Egoizmi etik, a ekziston detyra për të ndihmuar njerëzit që po vdesin urie?

    88

    Qëllimi më i lartë moral i njeriut është arritja e lumturisë së vet!

    Çdo vit, miliona njerëz vdesin nga mungesa e të ushqyerit dhe nga probleme shëndeti që lidhen me këtë. Një ndodhi shumë tipike ndër fëmijët e vendeve të varfra është vdekja nga dehidratimi i shkaktuar prej diarresë që sjell mungesa e të ushqyerit. Sipas vlerësimit të studiuesve, çdo ditë, afërsisht 5000 fëmijë kanë një vdekje të tillë. Kjo arrin deri në 1,8 milionë fëmijë në vit. Po të shtojmë këtu edhe fëmijët që vdesin nga shkaqe të tjera të parandalueshme, ky numër i kalon 10 milionët. Edhe nëse ky vlerësim është tepër i lartë,  numri atyre që vdesin është marramendës. Për ne që jetojmë në vende të begata, kjo shtron një problem akut. Ne shpenzojmë para për veten tonë, jo vetëm për nevojat e jetesës, por edhe për një mori qejfesh, vetura te bukura, veshje të kushtueshme, aparate CD, bileta kinemaje, e kështu me radhë. Në Amerikë, të tilla gjëra i gëzojnë edhe njerëzit me të ardhura modeste. Problemi është se ne mund të hiqnim dorë nga qejfet tona dhe në vend të këtyre, t’ i jepnim paratë për lehtësimin e urisë. Faktikisht, ne nuk themi që i konsiderojmë qejfet tona si më të rëndësishme se jeta e tyre. Pse lejojmë që njerëzit të vdesin nga uria kur mund t’ i shpëtojmë ata? Në të vërtetë, shumë pak prej nesh mendojnë se qejfet tona janë aq të rëndësishme. Pjesa më e madhe prej nesh, po t’ u bëhej pyetja drejtpërdrejt, me çdo gjasë do të ndjenin njëfarë sikleti dhe do të thonin se ndoshta duhet bërë më shumë për të ndihmuar. Të paktën pjesërisht, shpjegimi pse nuk e bëjmë, është se pothuajse nuk mendojmë rreth këtij problemi. Duke bërë jetën tonë komode, jemi të izoluar ndaj tij. Njerëzit që vuajnë urie vdesin larg nesh, ne nuk i shohim dhe madje, mund ta heqim mendjen s’andejmi. Kur mendojmë për ta, kjo është vetëm abstrakte, në formën e statistikave. Fatkeqësisht për të uriturit, statistikat nuk kanë aq forcë sa të na prekin. Ne reagojmë ndryshe kur ka një “krizë”, si në rastin e Cunamit, që solli shkretim në Indonezi më 2004, ose të uraganit Katrina që përmbyti Nju Orleansin më 2005. Atëherë, është lajm në faqe të parë dhe mobilizohen përpjekje për te lehtësuar gjendjen. Por, kur nevojtarët janë të shpërndarë, situata nuk duket dhe aq e ngutshme. 1,8 milion fëmijët, kanë fatkeqësinë që nuk janë të gjithë të grumbulluar në Çikago, fjala vjen? Por, duke lënë mënjanë çështjen se përse sillemi kështu siç sillemi, cila është detyra jonë? Çfarë duhet të bëjmë? Mund ta mendojmë si një pikëpamje të “sensit komun” për këtë temë: “Moraliteti kërkon që t’ i peshojmë interesat tona kundrejt interesave të të tjerëve. Natyrisht, është e kuptueshme që jemi për veten dhe askush nuk mund të quhet fajtor pse përpiqet për nevojat e veta elementare. Por, njëkohësisht, edhe nevojat e të tjerëve janë të rëndësishme dhe kur mund t’ i ndihmojmë të tjerët,  sidomos me pak shpenzime nga ana jonë,  duhet t’ i ndihmojmë. Kështu, kur keni një 10 dollarësh tepër, po t’ ia jepni një agjencie për lehtësimin e urisë, do të keni ndihmuar për shpëtimin e jetës së një fëmije, atëherë moraliteti i sensit komun thotë, se këtë duhet të bëni. Kjo mënyrë të menduari ngërthen një pandehmë të përgjithshme rreth detyrave tona morale: ne kemi detyra morale ndaj njerëzve të tjerë, e jo thjesht nga ato detyra që i krijojmë ne, sikurse dhënia e një premtimi ose futja në borxh. Ne kemi detyra “të natyrshme” ndaj të tjerëve thjesht sepse ata janë njerëz, që veprimet tona mund t’ i ndihmojnë ose t’ i dëmtojnë. Nëse një veprim i caktuar do t’ u sillte përfitim (ose dëm) njerëzve të tjerë, kjo përbën një arsye pse duhet (ose nuk duhet) ta kryejmë. Sipas sensit komun, interesat e njerëzve të tjerë kanë rëndësi, në vetvete, nga një pikëpamje morale.

