Vladimir Mici/ Sistemi tatimor tek karburantet rrit evazionin fiskal

987
Sigal

*pedagog

 Nisjen për këtë shkrim e mora nga diskutimi, që aktualisht ka zënë vend në të gjitha  tryezat politike dhe duke marrë herë pas here edhe doza populiste. Ende nuk është tharë ideja, se në po zhvilloheshim me ritmet e ekonomisë kineze dhe në Europë, në kushtet e  recensionit, ne krahasoheshim me ekonominë gjermane, apo sistemi ynë tatimor ishte më i miri, sepse tatonte më pak dhe rriste borxhin në mënyrë të pakontrolluar, duke fshehur atë pas faturave të papaguara dhe në skenë doli sistemi tatimor shqiptar i karburantit, i cili konsiderohet nga më të mirët dhe është duke u marrë në konsideratë edhe nga vende të tilla të rajonit apo Europës pasi e kanë vlerësuar si më efikas. Është ende e freskët kalimi i buxhetit, ku në rezymenë e rritjes së barrës tatimore, qeveria rritjen e tatimit mbi karburantin e pa si një tatim për të ulur ndotjen mjedisore, përmirësimi ne shëndetit dhe uljen e qarkullimit nga shtresa e mesme. Qeveria tha se do të ulej çmimi në bursë dhe nuk do të ketë kjo taksë e re mbi çmimin. Kjo profeci  ka dalë e vërtetë, duam apo s’duam, deri tani. Por ajo që nuk u përmend fare, ishte se si ky ndryshim tatimor kishte edhe efekte negative, që do të shoqëroheshin me tendencën e egër për evazion fiskal. Në një artikull të asaj kohe, kur diskutohej buxheti, zoti Arben Meçe konkludonte se me çmimet e bursës është e pamundur  të shitej gazoili me këto çmime në treg. Ky çmim, sipas tij, duhej të ishte mbi 200 lekë. Pavarësisht të disa gabimeve në përllogaritjet e tij kjo nuk e prishte konkluzionin, që ai pasqyronte. Dhe ky ishte, që në tregun shqiptar vijon të shitet ose gazoil dhe benzinë jo sipas standardit ose në Shqipëri shitej gazoil dhe benzinë kontrabandë. Debati televiziv i ditëve të fundit, nxirrte në skenë që mbi 200 subjekte në Tiranë nuk tregtonin karburante sipas standardit, nuk u jepnin klientëve sasinë e paguar për shkak të tarimit të pompave nën treguesit etalon, dhe kjo mjaftohej me një këshillë apo gjobë dhe me raste të veçanta edhe heqje licence dhe ndalim të ushtrimit të aktivitetit. Si çdo gjë në Shqipëri, situata e fundit tejkalohet me hapjen e një subjekti me emër të ri dhe me të njëjtët pronarë apo pronarë të stisur dhe kjo nuk ndryshon asgjë në këtë ngrehinë krimi. E them  krimi  sepse  konsumatori popull është totalisht në duart e këtyre mashtruesve dhe këta të fundit me bekimin qeveritar. Përse një gjë e tille?

1-      Qeveria ka të gjitha institucionet që kontrollojnë tregun për cilësi dhe sasi. Gjetja e rasteve  të tilla duhej të ishte shembull ekzemplar i ndëshkimit. Ky ndëshkim duhet të përfshinte jo vetëm mashtruesin por edhe ata që ngarkohen për ruajtjen e sasisë dhe cilësisë së shitjeve të bëra ndaj konsumatorit. Askush nuk ka përfunduar në burg nga këta. Dhe sa paradoksale? Për vjedhjen e energjisë elektrike futen në burg vjedhësi dhe elektricisti punëtor se vodhën shtetin. Po këta që vodhën xhepat e konsumatorit  pse rrinë jashtë? Përse nuk hetohet se si në këto pika u përzije apo u fut  karburanti jocilësor. Mos vallë kjo s’është vathë e qeverisë?

