Arjan Jaupllari/ Asgjë nuk e shpëton dot Beqajn nga rruga drejt burgut

    518
    Sigal

    Ministri i Shëndetësisë Beqaj ka shkelur ligjin në dhënien e autorizimit dhe në barnat e rimbursueshme. Barnat e falsifikuara të Turqisë drejt nesh

    Deklarata për shtyp e Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj është një orvatje për të shpëtuar nga shkelja e ligjit. Justifikimet janë të pabaza dhe nuk e shpëtojnë dot nga rruga drejt burgut, të cilën e ka zgjedhur vetë nga qorrsokaku në të cilin e kanë futur ata që e kanë kapur duke përfituar lejet e importit në kundërshtim me ligjin.

    Shkeljet ligjore

    Në gjithë materialin e gjatë që ka bërë publike ai ka anashkaluar shkeljet ligjore. Beqaj justifikohet se ka ekzistuar dhënia e lejeve të importit për barnat e paregjistruara; së pari, akoma nuk e ka mësuar se ato që firmos çdo ditë quhen autorizime importimi dhe së dyti, këto autorizime importi nuk i ka dhënë vetëm për barna të paregjistruara, por dhe për barna të regjistruara, duke shkelur ligjin e barnave.

    Por dhe për barnat e paregjistruara po ju sjellim një fakt të shkeljes ligjore me një bar që është në listën e rimbursimit, konkretisht për barin Acetazolamide 250 mg, është shkelur VKM nr. 62, datë 01.02.2012, pika 18, ku shprehimisht thuhet: “Barnat, për të cilat nuk është deklaruar çmim, ose nuk janë regjistruar deri më 30 nëntor të vitit aktual, humbasin të drejtën për t’u futur në listën e barnave të rimbursuara për vitin pasardhës. Bëhet përjashtim vetëm për barnat që janë alternativa të vetme në treg dhe barnat që janë në proces riregjistrimi”. Janë futur në listën e rimbursimit dy alternativa të këtij bari, kur parashikohet ndryshe.

    Fituesit e tenderit janë paracaktuar

    Beqja është justifikuar se nuk janë paraqitur kompanitë farmaceutike që kanë barna të regjistruara në Republikën e Shqipërisë se gjoja nuk paskan interes pasi i kanë çmimet e larta, gjë për të cilën nuk është e vërtetë së fituesit e tenderit janë paracaktuar nga Beqja, sepse ka dhënë dhe lejen e importit para se të shpallej fituesi i tenderit dhe po ju sjellim një shembull: Autorizimin e importimit Nr.22, datë 28.02.2014 për Evita sh.p.k për 50 000 siringa Enoxiparinë të importuara nga Turqia Po ju shpjegojmë se referuar barit të regjistruar të Sanofi Aventis, ku një kuti me 10 shiringa ka çmimin e deklaruar 35 euro, vetëm vlera e këtij bari shkon në 175 mijë euro.

    Referenca e çmimeve me vendet e rajonit

    Po ti referohemi justifikimit në lidhje me referencën e çmimeve me vendet e rajonit, përsëri është në kundërshtim me VKM nr 62, datë 01.02.2012, pika 11, ku thuhet: “Çmimet “CIF”, të deklaruara në Shqipëri, do të krahasohen me çmimet e “CIF” të shteteve referente: Itali, Greqi dhe Maqedoni. Kur mungon informacioni për çmimet “CIF” nga shtetet referente, krahasimi do të bëhet me çmimet e shitjes me pakicë të barit. Çmimet e shitjes me pakicë në Shqipëri do të krahasohen me çmimet e shitjes me pakicë të barit në shtetet referente”. Lind pyetja: Pse Beqaj i referohet Turqisë?

    Siguria e barnave

    Përsa i përket cenimit të sigurisë së barnave Beqaj gënjen: Ai justifikohet se barnat janë të regjistruara dhe është i njëjti bar që vjen nga Turqia, sepse është i njëjti prodhues. Nuk është e vërtetë që i është referuar ligjit shqiptar, kur thotë se është i njëjti territor i përcaktuar në Ligjin e Barnave, sepse Ligji i Barnave përcakton saktë në pikën 2 të Nenit 13 të ligjit Nr 9323, datë 25.11.2004 ku shprehimisht thuhet: “QKKB pranon për regjistrim: a) barnat e prodhuara në vendin tonë, si dhe barnat e regjistruara dhe që qarkullojnë në njërin nga vendet e Bashkimit Evropian, Zvicër, SHBA. Kanada, Japoni, Australi; b) barnat e prodhuara në vendet e Ballkanit, vetëm kur janë të regjistruara dhe qarkullojnë në vendin e tyre prej jo më pak se 2 vjetësh”. Duam të sqarojmë se nuk është e njëjta gjë që barin një kompani e ka të regjistruar nga Zvicra dhe mund ta sjellë nga Turqia. Mbajtësi i autorizimit të prodhimit mban përgjegjësi për këtë bar të regjistruar, kur e kontrollon importin nëpërmjet zinxhirit të tij dhe jo për importe paralele për shkak të pasigurisë në zinxhirin e farmakovigjilencës për arsye të falsifikimit të mundshëm të tij.

