Bardhyl Berberi: Devolli, histori e gjallë me personalitete të shquara

    1031
    Me mikun tim të hershëm, poetin e shquar nga Devolli, Skënder Rusin po bisedonim një ditë, duke pirë kafe për këtë zonë krejt të veçantë në mbarë vendin…Çuditem, tha Skënderi, shumë pak shkruhet për Devollin, rrallë e gjen nëpër reportazhe dhe shkrime. Pa dashur si asociacion më erdhi fjala e Dritëro Agollit me rastin e përvjetorit të ditëlindjes së tij, ku ndër të tjera theksoi: “Nëse do të ngrihej një përmendore e madhe për njeriun punëtor, që e dashuron punën, ajo duhet të ngrihet në Devoll”.

    Devolli të befason në çdo stinë që ta shohësh
    Devolli është një emër simbol i fushës së saj pjellore, lumi me të njëjtin emër, që buron e lodron në mes të luginës, të rrethuar nga malet përreth. Devolli ka një ikonë kombëtare Dritëro Agollin, Homeri i gjallë, kolosi i letrave shqipe. Devolli ka 44 fshatra të sistemuar si qëndisma ku nuk gjen një pëllëmbë toke të pa punuar. Të magjepsin prodhimet e mbara, të duket vetja si në përrallat e Andersenit nga ajo larmi ngjyrash ku janë mbjellë të gjitha kulturat bujqësore duke krijuar një kolor shumëngjyrësh. Ngado që mund të ecësh, pemët të ndjekin me rrënjë të shtrira thellë në atë tokë të begatë; ato qëndrojnë nëpër plantacione me mollë, qershi, kumbulla, vreshta dhe rreth çative të kuqe të shtëpive të devollinjve duar artë. Me malet përreth, Moravën në perëndim; Malin e Thatë, me Majen e Ivanit në veri, liqenin e Prespës së Madhe me fshatrat përreth, të dy fushat, në perëndim fushën e madhe e pjellore të Korçës, e në juglindje fushën e begatë të Devollit duke krijuar djepin gjigand që përkund diellin. Natyra e mrekullueshme dhe devollinjtë punëtorë ku lënë në çdo parcelë toke fjalën “punë dhe djersë”… Nga ana tjetër vijnë vargmalet e Malit të Thatë e në mes duke e ndarë fushën e Devollit si me thikë autostrada e re drejt e në Bilisht për në Greqi, e cila nga të dy anët është e mbushur me restorante-hotele e me vila nga më të bukurat. Më tutje shfaqen pllaja e Dëmbravës me akaciet e shumta e pishat e mbjella nga dora e njeriut, si një kat i dytë i luginës, në perëndim të fushës, me ujëmbledhësit e saj, plot plantacione me vreshta e me mollë. 

    Akoma më tej lajthishta e Moravës dhe Guri i Capit, si përkrenarja e Skënderbeut, heroit tonë kombëtar, një shkëmb gjigand natyror sikur e ka krijuar dora e një skulptori e që duket si një obelisk në lindje të fushës të Devollit, me Shën Kostandinin piktoresk, me atë burimin me ujë të ftohtë brisk edhe në mes të beharit. Aty është edhe Dardha piktoreske, me shtëpi të rinovuara, me pistën natyrore të skive në malin e Gramozit, ku organizohen kampionatet lokale e kombëtare të skive. Kodrat e Trestenikut me pllajën e Llabanicës, një fushë pjellore, me lumin e saj me të njëjtin emër, në kufi me Greqinë dhe më pas fusha e vogël e Rakickës, e cila ngrihet majave të Malit të Thatë, si kati i tretë i luginës, ku mbillen e kultivohen të gjitha kulturat bujqësore e me dhitë malore, karakteristike të saj. Në qendër të luginës hapet sipari i një kopshti brilant, me lule shumëngjyrëshe, fusha e begatë dhe e bukur e Vishoshicës që prodhon gjithçka nga mjeshtrat bujq të kësaj zone, burimi i Zalleve në Vishoshicë me ujin e ftohtë në pikun e beharit, me fushën e saj sportive e të blerte të rrethuar me drurë frutorë e nga plepa të lartë, që gati mbulojnë qilimin e blertë me degët e tyre. S’ka më të bukur përshkrim në poezi se sa ai i poetit të madh të vendlindjes, bilbilit jo vetëm të Vishocicës, por i tërë Shqipërisë, i talentuari Skënder Rusi, i cili ka kënduar jo vetëm në plepat e Vishocicës e në lëndinat e Korçës, por në tërë viset e vendit…Si në një ekran filmi të shfaqet fusha e Progërit e Vranishtit, fusha e Babanit, e Bitinckës dhe e Trenit, fusha e Hoçishtit dhe e Përparimajt, vazhduar pastaj nga fusha e Sulit me kodrat e Koshnicës të dëgjuar për dardhat e saj, fusha e Bracanjt dhe Dobranjit dhe akoma më tej me luginën e Poncares e të Menkulasit, si një bahçe me perime nga më të shumtat, ku bëhen qepët aq të dëgjuara në Shqipëri. Duke u mbyllur në fund me fushën e Mirasit e të Çetës, deri në kodrat e Arrëzës e më lart në Dardhë e që ngjiten lart deri në malin e Gramozit, një nga majat më të larta të zonës, që gjithnjë pothuajse është i mbuluar me dëborë edhe në verë ku buron lumi Devoll. Do të përmendnim Selcat e Kapshticës, me arrat dhe qershitë e dëgjuara të saj, plot me vila, restorante dhe me lokale nga më të bukurit në Europë ku njëra luginë ngjitet në fshatin minoritar, aq të përfolur për njerëzit intelektualë e mjeshtrat e mëdhenj të skalitjes së gurit e të drurit.

