Bashkim KOÇI/Rruspë…

531
Sigal

Deklarata e zotit Rama se të gjithë vijën bregdetare, nga Velipoja në Ksamil, do ta bëjë ashtu si ai veproi me lumin e Lanës kur ishte kryebashkiak i Tiranës, ka ngjallur shpresën tek të gjithë shqiptarët, se qeveria e pas zgjedhjeve të 23 Qershorit do t’i mbajë të gjitha premtimet  që  ka deklaruar  gjatë fushatës. Por ajo çka e bën të prekshme dhe shumë shpresëdhënëse fjalëmbajtjen e kryeministrit  Rama, është serioziteti i tij, guximi për të vepruar flakë për flakë, pa pritur ceremonitë zyrtare e protokollare  për marrjen e detyrës, pa pyetur për atë çka kryeministri në detyrë e konsideron si  “mos durim për tu ulur në fronin kryeministror”.  Ai pas deklaratave publike gjatë takimeve me drejtues të pushtetit vendor, duke i konsideruar ato absolutisht “të padiskutueshme”, dje dha sinjalin e parë, se ndërtimeve pa leje, të kujtdo qofshin, do u vihet rruspa. Dhe ky aksion, pra rruspa e parë, filloi nga Vlora, në qytetin ku ai doli deputet, nga maja e Llogarasë, aty ku babëzia për t’u pasuruar padrejtësisht shëmtoi turpshëm bukurinë magjike të detit Jon.

  Të veprosh energjikisht, pa mëdyshje, për të sjellë “në islla” katrahurën, kasaphanën  e sakatimin  që i është bërë perlës tonë bregdetare, pasurisë që na i ka falur Natyra, nga ndërtimet e paligjshme në këto 23 vjet, është, përpos të tjerave, një “çmenduri”, kurajo e pashoqe. Por nëse u kthehemi viteve të shkuara për probleme  të kësaj natyre, mendja na shkon menjëherë  tek Tirana, tek Kryeqyteti ynë, i cili asokohe ishte më i pisti i Rajonit. Na shkon mendja, gjithashtu,  tek lumi ynë i famshëm, Lana, e cila, siç e dimë të gjithë, ish kthyer në kanalin më të madh të mundshëm të ujërave të zeza. Tiranën, lumin e Lanës dhe shumë gjëra të tjera, të cilat një dritëshkurtër  nuk mund t’i shihte dot, i transformoi  e i gatiti ashtu si ne i sodisim e gëzojmë sot, një i “çmendur” si Edi Rama, atëherë kryebashkiak. Të gjithë ne, socialistë e demokratë, që nga ajo kohë disi e largët jemi ndjerë  “të ngopur” estetikisht, jemi ndjerë si qytetarë të nderuar dhe që jetojmë në një qytet normal, ashtu si shumë kryeqytetas të Botës. Aq çudibërës e i magjishëm u tregua Edi në ato vite, sa shqiptarët  këtej e matanë kufirit nuk e thërrisnin më Tiranën, Tiranë, por Tirama, pra sajuan diçka për të ta konsideruar tërë atë transformim rrënjësor si një punë vetëm të tij, të Edi Ramës.

 Ajo që sapo filloi, dhe që ditë pas dite do shikojmë të tjera ndërhyrje gjatë vijës bregdetare,  do sjellin në sy të njerëzve prezencën e shtetit, zërin i tij. Ai pra, shteti, të cilin kemi vite që mezi e kemi pritur, po na thotë ne të gjithëve  “ja ku jam, ja ku më kini!”. Dhe përpara tij na duhet të jemi të përulur, na duhet të hiqemi si “skllevër”, ashtu si sillen popujt e qytetëruar, të cilët, siç e pranojmë me dhimbje, na kanë lënë prapa me shekuj.

 Por përpara syve tanë qëndrojnë shumë e shumë probleme, shumë e shumë hallka të shtetit, të cilave u duhet vënë “rruspa”. Sepse, po ditën e djeshme, kryebashkiaku i Vlorës, zoti Shpëtim Gjika, sikur i ndryshoi drejtim “rruspës” që i duhet të rrafshojë një ndërtim me probleme në mes të detit, tek Ujët e Ftohtë dhe që është në pronësi të të afërmve të Lulëzim Bashës. Nëse “kompetenti”, pra zbatuesi i Ligjit,  do t’i duhet të përzgjedhë në këtë aksion kaq madhor, të mos prek atë që vërtet i ka bërë karshillëk shtetit, por të merret me ca pronarë kasollesh në Pyllin e Sodës, duhet t’ua themi qysh tani: ky nuk është shteti për të cilin votuam më 23 Qershor. Në këtë kuptim Edi Rama, shpresa dhe besimi i atyre që i dhanë votën, nuk ka përse “të poshtërohet”, nuk ka përse të bëhet “kurban” i dikujt tjetër që edhe mund të jetë i pleksur,  a bërë pis për shkak të  postit që mban. Pushtetarët e zgjedhur në qeverisjen vendore, kryekomunarë apo kryebashkiakë, duhet të jenë të përgjegjshëm dhe të vendosur  po ashtu si Kryeministri Rama, në krah të tij për këtë nisëm, e cila ka gjetur mbështetje mbarë popullore, vërtetë për të përshëndetur. Sepse opinioni i shumicës është me idenë për të mbyllur një herë e mirë këtë plagë të përcjellë nga një qeveri tek tjetra, nga ca të korruptuar tek ca të tjerë akoma më të pangopur. Nëse do çahet “shtegu”, qoftë dhe për një rast të vetëm, zhgënjimi do jetë i madh, ndoshta edhe i pa riparueshëm. Ndaj zoti Rama, i vetmi që do mbajë barrën e ndëshkimit, nëse në këtë punë të filluar do ketë ndarje “të fortë dhe të tjerë, pa përkrahje”, nuk ka përse të mos ndërhyjë, nuk ka përse të mos bëhet  edhe vëzhgues i vëmendshëm për çka ndodh në përdorimin e “rruspës”.  Sepse në këtë gjë që është marrë përsipër të mbyllet njëherë e mirë, do të ketë edhe vështirësi, të cilat në një farë mënyre të stepin, të bëjnë të mendohesh përpara se të ndërhysh. Madje në mjaft raste ndërhyrja është me kosto të madhe, por edhe me probleme teknike. Tek Shkëmbi Kavajës, fjala vjen, ndërtuesi i një pallati buzë detit “i ka ikur mendja fare”, ka “rritur” objektin tej lejes së marrë nga organi përkatës, mbi dhjetë kate. Ashtu siç është një i tillë në mes të qytetit të Durrësit. Në një farë mënyre, në këto raste rruspa del jashtë funksionit, ua lë vendin mjeteve të tjera më të sofistikuara. Si i bëhet? A nuk janë, qoftë dhe këta dy raste që përmendëm, vështirësi të cilat bëhen shkak për të “sfumuar”  emrin dhe forcën e shtetit? Jo, kjo nuk duhet të ndodhë. Nuk duhet të ndodhë sepse gjithçka është e mundshme, ashtu siç u bë e tillë Tirana, lumi i Lanës nga kryebashkiaku i kryeqytetit të atyre viteve, sot Kryeministër, Edi Rama.