ALBtelecom, faturat e larta shqetësojnë qytetarët

    408
    Sigal

    Dyndje në sportelet  e  ALBtelecom-it  në Elbasan dhe Durrës

    Ashtu siç edhe ishte njoftuar 2 muaj më parë, për rritjen e taksës fikse e pajtimit mujor nga 530 në 700 lekë të reja  të faturës së telefonisë fikse, duket se kjo gjë ka dhënë efektet e veta në xhepat e qytetarëve. Në sportelet e ALBtelecom-it në Elbasan dhe Durrës, kanë nisur reagimet e para të qytetarëve, lidhur me rritjen e taksës së pajtimit mujor. Ata shprehen të indinjuar për shërbimet e ALBtelecom-it, për vonesat  në riparimin e defekteve. Kështu dy pallate në lagjen 16 në Durrës dhe disa shtëpi banimi në Kodër Vilë, prej 10 ditësh kanë mbetur pa sinjal telefonik, pasi siç marrin përgjigjen në degën e ALBtelecom-it “jemi duke zhvendosur linjat, dhe do të prisni edhe ca ditë”. Por, qytetarët shprehen se, “pavarësisht vonesave dhe mungesës së sinjalit telefonik, jemi të shqetësuar edhe për  vlera të mëdha financiare, të cilat jemi të detyruar edhe pse nuk kemi folur, sepse kemi celularët, do t’ i paguajmë”. Indriti është banor i lagjes nr.1 tek banesat e ulëta tek Kodër Vila dhe shprehet se, “prej 1 viti kam firmosur kontratën me ALBtelecom për ofertën 2 mijë lekëshe, pra telefoni dhe internet, por nuk ka javë të mos vij në  sportele dhe të ankohem për prerje sinjali, kabulli, faturë të kripur, e cila nuk i përgjigjet kontratës dhe shumë gjëra të tjera”. Qytetarët e Durrësit shprehen të indinjuar nga mungesa e shërbimeve të shpejta dhe cilësore e deklarojnë se, “do ta shkëpusim sinjalin me ALBtelecom, sepse nuk na leverdis, janë më të shtrenjta se celularët që flasim gjithë ditën dhe gjithë muajin me vetëm 5 mijë lekë të vjetra”. Rritja e taksimit për pajtimin mujor ka indinjuar prej disa ditësh edhe qytetarët e Elbasanit. Edhe ata  janë dyndur në sportelet e degës së ALBtelecom-it dhe  kërkojnë shpjegime  lidhur me rritjen e taksës, defektet, faturat e mbushura me impulse të paharxhuara, apo edhe  probleme të tjera, të cilat rëndojnë çdo muaj në xhepat e tyre. Në degën e ALBtelecom-it në Elbasan, janë dy grupe teknikësh, të cilët mundohen të zgjidhin problematikat dhe riparojnë defektet  në një qytet  që ka një shtrirje të madhe gjeografike. Realisht kompania e ALBtelecom, nuk ka kryer investime lidhur me rrjetin e ri, apo me disiplinimin e atij ekzistues dhe kjo ka sjellë, që shpesh defektet të lënë qytetarët me ditë pa sinjal telefonik. Në një qytet si Elbasani, ku papunësia ka arritur në shifra alarmante, apo numri familjeve, të cilat jetojnë me ndihmë ekonomike është trefishuar, mbajtja e numrit të telefonisë fikse, me taksimin e ri është një luks. Kjo,  pasi veç 700 lekëshit, faturohet çdo 45 sekonda, çdo  impuls tjetër që ti harxhon, me numra brenda apo edhe jashtë shtetit.  Qytetarët e Elbasanit shprehen se, “më mirë të shkëpusim sinjalin nga ALBtelecom-i, sepse na  bie më  lirë të flasim me celularët, ndërkohë që kur vjen fatura e telefonit  fiks me vlera marramendëse, është e kotë të ankohesh sepse je i detyruar ta paguash, ke folur apo nuk ke folur. Mungon  transparenca  dhe  serioziteti, trajtohemi jo sikur jemi taksapagues, por sikur na i kanë falur numrat”. Qytetarët dhe pajtuesit e ALBtelecom-it, kërkojnë uljen e taksimit të pajtimit, ndryshe do të jenë të detyruar  të shkëpusin dhe të prishin kontratën me ALBtelecom-in, por ata njëherësh kërkojnë edhe mbështetjen e qeverisë, e cila duhet të jetë krah tyre dhe jo të heshtë kur rëndohen xhepat e shqiptarëve.