    Po sensi komun i dikujt është banalitet naiv për dikë tjetër. Disa mendimtarë kanë theksuar se, në të vërtetë, ne nuk kemi asnjë detyrë ndaj njerëzve të tjerë. Egoizmi Etik konsiston në idenë se çdo person duhet të ndjekë ekskluzivisht interesin e tij vetjak. Sipas kësaj teorie, e vetmja detyrë e jona është që të bëjmë çka është më e mira për veten tonë. Teoria e Egoizmit Etik përbën një sfidë. Ajo kundërshton besimet tona morale më të thella, besime që i kanë gjithsesi më të shumtët prej nesh dhe nuk është e lehtë për ta hedhur poshtë. Do të shqyrtojmë argumentet më të rëndësishëm pro dhe kundër saj. Nëse del e vërtetë, atëherë është jashtëzakonisht e rëndësishme. Por, edhe nëse del e gabuar. prapëseprapë mund të mësojmë prej saj, sepse mund të arrijmë të hedhim njëfarë drite mbi arsyet pse kemi obligime ndaj njerëzve të tjerë.

    Egoizmi Psikologjik

    Duhet të jemi të kujdesshëm për të bërë dallimin midis Egoizmit Etik dhe një teorie të ndryshme prej saj, që është Egoizmi Psikologjik. Egoizmi Etik pretendon, se çdo person duhet të ndjekë ekskluzivisht interesin e tij vetiak. Në ndryshim nga kjo, Egoizmi Psikologjik thekson, se çdo person ndjek faktikisht vetëm interesin e tij vetjak. Pra, këto janë dy teori shumë të ndryshme. Një gjë është të thuash, se njerëzit shohin vetëm interesin vetjak dhe se, prandaj të afërmit tanë nuk japin për bamirësi. Krejt tjetër gjë është të thuash, se njerëzit duhet të shohin vetëm interesin vetjak dhe kësisoj, të afërmit tanë nuk duhet të japin për bamirësi. Egoizmi Psikologjik bën një pohim rreth natyrës njerëzore, ose rreth gjërave ashtu siç janë. Egoizmi Etik bën një pohim rreth moralitetit, ose rreth gjërave ashtu siç duhet të jenë. Egoizmi Psikologjik nuk është teori e etikës, porse është një teori e psikologjisë njerëzore. Megjithatë, ka qenë një shqetësim i përhershëm për filozofët e moralit. Në qoftë se, Egoizmi Psikologjik do të ishte i vërtetë, do të kishte me gjasë rrjedhoja shkatërrimtare për moralitetin. Në qoftë se, njerëzit do të vepronin vetëm për hir të mirëqenies së vet, a nuk do të ishte pa kuptim të flitej për çfarë “duhet” të bëjmë? Në qoftë se jemi qenie që shohim thjesht interesin vetjak, atëherë a nuk do të silleshim në mënyrë egoiste, pavarësisht se çdo të na kërkonin teoritë tona morale qëllim-mira, por naive? Para se t’ i kthehemi temës së egoizmit etik, le të vlerësojmë Egoizmin Psikologjik dhe të shohim nëse ka ndonjë gjë shqetësuese për moralitetin.