    Bilishti, qendër e madhe tregtare dhe biznesi 
    Vetë Bilishti është një qendër e madhe tregtare e biznesi. Qyteti me pazarin e vjetër e të ri, me ato sokakë të ngushtë e të gurtë me kalldrëm, që edhe sot ruajnë konstukturimin e qytetit të vjetër, e me shëtitoren piktoreske, me lulishten aq të trëndafiltë e shumëngjyrëshe, me lokalet nga më të veçantit e më të bukurit, ia shtojnë hijeshinë kësaj qyteze të begatë. Pastërtia është tipar dallues që të bie në sy në këtë qytet me lagje të reja që kanë mbuluar kodrat rrëzë Malit të Thatë. Po përse është i dëgjuar ky vend?! Për njerëzit e mençur, intelektualë e punëtorë të mëdhenj, për mësuesit e shumtë që ka nxjerrë kjo trevë e që sot kanë mbushur tërë Shqipërinë nga veriu në jug e në tërë botën, madje deri në Amerikë, për agronomët specialistë e shkencëtarë, për mjekët e shumtë me specialitetet nga më të ndryshmet, për kineastët e Shqipërisë, regjisorë e operatorë, që kanë bërë filma artistikë të kalibrit botëror, të Dardhës të Hoçishtit dhe të Progrit. Nga këtej është pionieri i kinematografisë sonë shqiptare Endri Keko, shkrimtari e skenaristi i shume filmave artistikë Teodor Laço, një plejadë e paharruar shkrimtarësh e artistësh të mëdhenj, për gratë inteligjente e të bukura, punëtore duararta të pashembullta, që janë mjeshtre të rralla, që gatuajnë bukët e byrekët, aq të dëgjuar e të shijshëm. Po ashtu kjo krahinë është e dëgjuar për emigrantët e saj që kanë mbushur botën në breza e që po ia ngrenë famën Devollit e Shqipërisë. Po për çfarë shquhen devollinjtë, përveç punimit të tokës dhe prodhimeve të begata?
    Prodhimet artistike të artizanatit 
    Për prodhimet artistike të artizanatit: si punimet e drurit, mobiliet, punimet me thupra shelgu për shporta e kanistra nga më të bukurat, për perdet e kortinat nga më të bukurat e të shumëllojshme për dritaret, ballkonet, sallonet; për prodhimin e gunave nga gratë mjeshtre të rrobaqepësive të Bilishtit, për punimin me duar të fanellave e trikove prej leshi, për punimet me grep të grave nga më të përdorshmet, për mjeshtrat skulptorë e gurgdhendës me gurë, me mermer, me mozaikë që stolisin muret jashtë e brenda vilave e lokaleve, për prodhimet bujqësore e blegtorale, si: gruri, misri, thekri, elbi, duhani, patatja, panxhari i sheqerit e asortimentet e gatimet e tyre të shumta, për pekmezin e Maçurishtit nga lëngu i panxharit të sheqerit, për turshitë e shumta të konservuara nga më të llojshmet e më të shijshmet, për kultivimin e perimeve nga bahçevanë duarartë burra e gra, për rritjen e një blegtorie moderne e mbi baza shkencore, si: lopa, delet, dhitë dhe për përpunimin e qumështit që produkti nxjerrë pas gjalpit nga kosi, do të përmendim “dhallin”, birra e devollinjve, që është karakteristike për t’u pirë kur ke etje e të shijon më shumë se një birrë dhe produkte të tjera të shumtë. Zona dallohet edhe për mjeshtërinë e gatimit të miellit për bukët dhe petanikët e shumtë që emrat e tyre s’kanë të mbaruar dhe që janë karakteristike, pa le për turshitë tepër të shijshme e aq të përfolura e që janë me interes për vizitorët pa le për turistët, deri në ëmbëlsirat e shumta, me mbretëreshën e gatimit, bakllavanë. Jo më pak interes ka për kuajt e shpendët, për kultivimin e peshkut në ujëmbledhës e vaska ku nuk mungon asnjë ditë peshku i freskët, përveç zënies të peshkut të freskët në liqenin e vogël të Prespës nga peshkatarët e Shuecit e të Buzëliqenasit, një traditë kjo e trashëguar në breza, të cilët janë edhe artistë të thurjes të koceve e të shavarit.
