Denoncimi i banorëve: Ja si na vjedh CEZ-Shpërndarje Sh.a, Fier

    689
    Sigal

    Përshëndetje e nderuar gazeta “Telegraf”. Jam një qytetar fierak, pensionist i njohur për veprimtari shoqërore dhe sjellje korrekte në zbatim të ligjeve të shtetit. Më 13 gusht 2000, unë kam shitur një dyqan 15 m2 me akt-shitje noteriale. CEZ Shpërndarje sh.a. dega Fier më ka penalizuar të paguaj energjinë e harxhuar për vitin 2009 e deri më sot me shumën 37.000 lekë të reja, se nuk kam zgjidhur kontratën me ish ndërmarrjen elektrike në kohën që kam shitur objektin, kur blerësi i dyqanit L. N. (Leonard Nano) ka lidhur kontratë për furnizimin e dyqanit me energji elektrike dhe vazhdon të paguaj. Ndërsa punonjësja e elektrikut kur ka lidhur kontratën me blerësin, nuk ka hequr nga funksionimi kontratën e shitësit. Për pesë vjet i penalizuar nuk kam asnjë lloji njoftimi me gojë ose me shkrim nga kjo drejtori. Në muajin maj 2013 e kam mësuar krejt rastësisht se jam debitor ndaj CEZ Shpërndarjes për shumën: 37.000 lekë të reja. I shqetësuar nga ngjarja kam 8 muaj që sorollatem. Kam marrë disa herë kontakt me zyrën e ankimimit dhe atë juridike, kam biseduar edhe me disa zyrtarë të tjerë, hyrë në një zyrë e shko në një tjetër dhe duket qartë një sjellje burokratike, e papërgjegjshme dhe e qëllimshme për të zhvatur qytetarët që të mbushin padrejtësisht arkën e Kompanisë CEZ.

    Të gjitha përpjekjet për t’u sqaruar kanë shkuar kotë. U kam paraqitur aktin e shitjes noteriale, dokument ky që e njeh mbar bota, ndërsa juristët e kësaj kompanie nuk e njohin dhe nuk pranojnë të heqin emrin tim nga kompjuterizimi financiar fiktiv e i pa bazë ligjore. Më penalizojnë për shkak të mos prishjes së kontratës, ndërsa zyrtarja që paguhet prej tyre dhe ka bërë dy kontrata për një matës të energjisë elektrike nuk ka përgjegjësi sipas arsyetimit të tyre. Kam kërkuar takim me shkrim me drejtor, z. Arjan Faskaj dhe nuk më ka pritu edhe pse i kam çuar një dosje me 50 fletë të kopjuara, si akt-shitjen, librezat e pagesës së qerasë dhe disa fatura të pagesave të energjisë nga blerësi për 13 vjet me radhë, dhe me kokëfortësi e të vendosur për të vjedhur qytetarët zotërinjtë e kësaj kompanie flasin si kompetent të gjithë me një gjuhë si të ishin robot i telekomanduar. Metodë e mirë organizuar kjo për të kanosur e zhvatur kontraktorët. Më datën 22.10.2013 krijuan një komision ku kam qenë present te dyqani unë së bashku me një përfaqësues të familjes që e ka blerë dyqanin dhe komisioni nuk na njohu me përmbajtjen e proces-verbalit që u hartua. Insistova të njihem me përmbajtjen e procesverbalit dhe në drejtori, por mora përgjigjen se ai u duhet vetëm atyre si drejtori.

    Metoda të tillë janë forma të sofistikuara për të vjedhur qytetarët. Në këto kushte i’u drejtova gazetës “INTERVISTA”, rubrikës, “Ju pyesni, avokati përgjigjet”. Në numrin e datës 30. 11. 2013 të kësaj gazete avokati Aurel Celibashi dha këtë përgjigje: “…shqetësimin tuaj ta bënit problem deri te drejtori i madh. (Unë i kam bërë kërkesë me shkrim drejtorit më datën 08. 12. 2013 por drejtori nuk më ka pritur për tu sqaruar). Ky është një gabim kokë e këmbë i punonjësit të tyre dhe që nga data e shitjes së dyqanit, nuk ka arsye që ju të ngarkoheni me asnjë detyrim, përgjigjet avokati i kësaj gazete”. Me sa duket me forma të tilla që nuk janë të pakta rastet, CEZ Shpërndarje ka gjetur rrugën për të bërë presion mbi qytetarët për t’i vjedhur, ndërsa hajdutët dhe spekulatorët i ka në punë, të cilët bëjnë lloj-lloj allishverishesh me individ të veçantë. Halli më i madh për popullin e një vendi është fakti kur padrejtësia shitet për fuqi ligjore… Qeveria e 23 qershorit 2013, që ka misionin të zgjidh padrejtësitë dhe korrupsionin duhet ta vëzhgoi nga afër praktikën e kësaj kompanie mashtruese e grabitëse të popullit, pasi ka plotë praktika të gabuara në punën e saj. Paguajnë qytetarët e ndershëm edhe për ata që kanë me dekada që s’kanë paguar një qindarkë.

      Faleminderit gazetës “Telegraf” dhe lexuesit!

     Me respekt, Selfo Allka,

    Lagja “Kryengritja e Fierit”