Carter: Administrata Trump të ruajë partneritetin me NATO-n

468
Sigal

Sekretari amerikan i
Mbrojtjes, Ash Carter, thotë se administrata e presidentit të zgjedhur Donald
Trump duhet të ruajë partneritetin me NATO-n dhe aleatët në Azi-Paqësor, duke
mbajtur njëkohësisht përgjegjëse Rusinë lidhur me misionin e saj të deklaruar për
të luftuar terroristët në Siri dhe për të ndihmuar që t’i jepet fund luftës
atje.

Rekomandimet vijnë në një letër
që sekretari Carter, ashtu si edhe sekretarë të tjerë të kabinetit, kanë
përgatitur për të vënë në dukje arritjet e departamenteve të tyre gjatë
presidencës tetë-vjeçare të Barack Obamës.

Dokumentet u publikuan sot, së
bashku me një letër të presidentit Obama, ndërkohë që mbeten rreth rreth dy
javë para se zoti Trump të vijë në Shtëpinë e Bardhë.

Sekretari Carter vinte në dukje
kundërpërgjigjen e SHBA ndaj aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, si
shtimi i stërvitjeve të përbashkëta ushtarake dhe dërgimi i pajisjeve në rajon.

“Shtetet e Bashkuara, –
thuhej në dokument, – duhet të mbeten të angazhuara ndaj NATO-s – një aleancë e
mbështetur nga forca, për të siguruar përparim të vazhdueshëm si dhe për të
penguar e për t’u mbrojtur nga agresioni rus në Evropë”.