Çdo ditë një person i dhunuar, bashkëshortet në krye të listës

    434
    Sigal

    2015-a vit i mbrapshtë për familjen e rajonit të Korçës

    Arsyet: papunësia dhe borxhet e pashlyera në dyqanet ushqimore

    KORÇË-  Duket se viti 2015 nuk hyri me këmbë të mbarë në rajonin e Korçës. Gati çdo ditë një person gjendet i dhunuar psikologjikisht ose fizikisht. Personi i lënduar mund të jetë femër ose mashkull, por në shumicën e rasteve janë gra që dhunohen nga bashkëshortët e tyre. I trishtueshëm mbetet  fakti kur mëson se dhunës në familje nuk i kanë shpëtuar dot as të moshuarit mbi 80 vjeç, nga të cilët nuk mund të kërkohet asgjësendi tjetër përveç mundësisë që ata të jetojnë edhe një ditë më shumë. Pjesa më e madhe e dhunimeve është evidentuar në Korçë dhe në Pogradec. Kështu ka qenë edhe vite më parë, por duket se rastet e dhunimeve kanë ardhur në rritje, ndërsa shpresohet shumë që me kalimin e kohës të ndodhte e kundërta. Statistikat flasin për një dëshpërim të dukshëm në familjet e Korçës. Aty ku ka dhunë, banesa shndërrohet në një teatër absurd, fëmijëve u ikën buzëqeshja, ndërsa ankthi bëhet pjesë e përditshme e jetës së tyre.  E gjitha kjo është një panoramë rrëqethëse, që sigurisht do të lërë gjurmë edhe tek pasardhësit e tyre. Ndryshe nga dy rrethet e përmendura më sipër, (Korçë dhe Pogradec), në rrethin e Devollit gjatë këtij viti është shënuar vetëm një rast, ndërsa në rrethin e Kolonjës nuk ka pasur qoftë edhe një rast të vetëm të dhunës në familje, gjë që tregon një shembull të mirë. Statistikave qe do t’u referohemi i kemi siguruar nga burimet zyrtare.

     Arsyet

    Sigurisht fajet nuk janë të babagjyshit të Vitit të Ri, pse viti nuk filloi i mbarë. Arsyeja kryesore e këtij fenomeni që po ndodh në rajonin e Korçës thuhet se është papunësia. Mungesa e punësimit ndihet në çdo familje. Kjo e vërtetë e gjen shprehjen e vet tek listat e papaguara në dyqanet e ushqimeve. Listat rriten, rriten dhe borxhet po ashtu. Shlyerja e tyre bëhet gjithnjë e më e pamundur. Familjet e varfra po gjenden gjithnjë e më shumë në kolaps. Shitësit e ushqimeve nuk i qasin më në dyqanet e tyre, sepse ata nuk munden të paguajnë dot. Vendin e shpresës fillon dhe e zë dhuna psikologjike dhe fizike. Rrobaqepësitë dhe firmat e tjera private që operonin në Korçë, shkurtuan vendet e punës që nga dita e parë që kriza filloj të ndihej. Ka biznese të tjera që punojnë, por nuk paguajnë rregullisht. Rasti më flagrant është ai i firmës së pastrim-gjelbërimit në Pogradec, ku 35 punëtorë nuk paguhen që prej tre muajve. Shpresa për të parë dritë në fund të tunelit duket e largët. Lajmet e ditës mbeten gjithnjë të njëjta: u gjetën shkelje në këtë apo atë institucion, dhe kjo përsëritet pambarimisht, ndërsa nuk thuhet, u punësuan aq njerëz këtu dhe kaq atje. Për rrjedhojë, dëshpërimi nuk po pushton vetëm kryefamiljarët, por edhe fëmijët e tyre. Këta të fundit ndihen edhe më të frikësuar për të ardhmen e tyre.

    Raste konkrete të dhunës

    Kur muaji janar ka vetëm gati dy javë që ka hyrë, dhuna në familje ka shënuar 13 raste. Vetëm në rrethin e Korçës deri më tani janë regjistruar 6 të tilla, gjë që do të thotë se në këtë rreth, (kryesisht në qytet), në çdo dy ditë dhunohet një person në familje. Pjesa më e madhe e të lënduarve janë gjithnjë gratë. Në fund të vitit, numri i grave të dhunuara vetëm për Korçën do të jetë 150, ndërsa si rajon, më shumë se i dyfishuar. Të dhënat nga statistikat, nuk japin shumë shpresa për ndryshimin e gjendjes. Konflikti mes bashkëshortëve ka hyrë kryesisht te ato familje mosha e të cilëve, e burrit dhe gruas, janë mbi 35 vjeç e sipër, gjë që e bën situatën edhe më të pashpresë, sepse po konstatohet lehtësisht që vështirësitë e varfërisë nuk po i kapërcejnë dot as këto familje që kanë vite përvoje nga martesa dhe bashkëjetesa me njëri-tjetrin. Nuk po u jep kurajë as fakti që janë me fëmijë dhe për hir të tyre mund të sakrifikojnë edhe diçka më shumë. Provën e madhe se “do të jemi bashkë në të mirë e në të keq”, duket se nuk po e kalojnë dot. Gjithashtu këtë provë nuk po e kalojnë dot as ata bashkëshortë që duket se ende nuk e kanë konsumuar zjarrin e parë të dashurisë. Tashmë shumë familje në rajonin e Korçës kanë filluar të ndihen të lodhura. Numrin e saktë të tyre nuk e dimë, sepse jo çdo familje në konflikt shkon në polici