    Nuk lihen mënjanë vreshtat e reja e me plantacione me mollë, dardha, kumbulla, qershi, ftonj, arra, lajthi, gështenja e për kumbullën e rrumbullakët ose të vendit, që të gjithë janë mjeshtra për nxjerrjen e rakisë, në çdo shtëpi, për rakinë e Dardhës, Qytezës, Sinicës, Ziçishtit, e të tjera. Anembanë fushës, rrëzë maleve, si një gjerdan i stolisur me gurë xhevahirë qëndron madhështore edhe Rakicka malore.
    Personalitetet e Devollit nga Dritëro Agolli te Skënder Rusi
    Por Devolli ka një ikonë që mburret jo vetëm ai, por mbarë kombi shqiptar, Dritëro Agollin, biri i kësaj krahine të famshme nga fshati Menkulas… Ai e ka përjetësuar Devollin me poemën “Devoll, Devoll”, një muze i gjallë për këtë krahinë dhe për tërë Shqipërinë. Këtej janë prozatorët e njohur si Sotir Andoni, Teodor Laço, Petraq Zoto e të tjerë dhe më pas plejada e famshme e poetëve të rinj, ku në pedeistal qëndron poeti i talentuar Skënder Rusi, personaliteti më i madh i letrave jo vetëm për Korçën, por për tërë Shqipërinë, me një krijimtari të pasur e veprimtari të gjerë si drejtues i shoqatës së poetëve të rinj, drejtor i bibliotekës së Korçës, një nga më të vjetrat e Shqipërisë. Edhe gazetat modeste “Devolli” e “Bilishti”, njohëse të mirëfillta të traditave më të çmuara të Devollit e të devollinjve, të cilat dita – ditës po e rritin shtrirjen e tyre në Shqipëri e në SHBA me lexues të shumtë nga të gjitha moshat, e drejtuar nga publicistët e apasionuar Ervehe Baruti dhe Kosta Nake dhe nga poetët popullorë: Bashkim Gjoza, Endri Fifo, të cilat shërbejnë si një guidë për turistët ku do të lexosh për bijtë e saj artistë të mëdhenj. Por Devolli është vend i origjinës edhe për aktorët me famë botërore: i vëllezërve Xhon dhe Xhim Belushit, i aktores së Hollivudit Eliza Dushku, aktorja Elida Janushi e Teatrit Kombëtar, me rolet e saj të shumtë në teatër e në kinematografi, këngëtarja e njohura si Ana Goce nga Vishoshica që me familjen e saj përbënte një bërthamë të grupi folklorik të Devollit në festivale të ndryshme. Devolli është një histori e gjallë me njerëzit e tij punëtorë. Ndoshta për të njohur jetën e gjallë dhe dinamike dhe shpirtin e Devolliut duhet të vish këtu të njohësh nga afër këta njerëz të mrekullueshëm …
    Rrethi i Devollit me 47 fshatra
    Rrethi i Devollit numëron 47 fshatra dhe konkretisht: Arëzë, Baban, Bilisht, Bitinckë, Bickë, Borsh, Braçanj, Bradvicë, Cangonje, Çetë, Çipan, Dobranj, Dardhë, Eçmenik, Shënkollas, Gjyres, Hoçishti, Grapsh, Gracë, Gjyras, Kapështicë, Kuç, Koshnicë, Kurilë, Mançurisht, Menkulas, Miras, Nikolicë, Pilur, Poloskë, Ponçare, Progër, Rakickë, Qytezë, Sinicë, Sul, Stropan, Shuec, Tren, Trestenik, Vërnik, Vërlen, Vranisht, Vidohovë, Vishoshicë, Buzëliqenas dhe Ziçisht.
    Poeti dhe shkrimtari Dritëro Agolli
    Shkrimtar, publicist, veprimtar shoqëror, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Lindi në Menkulas të Devollit. Mësimet e para i mori në vendlindje, të mesmen në shkollën “Asim Zeneli” (Gjirokastër), ku bëri dhe sprovat e para letrare. Në vitet 1952 – 1957 ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Letërsisë të Universitetit të Leningradit. Në vitet 1957 – 1972 punon si redaktor e gazetar në të përditshmen “Zëri i popullit” (shih). Në vitet 1973 – 1992 ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Dritëro Agolli është një nga figurat qendrore të poezisë shqipe dhe një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të “brezit të viteve 1960”.
    Sigal