Dritëro Agolli: Pesha e një njeriu me histori si Alfred Uçi

    437
    Ndërtesa e shoqërisë në çdo kohë është mbajtur nga disa kolona. Kur ndonjëra prej tyre plasaritet dhe rrëzohet, atëherë kjo ndërtesë fillon dalëngadalë të dobësohet dhe të lëkundet. Kolona që mbajnë shoqërinë unë do t’u thosha atyre njerëzve të shquar, që kur nuk ndjehen dhe nuk duken në shtyp, në libra, në publik apo në rrugë, shoqëria e vë re mungesën e tyre dhe pyet: “E kini pare filanin?” Një ndër këto figura, që pa e tepruar do ta krahasoja me ato kolona që përmenda, është Alfred Uçi, për të cilin shoqëria nuk ka pyetur “Ku është Alfredi”? por “A e lexuat Alfred Uçin”? Këtë nuk e them i dalldisur nga patetizmi apo i dehur nga vera e simpatisë së një miqësie të hershme, por i nxitur vetëm nga një e vërtetë, që e shohin të gjithë, Tek shkruaj këto radhë, kam para meje një përmbledhje të Alfred Uçit me pesë vëllime: “Prometeu dhe Hamleti”, “Paradigma të ndërgjegjes bashkëkohore”, “Barra tragjike e heronjve të letërsisë”, “Estetika e groteskut” dhe “Apologji e katarsis në dialog”. Siç parandihet, vetëm duke përmendur titujt, ne do të kemi në këto pesë vëllime një gjallim të tërë mendimi filozofik dhe estetik për artet, letërsinë dhe shoqërinë, duke kapërcyer nga e sotmja në të djeshmen dhe anasjelltas, nga realiteti historik në atë bashkëkohor nga letërsia botërore në letërsinë shqiptare dhe të gjitha këto në marrëdhënie të ndërsjella, në letërsinë e dukurive të tyre aspak të ngrira, por përherë në lëvizje larg çdo shenje dhe gjurme të skolastikës së vjetër e të re. Lëvizjen, apo me një shprehje tjetër, dinamikën, këtij kompleksi dukurish ia shpejton jo vetëm mendimi i freskët dhe i gjallë, po edhe toni polemik, ku i fshehtë dhe ku i hapur, ku këmbëngulës dhe ku si pa të keq, shkarazi. Nën mbulesën e të pesë vëllimeve që po shfletoj unë, nuk ndjej vetëm atë çka lexova, po edhe atë që nuk e lexova: ndjej historinë e vetë autorit. Kjo histori i lëviz mbulesat e vëllimeve dhe del jashtë tyre. Është një dalje fatlume, që tregon se si e ngre lart dhe e shpie përpara njeriun. Njeriu pa histori është anonim. Mund të ketë libra, por nuk ka histori dhe mbetet më vonë anonim. Po, cila është ajo histori vetjake, kjo pronë nga më të shenjtat, që ka njeriu e esteti Alfred Uçi?
    Ndërrimi i sistemeve politiko-shoqërore
    Ndërrimi i sistemeve politiko-shoqërore, nga ai totalitar në demokratik, atë e gjeti të begatë me qyrk dhe nuk e gjeti leckaman të uritur me një lugë në brez për të ngrënë një tas me çorbë. E kam fjalën se e gjeti të begatë me disa vëllime librash për çështjet themelore të estetikës dhe të letërsisë, të cilat ishin pothuajse të panjohura. Nga ata libra filluan të njiheshin jo vetëm kategoritë estetike dhe objekti i estetikës, por edhe disa probleme të mprehta që kishin të bënin me procesin letrar dhe me kritikën e asaj kohe. Ato me ndonjë kufizim, i detyruar nga rrethanat e atëhershme të censurës dhe të autocensurës, i nxitnin njerëzit të mendonin dhe të dyshonin për shumë gjëra që quheshin “të shenjta”. Fjala vjen, kur teoricienët partiakë dhe drejtuesit partiakë nuk e pranonin tragjiken në socializëm, Alfred Uçi shkruante për tragjiken si një ndër kategoritë më thelbësore të estetikës. Kur flitej e shkruhej se në socializëm humori e satira duhet lë kenë vetëm personazhe dhe heronj pozitivë, ai shkruante se pa konflikt dhe pa personazh apo hero që bart të keqen nuk mund të ketë as humor, as satire dhe as letërsi në përgjithësi. Atëherë, gjatë kohës së Plenumit të IV, më 1973, në një mbledhje me shkrimtarë e artiste, u ngritën disa dhe e kritikuan rëndë se mendimet e Alfred Uçit për konfliktin e tragjizmin” ua kanë nxitur që të nxijmë realitetin”, se po kjo kategori, edhe tani në vitet ’90, pas ndryshimit të sistemeve, pothuajse me të njëjtën gjuhë godet Alfred Uçin, se estetika e tij “na prishi punë dhe ne e zbardhëm realitetin”. Alfred Uçit mund t’i gjesh në veprat e hershme ndonjë puçërr te lehtë në ndonjë ind muskulor, por në shtyllën vertebrore nuk mund t’i dallosh asnjë plasaritje. Atij nuk mund t’i lëkundësh qëllimet pozitive rrënjësore, as logjikën e thellësinë e mendimit, prandaj vetëm ndonjë oponenti dritëshkurtër, të paditur e keqdashës do t’i pëlqente ndonjë puçërr e harruar dhe e spastruar prej kohësh prej vetë atij.
