Arsimi profesional, Klosi: Punonjësit e kualifikuar nxisin zhvillimin ekonomik

    355
    Reforma mbi arsimin profesional që qeveria shqiptare ka ndërrmarrë prej dy vitesh, mblodhi të martën në një panel diskutimi Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi dhe Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.
    Në aktivitet morën pjesë edhe 250 të ftuar, pjesë e grupeve të interesit për të diskutuar me ministrat në lidhje me zhvillimin ekonomik që sjell arsimi profesional.
    Në kuadër të edukimit profesional dhe trajnimit të punonjësve të kualifikuar, Ministri Klosi u shpreh se “në Shqipëri mungon raporti me tregun e punës, mungojnë studimet të cilat të tregojnë në mënyrë të mirëfilltë se për çfarë ka nevojë Shqipëria në aspektin e profesioneve dhe zanateve. Vizioni ynë për arsimin profesional lidhet me dëshirën dhe përpjekjen e madhe për zhvillimin ekonomik, pasi vetëm duke krijuar punonjës të kualifikuar dhe me profesione mund të përshtatemi me atë që kërkon tregu”. Më tej, ai shtoi se “ne duam që të rinjtë dhe të rejat të mund të mbajë veten e tyre dhe të përgatiten për familje nëpërmjet punës dhe arsimit profesional.
    Ai përmendi edhe vizitën e tij në Berlin të Gjermanisë për të parë nga afër menyrën sesi funksionojnë shkollat profesionale. Nga ana e tij, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj tha se dialogu midis qeverisë dhe sipërmarrjes duhet t’i shërbejë krijimit të institucionit për arsimin profesional. Gjithashtu, ditën e djeshme Ministri i Mirëqenies Sociale ka zhvilluar një takim me të rinjtë e diasporës në kuadër të vizitës së tij zyrtare dyditore në Gjermani. “We are Europe” titullohej takimi i organizuar nga Konsullata e Nderit e Republikës së Shqipërisë në Nordhein Westfalen, me përfaqësues të shoqatave rinore dhe bizneseve në diasporë, me të cilët ministri Blendi Klosi diskutoi mbi perceptimin e perspektivës europiane nga këndvështrimi i rinisë.
    Sigal