Besim NDREGJONI*: Dënimi i krimeve të komunizmit është drejtësi

    416
    Sigal

    Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë i mbledhur në Tiranë, më 26 Qershor 2014 me përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare, si organizata gjithëpërfshirëse e të mbijetuarve të diktaturës komuniste dhe të përndjekurve politike antikomunistë deklaron para publikut shqiptar dhe në dijeni të përfaqësive diplomatike të akredituar në Tiranë si më poshtë:

    Në kushtet kur:

    a. E kaluara totalitare komuniste 45 vjeçare, la prapa mbi 100.000 familje të dhunuar politik. Pafajësia e dhënë nga Parlamenti i parë pluralist, si dhe një numër aktesh ligjore e nënligjore që shoqëruan Statusin e vitit 1993, nuk arritën edhe pas 23 vjetësh të realizonin dekomunistizimin e vendit dhe integrimin e viktimave të komunizmit.

    b. Gjate 45 viteve të diktaturës, jetuam nën një persekutim mizor, me vrasje, tortura, burgosje, internime, dëbime, plaçkitje, denigrim, mohim të së drejtave civile etj, nga një grup njerëzish, të vënë në shërbim të së keqes dhe nën vështrimin e një popullate të terrorizuar nga frika dhe e survejuar nga strukturat Hoxhiste.

    Sot mbas 23 vitesh pluralizëm vërejmë me shqetësim se klasa politike shqiptare si produkt i diktaturës, nuk e kreu misionin antikomunistë, por me demagogjinë e saj mbrojti strukturat e diktaturës dhe filloi revanshin e saj ndaj antikomunisteve shqiptare ish të dënuar e të përndjekur politike.

     Nuk ndërtoi korniza ligjore që të garantojnë të drejtat dhe mbi angazhime politike që mundësojnë këto të drejta dhe domosdoshmërinë e një strategjie kombëtare për integrimin e viktimave të torturës komuniste.

       Shoqëria shqiptare ndodhet përpara fenomenit më të rrezikshëm për ecurinë dhe zhvillimet e demokracisë, rikthimit të figurës së diktatorit, dhe mos dënimit të ideologjisë së tij kriminale. Sot mazhoranca aktuale po bën përgatitje për të kremtuar 70 vjetorin e vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, duke përdorur Luftën e Dytë Botërore dhe duke e manipuluar atë luftë. Luftën e Dytë Botërore e bënë shqiptarët dhe jo komunistët shqiptarë. Këta të fundit morën pushtetin mbas kësaj lufte me ndihmën e antishqiptarëve serbë. Pushtimi fashist u prit nga pushka e Abas Kupit e u vadit me gjakun e heroit Mujo Ulqinakut. Ne respektojmë çdo komunist që është vrarë kundra fashizmit dhe jo ata komunistë që vranë e u vranë me shqiptarë.

    Dënojmë kremtimin e kongreseve të komunistëve dhe i kërkojmë Kryetarit të Kuvendit dhe mazhorancës t’u kërkojë falje mijëra familje shqiptare që vendimet e atyre kongreseve kriminale u shkaktoi vuajte dhe ndarje nga atdheu për 50 vite.

    29 nëntori i vitit ‘44 është një ditë e zezë për shqiptarët, se u instalua diktatura më e egër, mizore, shfarosëse, diktatura enveriste, prandaj e ftojmë politikën t’ia lërë historisë Luftën e Dytë Botërore dhe mos ta përdorë për interesa mbrojtëse politike të rastit.

    I kërkojmë Parlamentit Shqiptar të bëjë pjesë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë një nen për dënimin e krimeve të komunizmit. Opozita shqiptare ta ketë kusht pjesëmarrjen në parlament për përfshirjen e dënimit të krimeve të komunizmit, deri sa ligjvënësi shqiptar ta aprovojë këtë kërkesë ligjore demokratike.

    Kërkojmë seancë parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë për dënimin e aktivitetit të Enver Hoxhës mbi bazën e Konventës kundër Torturës.

    Kërkojmë që ish prokurorë apo operativa sigurimi, hetues, administratorë të lartë të diktaturës komuniste të japin dorëheqje dhe jo të krenohen me aktivitetet e tyre kriminale në pushtetin e diktaturës duke dënuar qytetarë deri në marrje jete.

    I ftojmë ambasadorët e akredituar në Tiranë, në respekt të misionit të tyre, në respekt të lirive dhe të drejtave të njeriut, të mos jenë indiferentë ndaj mos dënimit të krimeve të komunizmit, apo klasës antikomuniste shqiptare që është pjesa më fisnike e qëndrestare dhe miqësore e vendeve që ata përfaqësojnë.

    I japim afat Parlamentit deri në muajin shtator të implemetojë Rezolutën e APKE-së si dhe Rezolutën e Parlamentit Shqiptar të viti 2006 për dënimin e krimeve të komunizmit.

    Nuk mund të ketë dy standarde në sistemin demokratik që: krimi i sotëm dënohet, kurse ai komunizmit nuk dënohet.

    E ftojmë mazhorancën aktuale të verë në zbatim këto kërkesa ligjore dhe të bëjë

    ndarjen nga e shkuara komuniste, të dënojë krimet e komunizmit. Dënimi i krimeve të komunizmit është drejtësi dhe jo hakmarrje siç e përdor politika shqiptare, sepse vetëm kështu mund t’i japim vendit një të ardhme të sigurte demokratike dhe europiane.

     *Presidenti i Unionit Mbarëkombëtar i Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë