Bujqësia, në mëshirë të fatit, fermerët nuk kanë asnjë mbështetje nga Qeveria

    460
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, specialisti i bujqësisë për Qarkun e Vlorës, Syri Xhaferri

     Syri Xhaferri një ndër specialistët më të njohur në Vlorë, që për gjatë 45 vjetëve ka ushtruar profesionin e tij në fushën e pemëtarisë. Ai ka qenë kryespecialist i blegtorisë në shumë rrethe të vendit dhe është një punonjës i mirëfilltë shkencor në këtë fushë. Zoti Xhaferri, që i ndjek nga afër problemet e bujqësisë, ngre edhe disa shqetësime, që me argumente i kërkon Qeverisë shqiptare që të reflektojë. Ai thotë se bujqësia nuk bëhet me fushatë, as sa për tu hedhur hi syve fermerëve, sepse kërkohet një strategji afat mesëm dhe afat-gjatë si dhe fondet e domosdoshme për të ngritur në standardet e duhura edhe sektorin e bujqësisë. Për këto probleme ai foli ekskluzivisht për “Telegraf”.

    -Z.Xhaferri ju jeni specialist në Qarkun e Vlorës, që keni marrë edhe grande nga Qeveria. Çfarë është bërë me to?

    Unë kam fituar tre projekte me grande me konkurrim, njëri i takon një fermeri në fshatin Vranisht, për krijimin e fidanëve drufrutorë të specieve në zhdukje, një tjetër ka të bëjë me krijimin e një vreshti po të një fermeri në Llakatund dhe i treti i takon prodhimit të fidanëve të rrallë sikurse janë kivi, luleshtrydhe dhe disa bimë dekorative. Këto projekte, që kishin një grand nga 15 mijë dollarë secili, u realizuan dhe kanë dhënë impaktin e duhur. Nëse vështroni tregun, prej kohësh tregtohen kivi, luleshtrydhe që vijnë nga disa ekonomi, si në Mekatë, ku ka sipërfaqe të mëdha me kivi, që kanë dhënë prodhim të bollshëm. Në qytetin e Vlorës ka një kultivues, që në oborrin e tij ka 4-5 bimë kivi, ku unë kam dhënë asistencë teknike dhe ai ka vjelë frutin. Ashtu si edhe luleshtrydhja rriten normalisht në kushtet klimatike të Vlorës.

    -Në fillim të bisedës u shprehët se do të ngrinit disa probleme, cilat janë ato?

    Problemi i parë, që unë e ngre si specialist, është ndërmarrja e një reforme në sektorin e bujqësisë. Koncepti i saj është që të kalohet nga një fermë individuale, që për mendimin tim është e prapambetur. Kjo për faktin se në këtë fermë është pronar një fshatar, që ka përfituar tokë nga ligji 7501, i cili nuk mund të trajtohet nga specialistët, nuk mund t’i jepet asistenca ekonomike-efektiv.

    -Cilat janë shkaqet?

    Sepse ato janë mijëra në Shqipëri dhe fatkeqësia më e madhe është, jo tek ligji, por tek zbatimi i tij. Pra, kemi të bëjmë me një parcelizim të tejskajshëm, absurd, që i u bë tokës në Shqipëri.

    -Mund të jepni një opinion, në çfarë niveli është bujqësia sot, meqë keni punuar dhe e njihni në të gjitha zonat e vendit?

    Për mua është e prapambetur dhe megjithatë, ajo siguron 50 për qind. Vetëm nga bimët mjekësore sigurohen 30 milionë dollarë në vit, ose 30 për qind të të ardhura të eksportit në vend. Sidoqë, fermerët nuk i grumbullojnë mirë teknikisht.

    -Cila duhet të jetë ndihma e shtetit për krijimin e këtyre kooperativave z, Xhaferri?

    Për mua dhe besoj të gjithë specialistët një mendim kanë, shteti është promotori, drejtuesi, por edhe përgjegjësi, për ta realizuar me sukses këtë reformë, tashmë të mbështetur në ligjin e aprovuar në Parlament. Shteti ka përgjegjësi të madhe, nëse kjo reformë nuk bëhet në standardet e duhura. Këtu nuk mund të bëhet shaka, pasi kemi të bëjmë me 50 për qind të popullsisë, që punojnë e jetojnë në zonat rurale. Nga ana tjetër Qeveria duhet t’i vërë gishtin kokës, pasi jemi të fundit në Europë, për sa i përket tokës bujqësore për frymë.

    -Çfarë duhet bërë për të dalë nga kjo situatë?

    Në radhë të parë këto probleme madhore për bujqësinë, nuk u duhet lënë në dorë rrogëtarëve, që sikurse thamë ligji ka dalë në prill dhe ende qëndron në sirtarët e tyre. Ata vetëm tundin flamujt duke i shoqëruar me një llafollogji, që sot nuk pi ujë. Nëse do të qëndrohet në këtë situatë, do të vijë një dëm i parikuperueshëm në bujqësi. Mendoj se rol të rëndësishëm duhet të luajë edhe media, që bluan natë e ditë politikë dhe nuk është marrë me fermerin, bujqësinë, specialistin. Bujqësia është një sektor i harruar edhe nga Qeveria.

    -Zoti Syri, kohë më parë më keni ngritur shqetësimin për një serë, që u cilësua një investim i madh, por nuk dha rezultatin e duhur. Mund ta trajtojmë në këtë intervistë?

    Është e vërtetë që në atë serë, që u ndërtua në Shamogjin, u harxhuan jo pak, por 500 milionë lekë dhe për mua si specialist, rezultati i saj është një hiç .Unë nuk e konceptoj se përse u ndërtua një serë atje, majë Shamogjinit, kur këtu në Vlorë ka qenë një serë moderne, që kish dhënë rezultate, ku ishin kualifikuar edhe shumë njerëz. Kjo u bë për hatër të njërit apo tjetrit, që duhej të bëhej pronar toke, duhej të bëhej ky investim. Unë shikoj edhe një të keqe të madhe tjetër, që këtu ka një konflikt interesi. E them me plot gojën, që Ministria e Bujqësisë me këtë investim, ka bërë një gabim të pakorrigjueshëm, që në vetvete i kundërvihet idesë që ka dhënë kryeministri. Ministria lëshon një shkresë me firmë e vulë, që nëse fermerët nuk i marrin fidanët në këtë serë, ata humbasin të drejtën e fondacionit. Kjo është një e keqe e madhe, pasi në Vlorë ka dhjetëra e dhjetëra fermerë që prodhojnë fidanë, që paguajnë taksa. Përse jua heq të drejtën këtyre fermerëve? Guxoj të shpreh edhe një shqetësim tjetër, që në atë serë, që gllabëroi 500 milionë lekë, nuk janë zbatuar parametrat teknikë. Kjo bëhet me një llogari të thjeshtë: Sa fidanë kanë mbjellë dhe sa kanë tregtuar dhe padyshim do të dalin zbuluar.