CEZ nuk kursen as institucionet e rëndësisë së veçantë

    419
    Sigal

    Skandali/ Tirana pa drita dhe pa ujë! CEZ-i dhe Ujësjellësi të njoftojnë qytetarët për kufizime, ndërprerje apo defekte

    Dhjetëra lagje në kryeqytet kanë mbetur për disa orë pa energji elektrike këto ditë. Aktualisht nuk ka asnjë njoftim nga autoritetet për kufizime, ndërprerje apo defekte. Institucionet e rëndësisë së veçantë shpesh përballen me mungesën e energjisë, edhe pse nga rëndësia, energjia elektrike nuk duhet të mungojë asnjë çast në këto institucione. Mungesa e energjisë apo ikja e tyre pa ndonjë njoftim paraprak nga CEZ, në spitale, rrezikon çdo ditë jetën e pacientëve të cilët ndodhen në sallat e operacioneve. Gjithashtu dhe shkatërrimi i pajisjeve mjekësore është një tjetër pasojë e ikjes së papritur apo ardhjes së energjisë  me luhatje tensioni. Burgjet rrezikohen që të mbeten në kaos, duke u dhënë mundësi të burgosurve për t’u arratisur. Edhe pse dihet që këto institucione kanë burime të dyta energjie, si për shembull gjeneratorët, ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë krijojnë probleme. Ikja e vazhdueshme e energjisë si ditën, ashtu dhe natën shkakton probleme në trafik, pasi semaforët nuk funksionojnë siç duhet, dhe kështu krijohet një kaos në trafik, duke u bërë kështu shpeshherë dhe burime aksidentesh. Gjithashtu qindra kryeqytetas, ndërsa janë kthyer nga plazhi apo nga pishinat nuk kanë gjetur në shtëpi as drita e as ujë e kur kanë gjetur drita, depozitat e tyre kanë qenë pa ujë, pompa nuk ka funksionuar gjatë furnizimit për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Energjia elektrike ka munguar këto ditë në zonën e “21 Dhjetorit”, te gjimnazi “Petro Nini Luarasi”, në lagjen “Ali Demi”, në rrugën “Qemal Stafa”, në Kombinat, por edhe në lagjet pranë Tregut Elektrik, te Dispanseria. Ndërprerjet e energjisë elektrike kanë qenë të vazhdueshme dhe të përhershme duke nisur nga muaji qershor dhe me intensifikim në muajin korrik. Pavarësisht ankesave të qytetarëve apo bizneseve, autoritetet nuk kanë sqaruar se nëse ka probleme me remonte, me defekte, sa do të vazhdojë, cilat janë zonat problematike dhe oraret e ndërprerjeve dhe për sa kohë do të vazhdojnë. Ky është një detyrim i CEZ ndaj kontraktorëve të saj, pasi me këtë filozofi e paguan njësoj si qytetari që paguan rregullisht për shërbimin e marrë, si ai që ka vite që i shmanget këtyre detyrimeve.

    Tirana nuk furnizohet me ujë

    Nga ana tjetër, probleme të mëdha kanë përfshirë kryeqytetin edhe për sa u takon ndërprerjeve të furnizimit me ujë në tre oraret e zakonshme, mëngjes, drekë dhe darkë. Qytetarët janë të shqetësuar se si do të gjejnë zgjidhje, për të gatuar, për të bërë punët rutinë të shtëpisë, për të hapur ventilatorin, për t’u freskuar dhe si do të procedohet për furnizimin me ujë, për shkak të mungesave të energjisë, nëse nuk ka drita, as pompa që tërheq ujin në katet e larta nuk mund të vihet në punë, për rrjedhojë banorët mbeten edhe pa ujë të pijshëm. Problemi i ujit të pijshëm ka nisur gati paralel me mungesat e energjisë elektrike. Nga muaji qershor e deri tani, furnizimi nuk është më i rregullt, tri herë në ditë, ndërsa lagje të tëra kanë probleme me furnizim edhe një herë në ditë. Lidhjet e paligjshme apo ndërhyrjet në rrjet, kanë përkeqësuar më tej problemin, duke lënë qindra qytetarë pa ujë. Dy muajt e fundit shumica e lagjeve të Tiranës së vjetër kanë probleme me mungesën e ujit dhe furnizimin normal në rrjet. Ndërkohë që zonat e Tiranës së Re kanë probleme me ditë të tëra në furnizimin me ujë të pijshëm. Thuajse në të gjitha zonat e Tiranës, oraret e furnizimit nuk janë më të njëjta, nga tre herë në ditë uji, mbërrin në çezmë dy herë, apo në disa raste edhe një herë në ditë. Ndërkohë që në zonën e Bathores, banorët kanë ujë vetëm një herë në ditë dhe në sasi të pakët, pa presion në shpërndarje. Konsumi i ujit në vend vijon të jetë në norma tepër të mëdha. Kryeqytetasit kanë dorëzuar dhjetëra ankesa në Drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe kanë kërkuar nga drejtoritë në varësi të sjellin teknikët e të kontrollojnë rrjetin për probleme, ndërhyrje, vjedhje. Kërkesa për Drejtorinë e Ujësjellës- Kanalizimeve është shtimi i presionit sidomos në zonat e quajtura pika fundore, të cilat rezultojnë problematike. Po ashtu, Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe autoritetet e shpërndarjes së energjisë elektrike duhet të bien dakord që edhe në rast të kufizimeve të energjisë apo remonteve, orari i ndërprerjes të mos jetë në kohën kur qyteti nis të furnizohet me ujë gjatë drekës apo darkës.

    140 familje në Yzberisht kanë 23 ditë pa ujë, paralajmërojnë protesta

    Banorët e Yzberishtit në Tiranë ankohen për mungesën e ujit të pijshëm prej 23 ditësh. Nga kjo situatë vuajnë 140 banorë, të cilët edhe pse iu janë drejtuar organeve kompetente, ende nuk kanë marrë një zgjidhje për problemin e tyre. Për rrjedhojë qytetarët detyrohen të mbushin ujë me bidonë plastikë larg nga shtëpitë e tyre  Ata tregojnë se si çdo ditë bëjnë qindra metra në këmbë duke ngjitur e zbritur shkallët e pallateve 9 katëshe ku banojnë thjesht dhe vetëm për të furnizuar shtëpitë me ujë, të cilin që pas zgjedhjeve nuk e shohin më të rrjedhë ne çezmat e tyre. Banorët nga ana tjetër shprehen se kanë kontrata të rregullta dhe se janë treguar korrekt me pagesën e faturave të ujit. Ndër të tjera, ata thonë se për problemin e tyre i janë drejtuar drejtorit të përgjithshëm të Ujësjellësit. Nëse problemi i tyre nuk merr zgjidhje këta banorë paralajmërojnë protesta.