    Gjuha aspak nuk ndryshon.
    Këtu mua më vjen në mendje një vrojtim i linguistit të njohur, Xhorxh Shtejner, që thotë jo pa qesëndi: “Çdo gjuhë pret segmentin e saj dhe vetjak të realitetit. Dhe ne e bartim këtë gjuhë përmes gjithë jetës…”.Duke e komentuar temën e linguistit të dëgjuar, një publicist i huaj shkruan se kjo gjuhë mësohet dhe përdoret në politikë si dialekti i mësuar që në lindje. Domethënë, brez pas brezi, me një gjuhë politike e shoqërore… kundër kësaj gjuhe që “tret segment in e saj vetjak” për të lëpirë ndonjë thelë në sofrën e demokracisë, i vetëdijshëm për atë çka krijuar dhe i rreptë për atë çka shtrembërohet qëllimisht, shkruan: “Kur kthej tani vështrimin prapa, nuk jam pishman, për mirë apo për keq, për angazhimin tim në fushën e studimeve e botimeve estetike të viteve ’70-’80; aq fort sa edhe tani ndjej mirënjohjen e sinqertë jo vetëm lexuesish dashamirës, por edhe atyre që tregohen të rreptë e seriozë në llogaritë e tyre me të kaluarën. Nuk e mohoj se këtë libër po e shkruaj për të biseduar edhe me ca “oponentë të rinj”, që kanë mësuar shumë gjëra nga botimet e mia, të cilat i kanë mundësuar të ndajnë çka ishte e pamundur të bëhej në të kaluarën e çka ishte e mundur, duke vënë në dukje edhe mangësitë, që sillte monizmi në kohët e vështira për të gjithë. Por s’dua t’i lë pa përgjigje edhe disa oponentë, që kanë qenë nxënës të cekët dhe që tani, me po atë bagazh, (ngaqë duket se s’kanë mësuar asgjë të re) lëshojnë anatema, mallkime me poza prej Zeusi, duke qenë xhuxhë, të cilëve pështyma, që hedhin përpjetë, u kthehet në fytyrën e tyre”. E marr këtë citat të gjatë, për arsye se më mirë se ç’e thotë autori vetë për shqetësimet e veprës së tij, zor se e them unë në këtë fazë të shoqërisë, kur frytet e demokracisë dëshiron t’i lajë lumpeni dhe kur filozofia e lumpenit përpiqet të bëhet baza e diktaturës së mendimit. Por e mora këtë citat të plotë dhe për të vërtetuar mendimin se çfarë peshe ka njeriu në histori. Njeriut në histori është e vështirë t’i mbyllet goja apo t’ia humb shkëlqimin muzgu i fjalëve. Andej nga Devolli, nga jam unë dhe nga është Alfred Uçi, themi: Nuk mbulohet mali i Moravës me një gisht me pluhur. Unë e thashë pak me lart të këtyre radhëve, se në këto pesë vëllime ndihet edhe ajo që nuk është thënë haptazi, siç ndodh në veprat e mëdha, ndjehet në mençurinë e frazës, në lëvizjen e saj, në ngjyrat e polemikës dhe në burrërinë e fjalës (kjo e fundit në estetikën politike e filozofike). Burrëria e fjalës ka një rrënjë prej peme qindvjeçare dhe prej rrënje pjeshke dhjetëvjeçare. Autori i këtyre pesë vëllimeve duhet të marrë parasysh se është nipi i rilindësit të dëgjuar Petro Nini Luarasit, mësuesit të së parës shkollë shqipe, publicistit dhe atdhetarit të madh, që kur Dajlan bej Qafëzezi dërgoi njerëz për ta vrarë, tha: “Vritmëni, por gjakun mblidhmani në një shishe se ju duhet fëmijëve për të shkruar gjuhën shqipe”. Dhe kjo shprehje lapidare ka gati një shekull që udhëton nëpër Shqipëri. Po të ishte për mua, këtë frazë e vija si epigraf në faqen e parë të çdo botimi të Abetares.