     Tenderi i barnave/ Komisioni për Shëndetësinë seancë dëgjimore me përfaqësues të grupeve të interesit

     Komisioni për Punën, Çështjet dhe Shëndetësinë zhvilloi seancë dëgjimore publike me përfaqësues të grupeve të interesit lidhur me procedurat e prokurimit për blerjen e barnave dhe arsyet e ndërhyrjes së Ministrit në ndryshimin e kritereve të përcaktuara më parë. Në fillim të mbledhjes, Kryetarja e Komisionit, znj. Albana Vokshi, bëri të ditur dhe arsyet e thirrjes së kësaj seance dëgjimore nga 6 deputetë të PD-së. “Së pari përdorimin e standardeve të dyfishta brenda të njëjtës procedurë. Së dyti lejimin e qarkullimit në Shqipëri të barnave të paregjistruara, pra modifikime që i janë bërë urdhëresës së Ministrit për dokumentet e tenderit, lejon qarkullimin në Shqipëri të barnave të paregjistruara, në Qendrën Kombëtare të Kontrollit të Barnave. Dhe së treti, në mendimin tonë, ka mungesë tërësore të argumenteve që e përligjin këtë ndërhyrje të Ministrit”, tha znj. Albana Vokshi, ndërsa kërkoi që të ishte i pranishëm dhe Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj.  Por nënkryetarja e Komisionit, znj. Klodiana Spahiu deklaroi se mund të zhvillohet një seancë e dytë dëgjimore me Ministrin e Shëndetësisë.

    Përfaqësuesit e grupeve të interesit

    Përfaqësuesja e Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, znj.Diana Toma paraqiti disa rezerva për procedurat e reja. “Urdhri  ndihet i alarmuar për atë çka aktualisht po kalojmë. Por më e keqja është për pasojat që mund të kemi në të ardhmen. Çdo situatë ka një shkak dhe si rezultat ka edhe pasoja. Mjafton të thuash që jemi në një komunikim jo të mjaftueshëm dhe jo transparent me Ministrinë e Shëndetësisë”, tha znj. Toma.

    Rezerva paraqiti edhe Shoqata Shqiptare e Përfaqësive Farmaceutike. “Ne vërejmë se tek ligji 9323 janë shkelur disa nene, është neni 11. pika 1, ku thotë që barnat që qarkullojnë në Republikën e Shqipërisë duhet të jenë të regjistruara. Duke hequr vërtetimin e regjistrimit të barit, atëherë ky nen bie poshtë. Shkelet dhe i bie që të qarkullojnë barna të paregjistruara. Mund të vijnë barna nga çdo vend i botës. Pika tjetër që është hequr është autorizimi i prodhuesit. Me heqjen e këtij autorizimi, mbajtësi i autorizimit të barit , nuk është më pronar i këtij bari. Nuk dihet se ky bar nga prodhohet, si transportohet”, tha z. Bledar Shorri, përfaqësues i Shoqatës Shqiptare e Përfaqësive Farmaceutike.

    Ndërkohë që z. Petrit Vasili, ish Ministri i Shëndetësisë tha se është detyra e të gjithëve që të mbrojnë çdo arritje të këtij sistemi. “Problemi më themelor për mua si politikan, përtej tenderit, është filozofia e sistemit. Një sistem që është ndërtuar në shumë vite, me shumë mund. Sistemi aktual ngjason në pjesën dërrmuese të elementëve të tij me një sistem farmaceutik europian mesatar. Në fund ka ofruar tre elementë thelbësore. Në shumicën dërrmuese, barna të sigurta, së dyti çmime tërësisht të kontrolluara dhe transparence, sepse nuk janë më çmime pronë e atyre që tregtojnë, por janë të qytetarit. Dhe një element thelbësor është gjurmueshmëria e tij. Thënë e gjithë kjo, çdo element që tund qoftë edhe një nga elementët e vendosura me shumë mund, komprometon tërësinë e këtij sistemi. Dhe më shumë se ngjarja e ditës, rikthen të tërë atë mund të bërë në shumë vite”, tha Vasili.

    Beqaj: Procedurat e prokurimit nuk cenojnë sigurinë e barnave

     Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj tha dje se barnat që do të hyjnë në vend për nevoja spitalore të paregjistruara, do të zbatojnë hartën gjeografike të vendosur nga ligji, dhe që kryesisht ato do të importohen nga vendet e Ballkanit. ”Importi i barnave në Shqipëri është një proces i rregulluar, pavarësisht nëse hyn me regjistrim me leje për nevoja spitalore apo për nevoja të tregut farmaceutik. Barnat në Shqipëri hyjnë në një mënyrë të kontrolluar. Kjo bën që mos të cenohet cilësia e barnave, çdo sasi që importohet duhet të ketë certifikatë origjinë, fletë analizash, faturë fiskale dhe listë paketimi. Ndodh rregullisht për çdo sasi që importohet, edhe për 1 një kuti të jetë për një procedurë importi, duhet të plotësoj dhe të zbatohen këto kushte”, tha Beqja. Ministri Beqja u shpreh gjithashtu se ndryshimet që i janë bërë procedurave të prokurimit, nuk janë bërë për qëllime biznesi.

    Rruga me skandale e ministrit Beqaj

    Ndërhyrja e paligjshme e ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj në dokumentet e tenderit të barnave përbën skandalin e tretë në karrierën e tij politike. Gjatë viteve 2000-2004, kur ishte Drejtor i Përgjithshëm i ISSH-së në raportet e auditimit të KLSH-së janë vërejtur abuzime dhe shkelje të ligjit, për të cilat ISSH, institucioni i drejtuar prej tij ka përfunduar në organet e hetimit. Në vitin 2009, Ilir Beqja u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë, por mandati iu hoq pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, pasi kompania e tij fitoi tenderin për pajisjen e bashkisë së Durrësit me sistemin elektronik. Kjo në dhunim të paragrafit 3 të Nenit 70 të Kushtetutës, i cili i ndalon kategorikisht deputetit që të sigurojë përfitime nga fondet publike. Ky është rasti i tretë që z. Ministër Beqaj përflitet për shkelje të ligjit.