2-      Qeveria, ndërsa reklamon sistemin tatimor, më i thjeshti dhe më i miri bëhet palë më  mashtruesit. Normalisht studentëve të ekonomikut u mësohet se sa më shumë rritet barra tatimore mbi një produkt, klientët shkojnë tek mallrat zëvendësues. Në drejtimin financiar ndërkombëtar bërja më e shtrenjtë e një produkti në një vend për shkak edhe të tatimit, përveçse ul kërkesën për atë mall, shton ofertën për eksportin e tyre jashtë vendit, ku regjimi tatimor josh eksportin dhe shitjen e tyre. Duke kaluar nga analiza teorike në atë praktike, nëse vendet fqinje kanë regjime tatimore të ndryshme, fenomeni që ndodh është ky: Eksport në vendin me regjime më të vogla tatimore. Pagimi i të gjitha detyrimeve në vendin eksportues. Asnjë mililitër e kaluar kufirit. Dhe diferenca tatimore ndahet mes palëve. Po e shtjellojmë më thjeshtë: Rasti shqiptar dhe maqedonas. Një kompani shqiptare A eksporton apo tranziton në Shqipëri. Kjo kompani ka qenë shumë e rregullt në pagimin e detyrimeve dhe klasifikohet në kanalin jeshil ose të verdhë. (Në këtë rast ajo mbush një nga minitankerët e botit me karburant). Blerësi maqedonas merr faturën dhe sasinë e shënuar në faturë dhe shlyen të gjitha detyrimet, sipas ligjit maqedonas, deri në qindarkën e fundit . Kryqëzimi i dokumenteve tregon se shitja ka qenë efektive. Maqedonia ka marrë të gjitha tatimet në sasinë e karburanti të shitur apo tranzituar nga kompania shqiptare. Në fakt sasia nuk ka kaluar fare. Ajo është shitur në tregun shqiptar sipas kësaj skeme. Supozojmë se ngarkesa fiskale në Shqipëri është 100 lek për litër. Në Maqedoni 75 lekë për litër. Diferenca tatimore 25 lekë për litër. Nëse kjo sasi nuk do të  kalonte kufirin fizikisht, atëherë diferenca tatimore minus kostot e transportit dhe  do të ndahej midis maqedonasit  dhe  kompanisë shqiptare. Në rangun e shteteve, Maqedonia do të përfitonte totalisht 75 lekëshin e  tatimit të karburantit të  shitur (fiktivisht) në Maqedoni dhe realisht në Shqipëri, ndërkohë që tatimeve shqiptare  u mungojnë 100 lekëshi i  karburantit të shitur në Shqipëri. Kjo nuk është shpikje e re. Ajo është një fakt i provuar në Shqipëri. Në vitin 1997 në Shqipëri në pellgun e Fierit dhe Mallakastrës u krijuan kompani fantazmë, detyra e së cilave ishte blerja e karburantit vendas dhe shitja në tregun maqedonas, kosovar dhe malazez. Për shkak të eksportit, kjo sasi karburanti lirohej nga të gjitha tatimet dhe më çmimin e brendshëm të kompanisë,  eksportohej. Një pjesë e këtyre kompanive madje as denjuan të sillnin edhe letrat e zhdoganimit, që shumica ishin edhe false. Qeveria me tatime të tilla, për tu ndjerë sa më komode për grumbullimin e tatimeve, ka hapur një lumë evazioni fiskal. A është hipotetik ky rast. Unë besoj që jo. Pse? Fakti që Inspektoriati i Kontrollit të Cilësisë gjen kaq shumë abuzues me cilësinë, tregon se nuk ka hipotetizëm por një evazion pak më të stërholluar ku lëshohet një koromane për të huajt. Por. gjithsesi ajo nuk ndryshon marrëdhënien me të ardhurat tatimore shqiptare. Në këtë sens vjedhja është e ligjëruar. Kush do ta shohë realisht ta shohë , kush  nuk do le të shohë të ardhurat e veta.

