Vajzave të Lasgush Poradecit, ju rrëmbehet prona

647
Sigal

Jam vetë punonjëse e Ministrisë së Drejtësisë prej gati 20 vjetësh dhe nuk kam mundur ta zgjidh këtë problem

Kemi 17 vjet me këtë Urdhër në dorë por ai nuk zbatohet

Në rrjetet sociale u përhap një lajm se Poetit Kombëtar, Nderit të Kombit, Lasgush Poradeci, i është grabitur prona! Kjo pronë është  truall buzë liqenit të Pogradecit, me sipërfaqe 462 m2,  në perëndim të hotelit 1Maji, 3 m larg ndërtesës dhe përdoret si mjedis shërbimi. Të bijat Kostandina dhe Maria ndonëse kanë një urdhër ekzekutimi, ai nuk zbatohet për shkak të korrupsionit! Madje një burokrat ne Ministrinë e Drejtësisë guxoi t’iu thotë: – E kush jeni ju që t’ju kthej pronën!! – Ne jemi vajzat e Lasgush Poradecit, “Nder i Kombit’. – Punë e madhe! Unë jam… Dhe unë si qytetar pyes: Kush e qysh e ka përzgjedhur këtë të na mbrojë drejtësinë e ligjin!!! Kush e ushqen korrupsionin në Shqipëri dhe grabitjen e pronave???!!!

Ftoj qytetarët e ndërgjegjshëm, mediat dhe zyrtarët e shtetit që ta përhapin lajmin, të ndihmojnë të zbatohet ligji dhe të luftohet korrupsioni. Lidhur me këtë debat dhe ngjarje, gazeta “Telegraf” zhvilloi një bisedë me njërën nga vajzat e Poradecit, Marien.

 Znj Marie e keni fituar të drejtën e pronësisë?

Po, madje dhe me vendim gjykate. Por, ky urdhër ekzekutimi ka 17 vjet që nuk zbatohet. Unë jam vetë punonjëse e Ministrisë së Drejtësisë prej gati 20 vjetësh dhe nuk kam mundur ta zgjidh këtë problem.

 Kur jua shtetëzuan këtë pronë?

Na e shtetëzuan në vitin 1967. Pra tani bëhen plotë  48 vjet më parë.

Si vepruat me ardhjen e demokracisë?

Me ardhjen e demokracisë ju nënshtruam të gjitha rregullave sipas ligjit për marrjen e saj. Është një kalavar i gjatë, i lodhshëm, i mundimshëm që kemi kaluar por deri me sot nuk e kemi zgjidhur atë problem.

 Si është vepruar në vitet e demokracisë me këtë pronë?

Në vitin 1996 shteti e shiti në mënyrë të padrejtë. Nuk e besonim kurrë se do të ndodhte diçka e tillë.

Si vepruat?

U detyruam të bëjmë gjyq për pavlefshmërinë e kësaj kontrate shitje dhe e fituam këtë gjyq në të tre shkallët. Ka dalë edhe urdhri i ekzekutimit. Por deri me sot asnjë organ shtetëror kompetent nuk e merr parasysh të drejtën tonë. Në muajin shkurt kam ankimuar në portalin e Ministrisë së drejtësisë “Denonco korrupsionin”, Prita gati shtatë muaj dhe nuk mora asnjë përgjigje. Në muajin shtator mora takim me ministrin dhe ai urdhëroi zgjidhjen e këtij problemi. Duhej ti jepej informacion Zotit Ministër që në muajin tetor, por persona të papërgjegjshëm brenda Ministrisë e kanë penguar këtë problem dhe nuk i japin zgjidhje.

 Sa muaj kanë kaluar nga urdhri i Ministrit?

Kanë kaluar gati tre muaj nga afati që ky problem duhej zgjidhur dhe ata nuk e vënë ujin në zjarr. Kur i bëhet kjo familjes time dhe mua që jam punonjëse e Ministrisë, mendo për njerëzit e shkretë që duan të zgjidhin hallet  e tyre.

Arben Gjirokastra