Edhe socialistët nuk janë të lumtur

538
Sigal

Nga Gëzim Zilja

Socialistët nuk janë të lumtur sepse para syve të tyre po largohen djemtë, vajzat, nipat, mbesat, nuset e dhëndurët, për në “syqen”, duke ua lënë vatrat e shtëpitë shkretë, e duke ua tharë shpirtin. Ç’kuptim ka jeta dhe si mund të jetë njeriu i lumtur qoftë dhe socialist, kur atdheu nuk të mban dot me bukë, ose të jep bukë po nuk të siguron një jetë të qetë me njerëzit e të dashurit e tu? Socialistëve u duhet të paguajnë ryshfet shushunjave të administratës shtetërore kudo e për çdo shërbim, që duhet ta kenë falas dhe fundin e muajit e shtyjnë duke gatuajr trahana, kulaç ose marrin borxh si dhe jo-socialistët. Nuk janë të lumtur sepse po pasurohen një grusht njerëzish të quajtur oligarkë dhe po diktojnë gjithë jetën sociale dhe ekonomike në Shqipëri. Me përjashtim të ca trutharëve ose të indoktrinuarve, socialistët e panë se qeveria e tyre i mbushi kodrat, luginat e fushat e Shqipërisë me kanabis. Aq shumë u prodhua sa cigaret e hashashit janë të pranishme e shiten në shkollat nëntëvjeçare e të mesme lirë e pa probleme, si të ishin fletore e stilolapsa. Fëmijët po helmohen çdo ditë ende pa u rritur e pa kuptuar se po shkatërrojnë të ardhmen e tyre. Sepse Shqipëria ka ngecur në vend, madje po bën hapa prapa. Shkollat e universitetet nga vatra të dijes, po kthehen në vatra të korrupsionit e të paditurisë. Problemet e nxënies, diturisë, mësimdhënies, atdhedashurisë, komunikimit dhe transmetimit të dijeve po bëhen çdo ditë e më të vështira. Pozicioni i pedagogut po bie poshtë e më poshtë dhe diplomat janë kthyer në mall që shitet e blihet. Sepse siguria në vend shkon çdo ditë e më keq. Grupe kriminale çelin gjithandej si fara e krisjes apo sinapit; koburja e tritoli kris e shpërthen në mes të ditë e të natës e prapa çdo grupi kriminal ka një politikan a drejtues të lartë të shtetit shqiptar. Partia socialiste ashtu si edhe më parë ajo e punës, kërkon që socialistët të jenë fletë të bardha, ku lideri shkruan urdhrat dhe mendimet e tij. Virtuti bazë unik: Lufton të vish në pushtet dhe skrupujt nuk i nevojiten më kurrkujt. Ministrat e gjithë drejtuesit e tjerë në qendër e në bazë janë lodra në duart e udhëheqësit, i cili mendon e drejton si një despot. Nuk ka sesi shkon më keq kur një grua e re, qoftë dhe deputete, krahason në Kuvend kryetarin e Partisë së saj me Heroin Kombëtar, Skënderbeun. Sigurisht, ajo e di që ai nuk është Skënderbeu, por tundimi për të mos thënë atë që mendon por atë që Udhëheqësit i pëlqen të dëgjojë, është buka e përditshme e intelektualëve të këtij lloji.

Kjo lloj race e re intelektualësh (e gjen në të gjitha partitë) as që është të interesuar për të vërtetën. Ka një hendek midis asaj që ata thonë në publik dhe asaj që mendojnë realisht. Kjo është drama më e madhe e intelektualit politikan shqiptar. Ky lloj intelektuali kur është në pushtet është më i rrezikshmi. Sepse kërkon të të imponojë atë që mendon udhëheqësi dhe jo atë që është e vërtetë. Ai parapëlqen t’i bëjë qejfin kryetarit, duke përfituar para’ e duke vënë para së gjithash interesin e tij vetjak dhe familjar. Lufta për të zënë një mik me rëndësi ose një vend të rëndësishëm në drejtim, kërkon të bësh të pamoralshmin, t’u vësh stërkëmbëshin atyre që deri dje i ke pasur shokë, duke mburrur e shenjtëruar lidershipin. Socialistët nuk janë të lumtur që në partinë e tyre kjo lloj specie intelektualësh dominon gjithandej në drejtimin e qeverisë. Nuk janë të lumtur, sepse po futet e mbahet gjallë urrejtja si në kohën e luftës së klasave. Edhe një pemë apo gjysmë pemë të mbjellë, një kopsht 100 m2 të inaugurojë, një rrugë dy kilometërshe të shtrojë apo një shkollë me pesë klasa të suvatojë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, do të deklarojë para gjithë shqiptarëve të rritur e fëmijë: Ja unë mbolla këto pemë po ka nga ata që nuk i duan pemët, unë e rikonstruktova këtë shkollë po ka nga ata që nuk duan e na pengojnë, unë e bëra këtë kënd lojnash, por ka nga ata që nuk i duan këndet e lojnave. Kështu çdo ditë, çdo javë, çdo muaj për katër vite me radhë. Pyes: kush janë këta njerëz, që nuk duan shkollat e reja, nuk duan teatër e stadium të ri, nuk duan ujë 24 orë, rrugë të asfaltuara e të ndiçuara e etj, etj. ? Dyzet vjet kjo ishte politika e komunistëve që ndanin e përçanin shqiptarët me partinë dhe ata jo me partinë, armiqtë e klasës. Kështu hidhet e mbillet fara e urrejtjes midis shqiptarëve, ndërsa ata ngrysen e gdhihen më të varfër, më të pa shpresë, e më të përçarë. Socialistët e dinë mirë që armiqtë e tyre nuk janë opozitarët, prandaj nuk janë të lumtur. Sepse kryeministrit duke pasur 75 vota në parlament, i është mbushur mendja se Partia e tij mund të udhëheqë e vetme, duke bërë diellin dhe shiun, duke eliminuar opozitën, duke e quajtur të paaftë, duke tallur prapanicën me mediat e shtypin, ca duke i paguar që të heshtin ose të bëjnë lecaculo-n, ca duke i persekutuar si në kohën e Enverit, duke i quajtur kazan, tepsi, shtëpi publike, legenë, e govata. Socialistët e dinë mirë se ç’gjëmë sjell drejtimi i shtetit kur përjashton opozitën dhe e anatemon rast e pa rast, prandaj nuk janë të lumtur. PS: Ky shkrim është shkruar për socialistët, jo për socialistët-specialistë që ka përmendur i paharruari Pjetër Arbnori.