Albtelekom abuzon më qytetarët, bën kontrata të njëanshme dhe nuk zbaton ato 1- vjeçare

    430
    Sigal

    Qytetarëve nuk u jepet informacion për punonjësit që mbulojnë zonën e tyre

    Qytetarët që kanë bërë një kontratë me kompaninë Albtelekom, vazhdojnë që të shprehen të pakënaqur përsa i përket shërbimit që i ofron kjo kompani. Ankesat vijnë për probleme nga më të ndryshmet, si ato që kanë të bëjnë me shërbimin që u ofrohet në rastet kur kanë probleme, me mosrespektimin e kontratës, apo edhe me bërjen e kontratave të njëanshme nga kompania. Po ashtu qytetarët ankohen se u vijnë edhe faturat e larta dhe ka raste që i kalojnë 100 mijë lekë të vjetra. Në emisionet televizive të mëngjesit qytetarët gjejnë mundësinë për të denoncuar shkeljet që po u bëhen nga Albtelekomi në ditët e sotme. Në këto emisione qytetarët kanë bërë të ditur se u janë shkelur kontratat 1-vjeçare që ato kanë me kompaninë.

    Problematika me internetin

    Një qytetar në programin e mëngjesit në një nga emisionet e përditshme bëri të ditur se ka lidhur një kontratë 1-vjeçare me Albtelekom-in dhe se shërbimi që i ofrohet është shumë i keq. Ai është shprehur se: “Kam lidhur një kontratë 1-vjeçare me Albtelekom pagesat i kam bërë në rregull. Por filloj që të punoj në internet dhe pas dhjetë minutash shkëputet interneti”. Por nuk është vetëm kaq problemi i qytetarëve me kontratat e 1-vjeçare të lidhura me Albtelekom-in, pasi kompania nuk i kthen paratë nëse prish kontratën qytetari. Qytetari ka theksuar në emisionin e mëngjesit se: “Kontrata bëhet e njëanshme nga kompania dhe u kërkova që ta prish kontratën, por më thanë që nuk do të kthejmë lekë më nëse do e prishësh kontratën”. Por problemet të shumta ka edhe me shërbimin që u ofrohet qytetarëve nga punonjësit në rast të ndonjë problemi që mund të kenë qytetarët. Më konkretisht qytetarët bëjnë të ditur se, nuk u jepet emri i saktë i punonjësit që mbulon zonën në të cilën ato jetojnë. Po ashtu edhe nëse ka probleme atyre u duhet të presin me ditë të tëra për që t’u vijë eksperti për të rregulluar problemin që ato kanë.

    Ankesat nuk gjejnë zgjidhje

    Ankesat e qytetarëve për përmirësimin e situatës problematike me rrjetin nuk merren në konsideratë dhe nuk gjejnë zgjidhje. Qytetarët tregojnë se shkojnë në zyrën e ankesave, bëjnë dhe ankesa me shkrim, por situata mbetet e njëjtë dhe asnjë problem nuk është zgjidhur. Qytetarët shprehen se ankesat e kanë rënë në vesh të shurdhet. Po ashtu ankesat e qytetarëve janë dërguar edhe në adresë të  Entit Rregullator të Telekomit, por edhe atje nuk kanë marrë asnjë zgjidhje. Ata shprehen se: “Edhe Enti Rregullator i Telekomit kanë qenë i pafuqishëm për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve dhe për të vënë në zbatim ligjin aty ku është shkelur nga kompania”.