     Shembuj të përditshëm  

    Për ta konkretizuar edhe më tepër atë që kemi prezantuar më sipër, po sjellim edhe shembuj nga jeta e përditshme e këtij viti të ri. Në lagjen 18 të Korçës, një burrë 56 vjeçar, me inicialet N.T dhunoi gruan 58-vjeçare, me të cilën bashkëjetonte. Ndërsa në lagjen 14,  bashkëshorti R.K, 35 vjeç, dhunoi bashkëshorten 30 vjeçe. Përsëri në lagjen 14 të Korçës, djali 57 vjeç, me inicialet S.M,  ushtroi dhunë ndaj nënës së tij 87 vjeçe. Po kështu, një burrë 55 vjeç, nga Korça, me inicialet S.M, dhunoi babanë e vet 77-vjeçar. Pa dashur të vijojmë më gjatë, shembujt e mësipërm e bëjnë të qartë gjendjen reale të familjes në rajonin e Korçës, ku edhe prindërit janë të rrezikuar nga dhuna e fëmijëve të tyre. Po kaq të depresionuar ndihen edhe adoleshentët e familjeve të varfra. Ata nuk kanë asnjë qindarkë në xhep, gjë që do t’i bënte me të shoqërueshëm me shokët dhe shoqet e tyre, dhe të gjendur në këto kushte jofavorizuese për ta, hakmerren me prindërit që nuk kanë mundur t’u sigurojnë as bukën e përditshme. Gjithsesi, një herë tjetër do të ndalemi më hollësisht për dhunën ndaj prindërve. Pasqyra që sollëm sot, flet kryesisht për dhunën ndaj grave, ku e njëjta gjendje konstatohet edhe në rrethin e Pogradecit. Fatmirësisht larg fenomeneve të tilla aktualisht gjenden Kolonja dhe Devolli.

    Vepror Hasani

    Dështon drejtësia shqiptare, të liruarit nga burgu i rikthehen krimeve sapo dalin nga qelitë

     Dhuna ne familje po kthehet pak e nga pak ne një fenomen të përditshëm, ku dëgjojmë çdo ditë raste të tilla fatkeqe ku burrat ushtrojnë dhunë mbi gratë e tyre, pa marrë parasysh vlerat njerëzore apo edhe familjen që kanë krijuar bashkë. Rasti më i fundit ishte në Fier, ku solli edhe një herë shoqërinë shqiptare në qorrsokak, ku për fat të keq mbeti e vrarë një grua nga dhuna e ushtruar e burrit të saj. Një rast fatkeq që duhet thënë se mund të ishte shmangur, pasi dhunuesi në fjalë, aspak burri, ishte një i dënuar që duhej të kryente 3 vite burg, por çuditërisht “drejtësia” shqiptare mbylli sytë duke e liruar pas 8 muajsh. Personi në fjalë, Arben Muhaj, katër ditë pasi doli nga burgu rrahu barbarisht gruan e tij, Teuta Muhaj, deri sa i shkaktoi edhe vdekjen. Shkaku i dhunës ishte xhelozia. Ky person u kap përsëri nga policia, por më përpara ka qenë i dënuar për plagosje me dashje dhe prodhim, mbajtje dhe tregtim në publik të armëve të ftohta. Nisur nga këto vepra penale, Gjykata e shkallës së parë e la në burg për tre vjet, por nuk ishte e këtij mendimi Gjykata e Apelit në Vlorë që e la të lirë dhe vendosi ta vinte në provë për një periudhë tre vjeçare edhe pse dihej se ky person ishte i rrezikshëm për shoqërinë e për fat të keq edhe për familjen e tij. Kjo “vënie në provë” solli vdekjen e një gruaje, ku i liruari në vend që të ndërgjegjësohej iu kthye përsëri krimeve të rënda, duke dhënë një sinjal të fortë për drejtësinë shqiptare që të cilësojë më mirë dhe më qartë personat që me të vërtetë meritojnë të vihen në provë në gjendje të lirë.