Amendimet në ligjin për AP, Muižnieks: Këshillohuni me Komisionin e Venecias!

498
Sigal

Ligji i ri për Avokatin e Popullit u miratua me 89 vota por ndërkombëtarët kishin kontestuar më parë ndryshimet

Pas kritikave të ashpra të Organizatës së Ombudsmanëve Frankofonë (AOMF) dhe Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë lidhur me miratimin e ligjit për Avokatin e Popullit, ka reaguar dje dhe Komisioneri për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës, Nils Muižnieks, duke shprehur shqetësimin për ndryshimet e fundit në ligjin për Avokatin e Popullit, i kërkon autoriteteve shqiptare të mos vazhdojnë më tej, por të kërkojnë mendimin e Komisionit të Venecias. Muižnieks thekson se ndryshimet në ligj dobësojnë pavarësinë e institucionit të Avokatit të Popullit. ‘Kam ndjekur me interes debatet e bëra në Shqipëri në lidhje me amendimin e ligjit për Avokatin e Popullit. Duke parë rrezikun për dobësimin e institucionit të Ombudsmanit në disa nga ndryshimet e propozuara, i nxis autoritetet shqiptare të këshillohen me Komisionin e Venecias përpara se të procedojnë”, – shkruan Komisioneri në Facebook-un e tij.

SHQETËSIME TË TJERA

Shqetësim për ndryshimet e fundit në ligjin për Avokatin e Popullit kanë shprehur më parë edhe dy Organizata Ndërkombëtare, Organizata e Ombudsmanëve Frankofonë ( AOMF) dhe Asambleja Parlamentare e Frankofonisë. Ja disa pjese nga deklarata e Shoqatës së Ombudsmanëve Frankofone (Association des Ombudsmans et Médiateurs de la Francophonie) : “Duke konsideruar që Republika e Shqipërisë ka marrë tashmë statusin e shtetit kandidat për në Bashkimin Europian, nga i cili rrjedhin detyrime në lidhje me qeverisjen e mirë dhe shtetin e së drejtës dhe përcaktojnë prioritete si reforma administrative dhe respektimi i të drejtave të njeriut. Duke pasur parasysh se pavarësia e institucionit të Ombudsmanit përvec se një garant i qeverisjes së mirë në administratën publike, është kontribues për stabilitetin e situatave që trajton dhe mjeteve që ai ka në dispozicion. Kjo pavarësi është themelore për të garantuar lirinë e veprimit, neutralitetin dhe efikasitetin e tij. Deklarojmë që ligji organik i Avokatit të Popullit në Shqipëri duhet të garantojë zbatimin e kritereve ndërkombëtare, për të siguruar pavarësinë në ushtrimin e plotë të detyrës dhe lirinë e plotë të veprimit, themelore këto për të ushtruar funksionet e tij

Shprehim shqetësimin tonë në lidhje me situatën që sjellin ndryshimet që i bëhen ligjit organik të Avokatit të Popullit në Shqipëri. Deklarojmë që duhet të ruhet pavarësia, kompetencat dhe eficenca e institucionit të Avokatit të Popullit në Shqipëri”

DEBATI NË KOMISIONIN E LIGJEVE

Ndërkohë edhe gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve Avokati i Popullit Igli Totozani ka kundërshtuar ndryshimet e fundit në ligj.  Totozani theksoi se projektligji i iniciuar nga EURALIUS është tjetërsuar tërësisht, ndërsa ndryshimet e fundit cënojnë pavarësinë e institucionit. Avokati i Popullit ka kundërshtuar fort nenin që i jep të drejtën Komisionit të Ligjeve të përzgjedhë kandidaturat për komisionerë, duke deklaruar se në këtë mënyrë, institucioni që ai drejton kthehet në sekretariat teknik. ‘Normalisht i takon Avokatit të Popullit pre/rogativa që të propozojë komisionerët e tij dhe ju ti miratoni pastaj në Parlament. Ky nen të mbetet si në ligjin e vjetër”, tha Totozani. Ndërkohë në ligjin e ri parashikohet që pas hapjes së konkursit publik, Avokati i Popullit i çon komisionit të ligjeve listën me të gjithë personat që kanë shfaqur interes për një post komisioneri. Ai duhet të pozicionojë në fillim të kësaj liste emrat e preferuar prej tij, por që nuk janë taksative për t’u miratuar nga Kuvendi. Për një post komsioneri duhet të ketë 4 kandidatura. Ndër to, Komisioni i Ligjeve përzgjedh vetëm dy, duke ia përcjell më pas  Kuvendit.