    Këtu e kisha fjalën për Njeriun me Histori. 
    Por në këtë fjalë nuk mund të rri pa shtuar se autori i këtyre veprave e kishte dajë Skënder Luarasin, njeriun e papërkulur nga çdo tirani, figurën e shquar të kulturës shqiptare, shqipëruesin mendje ndritur të kryeveprave të letërsisë botërore, të Shekspirit, Pushkinit, Uitmanit, Longfe Uout e me radhë. Të kuptohemi: Alfred Uçi nuk jetoi nën hijen e lavdisë së paraardhësve. Figurën e tij, ai e ngriti vetë i ndërgjegjshëm për të shkuar në gjurmët e gjyshërve. Mbase të gjitha këto fjalë për rrënjët dhe për ato që lidhen tërthorazi me veprën në botim, në një rast tjetër edhe do t’i thosha, por në këto çaste që po shkruaj, Alfred Uçi, ky njeri i shquar i kulturës e i letërsisë – mbush 85 vjet, duke ecur përmes një epoke sa të vështirë aq edhe interesante dhe aq të begatë me ngjarje. Dhe është fatmirësi që pesha e kësaj epoke nuk i plasariti dhe nuk i anoi ato kolonat e ndërtesës së shoqërisë, me të cilat i nisa edhe këto pak radhë. Një ndër kolonat që mbajnë shoqërinë është edhe shtatëdhjetëvjeçari Alfred Uçi, për të cilin njerëzit nuk thonë: “Ku është?”, por pyesin ‘A e lexuat?”. Dhe sa më shpesh të bëhet kjo pyetje, aq më shumë zgjatet jeta e njeriut dhe jeta e veprës së tij. Këto fjalë i kam shkruar në dhjetor 2000 dhe tani kanë kaluar edhe 15 vjet të tjera, por nuk u heq asnjë presje, se kanë qenë të frytshme në krijimtarinë e tij dhe e kanë begatuar lexuesin me një varg tjetër veprash të rëndësishme për kulturën shqiptare. E paçim të fortë e krijues edhe më tej Akademikun A. Uçi!
    Rruga prometeane e artit
    Hyrje
    Në krahasim me botime të shumta të mëparshme në këtë libër kam përmbledhur studime të dekadave të fundit, që janë kuptimplote si për rivlerësimin, ashtu edhe për vijimësinë dhe evoluimin e pikëpamjeve dhe të këndvështrimit të një vargu problemesh bashkëkohore të filozofisë dhe estetikës. Në këto punime spikat stili eseistik, i cili i bën ato më tërheqëse e më interesante jo vetëm për specialistë të ngushtë, por edhe për kategori të tjera lexuesish, që e kanë për zemër një problematikë të tillë. Ky stil e ka ndihmuar autorin të jetë edhe më i hapur e më i lirë në paraqitjen e problemeve të rëndësishme filozofiko-estetike të kohës së sotme. Kjo problematikë shtjellohet në këtë vepër përmes analizës së përvojave kryeveprash të letërsisë botërore, nga Antikiteti e deri në të kohën e sotme. Zgjedhjet që ofron autori nuk kanë karakter abstrakt dhe nuk rrjedhin nga arsyetime të kulluara teorike, por mbështeten në përvoja të zhvillimit të ndërlikuar të kulturës nëpër shekuj e mijëvjeçarë. Autori nuk i shqyrton kryeveprat e arteve dhe të estetikës si përvoja të heshtura e të harruara të largëta, por gjen në to vlera me karakter universal, që dëshmojnë me mesazhet e tyre fisnike, edhe të vërteta ndriçuese për motet e kohën tonë. Autori e bën këtë jo vetëm kur ndeshet me paralelizma që të befasojnë, por edhe kur e le lexuesin t’i nxjerrë vetë përfundimet, duke shmangur aktualizimet vulgare. Autori arrin të shfaqi bindshëm vlerat universale të kryeveprave artistike e filozofike, duke ndihmuar lexuesit të kapërcejnë dobësi të rëndomta të sotme, por edhe forcën që shpesh herë s’e vëmë re e që do ta shpjerë përpara kulturën e sotme drejt modernitetit. Ai gjen shtigje e mënyra interesante për studime krahasuese të kryeveprave të kohëve të ndryshme, duke pasur parasysh edhe letërsinë e artet tona.