3-  Shteti vendos të heqë tatimin mbi importin e naftës bruto. Nafta bruto ka për objekt përpunimin e saj dhe aktualisht ajo që merr përsipër përpunimin është kompania ARMO. Natyrisht çdo masë lehtësuese  krahasohet me kundër partin, rritjen e të ardhurave nga burimet e përpunimit të saj. Në këtë kompani, thembra e Akilit janë bilanci material dhe humbjet teknike. Ky bilanc material ka të bëjë së pari me sasinë e naftës së blerë, sasinë e naftës dhe nën produkteve në proces dhe sasinë e produkteve në gjendje. Nuk njoh ndonjë specialist tatimor apo edhe inxhinier, që merr përsipër të bëjë këtë bilanc material sot (përfshi edhe ata që aktualisht punojnë në KPTHN). Kështu që kjo sasi është fluide sipas orekseve të kompanisë. Herë pas here ndodhin edhe shpërthime dhe zjarr, që nënkupton eliminimin e shitjeve të paligjshme dhe rregullimin e inventorëve në nivelet e administrueshme. Së fundmi, edhe regjimin e humbjeve teknologjike. Kjo është shumë e thjeshtë për këdo, që për çdo 100 ton naftë bruto sa nënprodukte prodhohen, cila është struktura e tyre dhe sa është niveli i humbjeve. Kjo është kompetencë e kompanisë. Kështu, hapja e një porte të tillë përveç se rrit evazionin ngroh edhe xhepat e dikujt që ka pranuar këtë veprim. Futja pa tatim doganor në analizë të fundit dhe rritja e kërkesës për cilësi në këtë Kombinat nafte, sidoqoftë e kanë edhe një  një kufi, tej të cilit nuk mund të arrihet. Kjo sepse teknologjia e ndërtuar në këtë kombinat i përket naftës së rëndë. Kështu që sasia e importit të naftës së lehtë është e limituar. Askush nuk mund ta besojë se kjo kompani prodhon dhe shet 50% të naftës së blerë nën produkt të lehtë (gazoil dhe benzinë virgjine. Kufizimi i dytë vjen nga fakti se kalimi nga prodhimi D2 në DI ka ndryshime thelbësore në kolonë, që lidhet me rendimentin e kolonës së distilimit atmosferik dhe të thelle, duke ulur këtë rendiment deri në nivelin e 20% të gazoilit dhe deri 10% atë të benzinës me nr oktani 45-55 (virgjinë). Pra, përqindja ndaj sasisë së blerë në Shqipëri (prodhim nafte vendase) duhet te jetë në shifra nën 10%.

Problemi ndërlikohet kur kjo firmë krijon edhe një firmë tjetër, e cila merret vetëm me blerjen dhe shitjen e naftës bruto. Në këtë rast, procesi ndahet midis importit dhe blerjes brenda vendit. Në këtë rast evazioni mund të jetë edhe më i madh dhe do të dalim si në rastin e Bankers, e akuzuar për shitjen e D2 në treg. Edhe kjo firmë mund të blejë D2 si naftë bruto. Kjo naftë s’mund të stokohet në depozitat e karburanteve, çka bën edhe një anashkalim të mundshëm. Duke vijuar me ARMO, qeveria hesht menjëherë sapo një problem i saj hapet, megjithëse ajo është borxhli më e madhe e shtetit, dhe po qe se do ta trajtonte siç trajton popullin për energjinë elektrike, kushedi sa herë duhet ta kishte futur në burg.

Pyetja që ngrihet në këtë rast është: Si ka mundësi që se di qeveria? Ju përgjigjem e di qeveria, e di opozita. Interesat janë të njëjta. Më parë e kanë bërë ata, tani e bëjnë këta. A duhet të ndryshojë  çmimi? Çmimi mund edhe të ulet, por me kusht që diferenca midis çmimit të rajonit dhe tek ne, të ekzistojë. Ky  është gjethi i fshehtë i fitimit. Nëse qeveria mendon se s’ka dorë, është në dorën e saj të deklarojë se sa ton karburante janë tranzituar apo shitur ne Maqedoni, Mal të zi apo Kosovë duke kaluar nga Shqipëria. Pastaj merret me mënd evazioni fiskal.