A mendojnë gratë ndryshe nga burrat për etikën?

    762
    Sigal

    FEMINIZMI DHE ETIKA E PËRKUJDESJES

    Ideja që gratë mendojnë në mënyrë të ndryshme nga burrat është përdorur tradicionalisht për të përligjur nënshtrimin e njërës palë ndaj tjetrës. Aristoteli thoshte se gratë nuk janë aq racionale sa burrat dhe prandaj është e natyrshme që të sundohen nga burrat. Immanuel Kant-i ishte i të njëjtit mendim, duke shtuar se, për këtë arsye, grave “u mungon personaliteti civil” dhe nuk duhet të kenë zë në jetën publike. Jean-Jacques Rousseau u përpoq ta ndreqte këtë duke theksuar se burrat dhe gratë thjesht kanë virtyte të ndryshme; por, natyrisht, dilte që virtytet e burrave i bënin ata më të përshtatshëm për të udhëhequr, ndërsa virtytet e grave i bënin ato më te përshtatshme për shtëpinë dhe vatrën. Kundrejt një sfondi të tillë, nuk është për t’u çuditur që lëvizjet e grave në vitet ’60 dhe ’70 e mohonin idenë e dallimeve psikologjike midis grave dhe burrave. Konceptimi i burrit  si racional dhe i gruas si emocionale u hodh poshtë si thjesht stereotip. Natyra nuk bën asnjë dallim mendor ose moral ndërmjet sekseve, thuhej; dhe, kur duket se ekzistojnë dallime të tilla,  kjo ndodh vetëm ngaqë gratë kanë qenë të kushtëzuara nga një sistem shtypës që të silleshin në mënyrë “femërore”. Megjithatë, kohët e fundit, mendimtaret feministe e kanë rishqyrtuar çështjen dhe disa prej tyre kanë arritur në konkluzionin se gratë vërtet mendojnë ndryshe nga burrat. Por, shtojnë ato, mënyra e të menduarit e grave nuk është inferiore ndaj asaj të burrave; dhe këto dallime nuk e përligjin nënshtrimin e njërës palë ndaj tjetrës. Përkundrazi, mënyra femërore e të menduarit përfton ide që kanë munguar në fushat ku sundojnë burrat. Kështu, nëse ia vëmë veshin qasjes karakteristike të grave, mund të ecim përpara lidhur me çështje ku kemi mbetur në vend. Thuhet se etika është kandidate e dorës së parë për këtë lloj trajtimi.

    Fazat e zhvillimit moral sipas Kohlberg-ut. Le të shqyrtojmë problemin e mëposhtëm, të përvijuar nga psikologu i edukimit Laurence Kohlberg. Gruaja e Hajncit ndodhej në prag të vdekjes dhe e vetmja shpresë për të ishte një ilaç i shpikur nga një farmacist që e shiste me një çmim tepër të lartë. Kostoja e ilaçit ishte 200 dollarë, ndërsa farmacisti e shiste për 2000 dollarë. Hajnci mund të mblidhte vetëm 1000 dollarë. Ia ofroi këtë shumë farmacistit dhe, pasi oferta e tij nuk u pranua, tha se do ta paguante pjesën tjetër më vonë. Përsëri farmacisti refuzoi. Në dëshpërim e sipër, Hajncit i shkoi në mendje që ta vidhte ilaçin. A do të ishte veprim i keq nga ana e tij? Ky problem, i njohur si “Dilema e Hajncit”, ka qenë një nga të shumtët që përdorte Kohlberg-u për të studiuar zhvillimin moral të fëmijëve. Kohlberg-u intervistoi fëmijë të moshave të ndryshme, duke u paraqitur atyre një sërë dilemash dhe duke u bërë pyetje të formuluara për të nxjerrë në pah gjykimet e tyre morale dhe arsyet ku këto mbështeteshin. Duke analizuar përgjigjet e tyre, Kohlberg-u nxori konkluzionin se ekzistojnë gjashtë nivele të zhvillimit moral. Fëmijët nisin me një vështrim egocentrik të “së mirës” si çfarëdolloj gjëje që e shmang ndëshkimin dhe së fundi arrijnë te vështrimi tërësisht i pjekur i së mirës si përputhje me principet universale. (Të paktën ata më fatlumët arrijnë atje; disa ngecin në nivelet më të ulëta). Ja gjashtë fazat:

    l. Ndëshkimi dhe bindja. E mira kuptohet si bindje ndaj autoritetit dhe shmangie ndëshkimi.