    A është i mundshëm altruizmi? Raoul Vvallenberg, një biznesmen suedez që mund lë kishte ndenjur larg rrezikut në vendin e vet, i  kaloi muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore në Hungari, në Budapest. Vvallenberg-u doli vullnetar që të shkonte aty në kuadër të misionit diplomatik suedez, pasi dëgjoi njoftime rreth planit të Hitlerit për “zgjidhjen përfundimtare të problemit çifut”. Si shkoi atje, bëri presion të suksesshëm ndaj shtetit hungarez për t’ i ndalur deportimet për në kampet e përqendrimit. Kur shteti hungarez u zëvendësua nga një regjim kukull nazist dhe deportimet rifilluan, Vvallenberg-u u lëshoi “Pasaporta Suedeze Mbrojtjeje” qindra hebrenjve, duke ngulmuar se të gjithë ata kishin lidhje me Suedinë dhe ishin nën mbrojtjen e shtetit të tij. Ai ndihmoi slnimë njerëz që të gjenin ku të fshiheshin. Kur i grumbullonin, Vvallenberg-u flitej midis tyre dhe nazistëve dhe u thoshte këtyre se duhej t’ i qëllonin atij më parë. Kur luftës po i afrohej fundi, kur gjithçka ishte kaotike dhe diplomatët e tjerë po iknin, Vvallenberg-u qëndroi. Atij i atribuohet shpëtimi i jetës së deri 100.000 njerëzve. Kur mbaroi lufta, ai u zhduk dhe për një kohë të gjatë askush nuk dinte se çfarë i kishte ndodhur. Tani mendohet se e kanë vrarë, jo gjermanët, po forcat sovjetike të pushtimit. Historia e Vvallenberg-ut është dramatike si rrallë ndonjë tjetër, por nuk është unikale. Shteti izraelit njeh rreth 20.000 të huaj që kanë rrezikuar jetën e vet për të shpëtuar hebrenj nga vdekja gjatë Holokausti dhe ndonëse shumë pak nga ne kanë shpëtuar jetë njerëzish, duket se aktet e altruizmit janë të zakonshme. Njerëzit i bëjnë të mira njëri-tjetrit. Ndërtojnë shtëpi për të pastrehët, punojnë si vullnetarë në spitale, u lexojnë të verbërve, japin gjak, shumë njerëz dhurojnë para për kauza të rëndësishme edhe pse mund t’ i mbanin ato para për vete. Në disa raste, shuma e dhuruar është jashtëzakonisht e madhe. David AIlsop, funksionar administrate australian, gjysmën e të ardhurave e dhuron për çështje të mjedisit,  Zell Kravinsky, investues amerikan pasurish së paluajtshme, e dha për bamirësi tërë pasurme e vet prej 45 milionë dollarësh. Pastaj, si të mos mjaftonte kjo, Kravinsky dhuroi një nga veshkat e veta për një njëri krejtësisht të huaj. Këto janë bëma të shquara, po a duhen marrë ashtu siç ngjajnë në pamje të parë? Sipas Egoizmit Psikologjik, mund ta pandehim veten njerëz fisnikë dhe të sakrificës, por ky është thjesht një iluzion. Në fakt, ne shqetësohemi vetëm për veten. Të jetë e vërtetë kjo teori? Pse e kanë besuar njerëzit, përballë kaq shumë provash të kundërta? Dy argumente janë parashtruar shpesh në favor të Egoizmit Psikologjik.

    Argument! Se ne gjithmonë bëjmë atë që më shumë dëshirojmë të bëjmë

     Nëse veprimin e një personi e cilësojmë si altruist dhe veprimin e një personi tjetër e cilësojmë si egoist, kemi shpërfillur faktin se në të dyja rastet personi thjesht bën atë që më shumë dëshiron të bëjë. Nëse Raoul Vvallenberg- u, zgjodhi që të shkonte në Hungari teksa askush nuk e shtrëngonte, kjo tregon vetëm se ai donte të shkonte aty më shumë nga sa donte të rrinte në Suedi dhe përse u dashka lëvduar për altruizëm kur thjesht po bënte atë që donte të bënte? Veprimi i tij diktohej nga dëshirat e atij vetë, nga sensi i tij për atë çka dëshironte. Pra, ai nxitej nga interesi i tij vetjak dhe përderisa pikërisht e njëjta gjë mund të thuhet për çdo të ashtuquajtur akt mirësie, mund të nxjerrim konkluzionin se Egoizmi Psikologjik është i vërtetë.

    Konkluzion për Egoizmin Psikologjik

     Nëse Egoizmi Psikologjik është kaq pak bindës, perse ka tërhequr sa e sa njerëz inteligjentë? Pjesërisht, forca tërheqëse e kësaj teorie vjen nga qëndrimi i saj realist, zhdehës ndaj pretendimeve njerëzore. Egoizmi Psikologjik ofron një përgënjeshtrim teorik të vanitetit njerëzor. Po kështu, i tërheq njerëzit ngaqë është i bukur në thjeshtësinë e tij. Do të ishte e këndshme të gjendej një formulë e vetme që ta shpjegonte krejt sjelljen njerëzore dhe përderisa vlerësimi i vetvetes është një faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm i motivimit, është e natyrshme që të përpiqemi ta përdorim për të shpjeguar çdo veprim njerëzor. Sidoqoftë, çdo orvatje e tillë duket e sforcuar dhe jobindëse. Egoizmi Psikologjik nuk është një teori e besueshme. Kështu, mund të arrijnë në konkluzionin se moraliteti nuk ka pse t’ ia ketë frikën për asgjë Egoizmit Psikologjik. Përderisa mund të nxitemi nga konsiderata për të tjerët, nuk është pa vend të flitet për çështjen nëse duhet të shqetësohemi për te afërmit tanë. Teorizimi moral, nuk është doemos një përpjekje naive, e bazuar në një pikëpamje jorealiste mbi natyrën njerëzore.