Dr. sh. Vangjel Dh. Kasapi/ Ndreko Rino – Personalitet i mbrojtjes së kufijve të Shqipërisë

    350

    Gjenerali i letrave u dha lexuesve disa tituj, si “Pëllëmbë e gjak”, “Ditë lufte”, “Në roje të kufirit”,

    Ndreko Rino u lind në vitin 1921 në Libohovë, në një familje me tradita patriotike. Pas pjesëmarrjes në vitet e luftës, si një ndër personazhet kryesore të LANÇ-it, njihet gjithashtu si protagonist kryesor i Armës e i Mbrojtjes së Kufirit të Shqipërisë, si veprimtar i spikatur i shoqërisë civile dhe me cilësinë e njeriut të letrave. Jeta dhe vepra e Ndreko Rinos si shqiptar i përflakur, si luftëtar e komandant i luftës dhe i paqes, si intelektual i pushkës dhe i penës, radhitet në piedestalin e njerëzve të shquar të kombit. Përgjegjës i njësitit gueril dhe komandant i partizanëve të Libohovës, Ndreko Rino është ndër të paktët që emërohet komandant batalioni i Brigadës së Parë Sulmuese. Këtë mundësi ia krijoi komandanti i brigadës, Mehmet Shehu, me të cilin përballuan furtuna. I kompletuar si lidership lufte, dërgohet në veri të vendit me cilësinë e komandantit të parë të Brigadës së 24-t Sulmuese të Rrethit të Kukësit. Libohoviti Ndreko Rino iu betua banorëve të zonës, duke iu thënë se “Ju i besuat vullnetin dhe i dhatë votën tuaj Avni Rustemit. Unë do t’ju jap zemrën dhe e fal jetën time për çlirimin e atdheut nga shkelësi i huaj”. I shquar për aftësi drejtuese, shumë shpejt u inkuadrua në sferat e kuadrove të lartë operativë të luftës e të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Falë hapësirave dhe mjedisit ku luftoi dhe udhëhoqi, u bë komandant i Divizionit II dhe VI të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ndreko Rino u bë kështu një komandant i dashur i popullit të dy trevave, ndërsa në udhëheqje të njësive kontribuoi për shpartallimin e bandave kundërshtare e atyre çetnike serbe, si dhe konsolidimin e shtetit. Për shumë probleme të rëndësishme të luftës bashkëpunoi ngushtë me krerë të Veriut. “Mua më takoi që të drejtoj Forcat e Kufirit për 20 vjet me radhë (1951-1971), kur kundër vendit tonë ushtrohej një veprimtari intensive antishqiptare nga toka, deti e ajri”,- shkruan në ditarin e tij Ndreko Rino, për të cilin kjo epokë njihet si “epoka e paprekshmërisë së kufijve të Shqipërisë”. Komandantit të fushëbetejave i erdhi në ndihmë Akademia “Frunze” (Moskë) dhe kursi i Lartë i Përgatitjes Operative në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë. Si kandidaturë e kompletuar dhe e besuar për rolin e komandantit të armatës kufitare, emri dhe vepra e tij nuk ndahen nga udha historike e mbrojtësve të kufijve shtetërorë. Vështirë se gjen një strateg ushtarak të shteteve si Ndrekua që për 20 vjet dhe me cilësinë e komandantit të kufirit të ketë përshkuar, prekur, jetuar dhe njohur qindra oficerë, nënoficerë e ushtarë në mbarë Shqipërinë. Ishin 360 pika kufitare, në një gjatësi prej 1 094 km, që “lidheshin” organikisht me Rinon, i cili i ka inspektuar pothuajse të gjitha rrethet ku kanë ndodhur incidente dhe provokacione. Me vizion të qartë dhe aftësi operacionale të shkëlqyera, në krye të “Heronjve të Heshtur” ai kapërceu vështirësitë e ndërlikuara