    2. Synimi instrumental individual dhe shkëmbimi: E mira kuptohet si kënaqje e nevojave vetjake dhe lejim i të tjerëve që të bëjnë të njëjtën gjë, duke hyrë njëkohësisht në “marrëveshje të drejta” për qëllimet e mëtejshme vetjake.

    3. Shpresat, marrëdhëniet dhe përshtatjet e ndërsjella mes personave: E mira kuptohet në bazë të detyrave dhe përgjegjësive që lidhen me rolet sociale vetjake dhe marrëdhëniet vetjake në shoqëri; një virtyt thelbësor është ai i ruajtjes së besnikërisë dhe mirëbesimit me partnerët.

    4. Mbështetja e sistemit social dhe e ndërgjegjshmërisë. E mira kuptohet si kryerje e detyrës qytetare dhe si mbështetje e mirëqenies së grupit; marrëdhëniet personale u nënshtrohen interesave të grupit.

    5. Të drejtat prioritare dhe kontrata sociale ose dobia. E mira kuptohet si përkrahje e të drejtave themelore, e vlerave themelore dhe e rregullimeve ligjore të shoqërisë. (Në këtë fazë dhe në atë që pason, marrëdhëniet personale u nënshtrohen principeve universale të drejtësisë).

    6. Principet etike universale: Pjekuria e plotë morale shfaqet nëpërmjet besnikërisë ndaj principeve abstrakte që duhet të ndjekë mbarë njerëzimi.

    Dilema e Hajncit  iu paraqit një djali njëmbëdhjetëvjeçar të quajtur Xhek, i cili mendoi se ishte e qartë që Hajnci duhej të vidhte ilaçin. Xheku dha këtë shpjegim:

    “Mbi të gjitha, jeta e njeriut vlen më shumë se paratë, e nëse farmacisti merr vetëm 1000 dollarë, ai prapëseprapë do të vazhdojë të jetojë, po nëse Hajnci nuk e vjedh ilaçin, gruaja e tij do të vdesë.

    (Pse jeta vlen më shumë se paratë?)

    Sepse farmacisti mund të marrë një mijë dollarë më vonë nga njerëz të pasur që kanë kancer, po Hajnci nuk mund ta gjejë prapë gruan e tij.

    (Pse jo?)

    Sepse të gjithë njerëzit janë të ndryshëm nga njëri-tjetri dhe prandaj gruaja e Hajncit s’mund të gjendet më.”

    Porse Emi, gjithashtu 11 vjeç, e shihte çështjen ndryshe. A duhet ta vidhte ilaçin Hajnci? Në krahasim me Xhekun, Emi dukej se ngurronte dhe ishte e paqartë:

    “Unë s’mendoj ashtu. Mendoj se mund të kishte rrugë të tjera përveç vjedhjes; për shembull, të merrte para hua ose të merrte kredi apo diçka tjetër, po vërtet nuk duhej ta vidhte llaçin – po as gruaja e tij nuk duhej të vdiste… Në qoftë se e vidhte ilaçin, atëherë mund ta shpëtonte jetën e gruas, por, po të vidhte, mund t’i duhej të vente në burg, e pastaj gruaja mund të sëmurej prapë, ndërsa ai nuk mund ta gjente më ilaçin, dhe kjo mund të mos ishte mirë. Prandaj, ata duhej ta diskutonin këtë punë vërtet dhe të gjenin ndonjë rrugë tjetër për t’i bërë paratë.”

