Emigrantët jashtë shtetit, Albtelekomi dërgon fatura dhe hedh në gjyq klientët për faturat fiktive

    769
    Sigal

    Mashtruesit e Albtelekomit manipulojnë me faturat e telefonisë dhe internetit, pa kryer shërbimin

     

    Emigrantët kanë kohë që nuk janë kthyer në Shqipëri, por Albtelekomi u ka faturuar atyre fatura që kapin shifra të konsiderueshme. Ky është një spekulim i rëndë, ku konsumatorët shqiptarë ndjehen të pambrojtur, sepse institucionet shtetërore janë indiferentë ndaj zhvatjes së hapur që po u bëhet qytetarëve shqiptarë. Nga ana tjetër, përveç emigrantëve  nuk ndodhen këtu, Albtelekomi ka skema të gatshme për të grabitur edhe qytetarët që ndodhen në shtëpitë e tyre, nëpërmjet sinjalit të internetit, i cili megjithëse paguhet nga konsumatori, nuk u shkon atyre në shtëpi. Pra, ky institucion është duke u majmur kundrejt një shërbimi të munguar.  Kontratat që Albtelekom ka me qytetarët, zbatohen në mënyrë të njëanshme duke u tallur me klientët e vet, prej të cilëve gjeneron dhe të ardhurat. Ankesat e klientëve që marrin shërbimin nga kjo kompani bien në vesh të shurdhët. Megjithë ankesat drejtuar Albtelekom, apo Entit të Komunikimeve Elektronike, e cila ka për detyrë të ruajë balancat dhe të kujdeset, që kontrata që Albtelekom ka me qytetarin të plotësohet në mënyrë të dyanshme, asgjë nuk ka ndryshuar, madje gjendja është përkeqësuar. Kështu në adresë të gazetës “Telegraf”  ka ardhur një ankesë në drejtim të Albtelekom. Bëhet fjalë për qytetarin Gjergj Todi Thanasi i cili ankohet për mbifaturim nga ana e Albtelekom. “Unë gjithnjë e më tepër po mbetesha i pakënaqur nga shërbimet, që më ofronte Albtelecom si përsa i përket tarifave, veçanërisht tarifës fikse për mirëmbajte rrjeti, po ashtu edhe kujdesi për klientin sidomos për ofrimin e shërbimit të internetit (ADSL),linte shumë për të dëshiruar. Kupën e mbushi një ofertë e Albtelekomit për shërbim interneti me një çmim, që mu duk i arsyeshëm, por që mua më vonë më rezultoi ofertë mashtruese. Kur mu desh të paguaj faturën, pashë se ajo ishte thuajse tre fish me atë,që paraqiste  oferta. Për ankesat e mija mora përgjigjen, që oferta nuk ka qenë internet pa limit, por me limit dhe unë jam faturuar shumë më tepër se oferta, sepse kisha kaluar limitin. Më vonë vetë Albtelekomi u mundua ta tejkalonte këtë zhvatje të klientëve duke  bërë oferta të reja, që në thelb anulonin pasojat e ofertës mashtruese” shprehet z.Thanasi.  Ai tregon se kur tregu i telefonisë fikse, internetit dhe televizionit kabllor po liberalizohej, ndërpreu së përdoruri shërbimet e ofruara nga Albtelekom (telefoni fikse dhe internet) dhe u abonua në një kompani tjetër. Por Odiseja e z. Thanasi vazhdon, pasi Albtelekom e hedh në gjyq. “Nga fletëthirja e Gjykatës së shkallës së parë Durrës, mësova se Albtelekomi më ka hedhur në gjyq duke pretenduar, që unë jam debitor i Albtelekom-it për shumën 20.993,39 lekë. Ju paralajmëroj, se unë do të përdor çdo mjet ligjor të mundshëm për të mos e kryer këtë pagesë, që e quaj abuzive dhe të padrejtë. Veçanërisht më revolton fakti, që më kërkohet të paguaj edhe për muajt, kur unë shërbimet e kompanisë Albtelekom i kisha zëvendësuar me ato të kompanisë tjetër” shprehet në ankesën e tij qytetari durrsak. Ky është vetëm një nga qytetarët të cilët sorollaten dhe trajtohen padrejtësisht nga Albtelekom. Kështu në Shoqatën e Konsumatorit Shqiptar  janë me dhjetëra e qindra ankesa të tjera, ku vetëm për 2012 janë shënuar mbi 2972 ankesa dhe për këtë vit, 2013, janë regjistruar mbi 316 ankesa për mungesë të shërbimit ADSL në Tiranë dhe 523 ankesa në shumë rrethe të vendit. “Ne me qëllimin e mirë që të marrin zgjidhje ankesat, kemi njoftuar kompaninë Albtelekom, Entin e Komunikimeve Elektronike, etj, por shpesh herë përgjigja ka qenë si një e drejtë e kompanisë për të vendosur kontrata të njëanshme, e megjithëse kanë qenë në dëm të konsumatorëve . Ne, nuk mund ta besojmë që edhe Enti rregullator, që si sektor i pavarur, të qëndrojë  indiferent ndaj ankesave të konsumatorëve. Këtë e bazojmë dhe ne kërkesën tonë që i dërguam, nëse po punohet për zgjidhjen e ankesave të konsumatorëve” shprehet për “Telegraf” Dr. Islam Cani, kreu i SHKSH-së.

     

    PROBLEME TË ADSL-

    –         cilësi e dobët

    –         mos zbatim të kontratës

    –         kontrata të njëanshme

    –         mungese të pritjes dhe të zgjidhjes së problemeve

    –         mungese korrektësie në zbatim të parametrave

    –         dyshim në çmime e tarifa