të kohës në kufi. Rino demonstroi mençuri politike dhe vetëdije kombëtare për të mbrojtur çdo pëllëmbë të tokës. Ai ishte arkitekti i strukturimeve, i legjislacionit e i doktrinës të Armës së Kufirit. Ishte modest, edhe pse kryente detyra madhore në interes të kombit. Këtë cilësi, vartësit dhe kolegët ia njihnin që nga lufta. Jeta e Ndrekos ka një shtrirje gjeografike që nga Vermoshi deri në Kakavijë, nga Bllata në Vlorë, nga Kapshtica në Durrës. Gjenerali u shqua si diplomat i mirë, edhe në marrëdhëniet ndërshtetërore me fqinjët. Qe hulumtues i mirë i përvojës për mbrojtjen kufitare në disa shtete, si në ish-Bashkimin Sovjetik, Kinë, Çekosllovaki, Poloni, Gjermaninë Lindore, Bullgari etj. Historia e ecurisë, veprimtarisë heroike dhe e përballimit të situatave të mprehta nga ushtria e kufirit nuk kuptohet pa personalitetin e gjithanshëm të Ndreko Rinos. Ai i dha jetën kufirit. Përveç 15 dekoratave, Ndreko Rino u nderua edhe me Medalje të Artë (1969). Por ai njihet edhe në fushën e krijimtarisë shkencore dhe artistike, si shkrimtar e studiues. Këndoi gjithë mall për ushtarët, oficerët, kolegët, eprorët dhe për heroizmin e popullit. Ndreko Rino ishte shkrimtar e poet i realitetit njerëzor. Ai përshkruante me detaje pikën e djersës së kufitarëve, shkruante me patos për vështirësitë e tyre, “atje ku ngjitej kali për të çuar ushqimin e njerëzve me uniformë”, ku nata dhe dita bashkoheshin me shqetësimin për ruajtjen e kufirit etj. Ky gjeneral ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Është autori i një sërë gjinish artistike, si poezi, prozë, publicistikë e përkthime. Firma e Ndreko Rinos u shpalos në organe të përditshme të shtypit ushtarak, letrar dhe studimor. Biblioteka Kombëtare u bë shtëpia e tij e dytë. Gjenerali i letrave u dha lexuesve disa tituj, si “Pëllëmbë e gjak”, “Ditë lufte”, “Në roje të kufirit”, “Lufta vazhdon”, “Dyluftimi”, “Edhe unë di të luftoj”, “Ditar poetik”, “Zambakë të kuq”, “Gurra e këngës”, si dhe qindra artikuj, për të cilët u nderua me disa Çmime Republike. Pas karrierës si udhëheqës ushtarak, hero dhe shkrimtar, Ndreko Rino ka shërbyer për 10 vjet (1971-’80) si sekretar i përgjithshëm te veteranët e Komitetit Kombëtar të LANÇ-it. Funksioni dhe ndihmat e Komitetit të Veteranëve në mbarë vendin mbajnë edhe meritat e drejtimit organizativ të Ndrekos. Sekretari i përgjithshëm mbajti lidhje dhe shkëmbeu vizita me organizatat homologe në Europë, Azi dhe Afrikën Veriore. Gjeneralin e nderuan dhe e respektuan në Algjeri, Itali, Angli etj., shtetet ish-aleate në Koalicionin Antifashist Botëror. Shteti shqiptar e ngarkoi me misionin kombëtar për sjelljen në atdhe nga Mali i Zi të eshtrave të partizanëve shqiptarë, si dhe për të sjellë nga Selaniku eshtrat e personalitetit të Kosovës e të Shqipërisë, Hasan Prishtina. Figura e Ndreko Rinos është jeta e një personaliteti ushtarak të luftës e mbrojtjes, që mbi gjithçka pati virtytin njerëzor, që për çdo lloj vlere kombëtare shkriu talentin e tij. “Jeta ka kuptim kur atë e vë në shërbim të atdheut”. Kjo devizë tipike, për dhjetëra heronj të këtij kombi, i shkon shumë për shtat edhe Heroit të Popullit, gjeneral Ndreko Rinos.