    Libri botohet me rastin e 85-vjetorit të Alfred Uçit.
    Stili eseistik
    Në këtë libër janë përmbledhur studime të dekadave të fundit, kuptimplote si për rivlerësimin, ashtu edhe për vijimësinë dhe evoluimin e pikëpamjeve dhe të këndvështrimit të një vargu problemesh bashkëkohore të filozofisë dhe estetikës. Në shkrimet e zgjedhura spikat stili eseistik, që i bën ato më tërheqëse e më interesante jo vetëm për specialistë të ngushtë, por edhe për kategori të tjera lexuesish, që e kanë për zemër këtë problematikë. Ky stil e ka ndihmuar autorin të jetë edhe më i hapur e më i lirë në paraqitjen e problemeve të rëndësishme filozofiko-estetike të kohës së sotme. Këto shtjellohen në vepër përmes analizës së kryeveprave të letërsisë botërore, nga Antikiteti e deri në kohën e sotme. Zgjedhjet që ofron autori nuk kanë karakter abstrakt dhe nuk rrjedhin nga arsyetime të kulluara teorike, por mbështeten në përvoja të zhvillimit të ndërlikuar të kulturës nëpër shekuj e mijëvjeçarë. Autori nuk i shqyrton kryeveprat e arteve dhe të estetikës si përvoja të heshtura e të harruara, të largëta, por gjen në to vlera me karakter universal, që me mesazhet e tyre fisnike dëshmojnë edhe të vërteta ndriçuese për motet e kohën tonë. Autori e bën këtë jo vetëm kur ndeshet me paralelizma që të befasojnë, por edhe kur e lë lexuesin t’i nxjerrë vetë përfundimet, duke shmangur aktualizimet vulgare. Autori arrin të paraqitë bindshëm vlerat universale të kryeveprave artistike e filozofike, duke i ndihmuar lexuesit të kapërcejnë dobësi të rëndomta të kohës, por edhe forcën që shpeshherë s’e vëmë re e që do ta shpjerë përpara kulturën e sotme drejt modernitetit. Ai gjen shtigje e mënyra interesante për studime krahasuese të kryeveprave të kohëve të ndryshme, duke pasur parasysh edhe letërsinë e artet tona.
    Vepra të prof. Alfred Uçit:
    Estetika. Jeta. Arti, 1969 
    Probleme të estetikës, 1976 
    Labirintet e modernizmit, 1979 
    Problemet e estetikës, Prishtinë, 1980 
    Mitologjia. Folklori. Letërsia, 1982 
    Çështje teorike të kulturës, 1986 
    Estetika, vëll. I, II, III, 1986-1988 
    Shekspiri në botën shqiptare, 1996 
    Dostojevski në kohën tonë, 1997 
    Ferr-Parajsa danteske, 1998 
    Prometeu dhe Hamleti, Athinë, greqisht, 1998 
    Grotesku kadarean, 1999 
    Estetika e groteskut, vëll. I-IV, 2000 
    Estetika në letërsinë shqipe, 2001 
    Parime të estetikës e J. de Radës, 2003
    Pesë të mëdhenjtë e letërsisë shqipe, Shkup, 2003 
    Filozofia e Kavaliotit, Akademia e Shkencave, Tiranë, 2004 (“Exelence” 2007) 
    Universi estetik vëll. I, II, III 2004- 2007
    Estetika metateorike mbi artin, vëll.I, 2008
    Klasi ka aponon klasika? vëll. II, 2008 
    Filozofia e “donkishotizmit”, 2010

    Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 12.12.2015
    Sigal