinë e dhënies së drejtësisë.

Kreshnik Spahiu: Reformat duhet të konsistojnë jo në ndryshimin e njerëzve, por në riorganizimin juridik të modeleve të strukturimit të ri

Reformat që duhet të kryhen duhet të jenë kushtetuese dhe jo partiake. Reformat duhet të konsistojnë jo në ndryshimin e njerëzve, por në riorganizimin juridik të modeleve të strukturimit të ri për:
a) Riorganizim të përbërjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe zgjedhjes së anëtarëve
b) Riorganizim të Gjykatës së Lartë, ndryshim të kritereve mbi zgjedhjen e gjyqtarëve
c) Zgjedhja e Presidentit të Republikës nga populli dhe jo nga Kuvendi
d) Riorganizim të policisë gjyqësore dhe kompetencave
f) Rishpërndarja e Gjykatës Kushtetuese dhe aplikimi i një modeli tjetër,
e) Përfshirja e sistemit të jurisë nga populli për gjykatat e shkallës së parë
g) Zgjedhja e kryetarëve të gjykatave me votim nga populli

 

Erion Kristo: Që të ketë një rirregullim të drejtësisë, duhet të ketë një rishkrim të Kushtetutës në aspektin e gjyqësorit

Nuk ka vlerë që të kërkojmë drejtësi të pavarur, por një drejtësi të varur krejtësisht nga politika. Pra, edhe marrëdhënia drejtësi-publik, të komandohet nga politika. Kjo do te ishte një zgjidhje reale. Sepse ka momente që politika raportohet me popullin, dhe në ato momente, mosvlerësimi i drejtësisë do ta ndëshkonte politikën. Kurse sot për sot, drejtësia nuk raportohet me llogaridhënien publike. As ka drejtësia një forcë të brendshme vetëpastruese. Jemi në ngërç. Shtetit shqiptar i mungon garanti i vërtetë: drejtësia. Prandaj, ne nuk kemi shtet të së drejtës, po shtet privat. Edhe komisionet e ngritura, edhe bashkëpunimi mes palëve, nuk do të prodhojnë drejtësi për publikun, po një rindarje të interesave. Që të ketë një rirregullim të drejtësisë, duhet të ketë një rishkrim të Kushtetutës në aspektin e gjyqësorit. Diçka serioze do të ishte bashkimi i Gjykatës Kushtetuese me Gjykatën e Lartë. Një gjë tjetër do të ishte dyfishimi i numrit të gjyqtarëve, sepse për shkak të numrit të vogël dhe të procedurave të paqarta, ka shumë vonesa në dhënien e drejtësisë. Ngritja e disa gjykatave të posaçme do të ishte një zgjidhje për shtimin e numrit të gjyqtarëve. Ndërsa reforma reale do te ishte një pjesëmarrje më e madhe e publikut në dhënien e së drejtës, qoftë nëpërmjet jurive publike, qoftë nëpërmjet zgjedhjes së gjyqtarëve nga publiku. Sepse në Shqipëri ajo që mungon është pikërisht karriera në gjyqësor. Ajo duhej të varej vetëm nga ligji, po në fakt varet vetëm nga politika. Ngërçi është i qartë, zgjidhjet e ofruara s’janë të qarta. Nuk mund ta zgjidhë politika ngërçin e drejtësisë, sepse nuk zgjidhet problemi me të njëjtat mjete me të cilat u krijua. Vetëm diskutimi i gjerë publik mund të sjellë një të mirë publike në aspektin e drejtësisë.

Av Idajet Beqiri: Situata dikton nevojën urgjente të një Platforme Kombëtare Shpëtimi, e cila duhet të bëhet dhe të zbatohet nga të dy krahët e politikës

Jemi në buzë të një katastrofe kombëtare dhe të një tragjedie shokuese mosbesuese se ky vend mund të bëhet dhe jeta e popullit mund të përmirësohet. Kjo situatë dikton nevojën urgjente të një Platforme Kombëtare Shpëtimi, e cila duhet të bëhet dhe të zbatohet nga të dy krahët e politikës. Vendi ka nevojë imediate për një armëpushim të politikës konfliktuale, për një bashkëpunim dhe bashkëveprim historik të maxhorancës dhe opozitës. Jo vetëm që të plotësojmë kriteret e vendosura nga BE që Shqipëria të anëtarësohet në këtë familje të ngrohtë për shqiptarët, por mbi të gjitha për të shpëtuar popullin dhe vendin nga rrënimi i mëtejshëm, nga degradimi total! Kjo Platformë nuk ka asgjë të përbashkët me “marrëveshjen” maxhorancë-opozitë, për të hyrë kjo e fundit në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo marrëveshje është qesharake, është fryt i politikës foshnjarake dhe të papërgjegjshme të sotme. Opozita e sotme është e barazuar me rolin e vetëm të një njeriu që e mban peng dhe e ka rrënuar Shqipërinë në këtë farë feje, e që është Sali Berisha. Opozita e sotme, kryetari i saj, Sekretari i përgjithshëm, kryetari i Grupit parlamentar të PD dhe i gjithë stafi drejtues aktual i kësaj force politike, përbëhet nga zgjatimi i dorës famëkeqe të Berishës. Moderatorët e kësaj force politike kanë në dorë vetëm “çelësat e kashtës”. Ndaj marrëveshja është e dështuar. ..Platforma Kombëtare e Shpëtimit mbetet utopike, katastrofa jonë do shkojë dhe më tej. Me dhimbje të pranosh një perspektiv të tillë ogurzezë, por ky është realiteti, i cili do të tjera mekanizma që të tjetërsohet.

 Jakup B. GJOÇA