    Intervistuesi i drejtoi Emit pyetje të tjera, duke ngulmuar se ajo nuk po tregohej e çiltër – në qoftë se Hajnci nuk e vjedh llaçin, gruaja e tij do të vdesë. Po Emi nuk tundet nga e vetja; ajo nuk i pranon kushtet se si shtrohet ky problem. Në vend të kësaj, e shtron çështjen si konflikt ndërmjet Hajncit dhe farmacistit, konflikt që duhej zgjidhur me diskutime të mëtejshme.

    Sipas fazave të Kohlberg-ut, Xheku dukej se kishte përparuar dy ose tre nivele më shumë se Emi. Përgjigja e Emit është tipike e njerëzve që operojnë në fazën 3,  ku më të rëndësishme janë marrëdhëniet mes personave – Hajnci dhe farmacisti duhet t’i zgjidhnin gjërat mes tyre. Ndërsa Xheku u referohet principeve impersonale – “jeta e njeriut vlen më shumë se paratë”. Xheku duket se operon në fazën 4 ose 5.

    Objeksioni i Gilligan-it. Kohlberg-u i filloi studimet e tij mbi zhvillimin moral në vitet ’50, kur në psikologji mbizotëronte bihejviorizmi dhe kur përfytyrimi popullor i studimit psikologjik karakterizohej nga minjtë në labirinte. Projekti i tij humanist, me orientim kognitiv, tregonte një rrugë të ndryshme të kryerjes së hulumtimeve psikologjike. Porse ideja themelore e Kohlberg-ut kishte një problem. Është legjitime dhe interesante të studiohen mënyrat e ndryshme se si mendojnë njerëzit në mosha të ndryshme – nëse fëmijët mendojnë ndryshe në moshën 5, 10 dhe 15 vjeçare, padyshim që ia vlen të njihet. Po ashtu, është e dobishme të identifikohen mënyrat më të mira të të menduarit. Por këto janë projekte të ndryshme. Njëri nënkupton vrojtimin se si mendojnë në të vërtetë fëmijët; tjetri nënkupton vlerësimin e mënyrave të të menduarit si më të mira ose më të këqija. Çdonjëri nga hulumtimet lidhet me lloje të ndryshme të dhënash, dhe nuk ka arsye të supozojmë paraprakisht se rezultatet do të përputhen. Në kundërshtim me opinionin e njerëzve në moshë më të madhe, mund të dalë a tekefundit, mosha nuk sjell mençuri. Teoria e Kohlberg-ut ka qenë në shënjestër të mendimtareve feministe, të cilat i kanë dhënë kësaj kritike një kthesë të papritur. Më 1982, Carol Gilligan, e cila, ashtu si Kohlberg- u, ishte pedagoge në Harvard’s School of Education, botoi një libër me mjaft ndikim, të titulluar Me një zë të ndryshëm: teoria psikologjike dhe zhvillimi i grave, ku kundërshton kokretisht ato që thotë Kohlberg-u lidhur me Xhekun dhe Emin. Dy fëmijët mendojnë ndryshe, thotë ajo, por mënyra e të menduarit e Emit nuk është inferiore. Kur përballet me Dilemën e Hajncit, Emi u përgjigjet në një mënyrë tipike femërore aspekteve personale të situatës, ndërsa Xheku, duke menduar si një mashkull tipik, sheh vetëm “një konflikt midis jetës dhe pasurisë, i cili mund të zgjidhet nëpërmjet një deduksioni logjik”. Përgjigjja e Xhekut do të gjykohej si “e një niveli më të lartë” vetëm në qoftë se supozohet, siç e supozon Kohlberg-u, që etika e principeve është superiore ndaj etikës që e vë theksin tek intimiteti, te përkujdesja dhe te marrëdhëniet personale. Po përse duhet ta bëjmë një supozim të tillë? Shumica e filozofëve të moralit kanë favorizuar një etikë të principeve, por kjo mund të ketë ndodhur vetëm ngaqë shumica e filozofëve kanë qenë meshkuj. “Mënyra mashkullore e të menduarit” – mbështetja te principet impersonale – i zhduk hollësitë që i japin çdo situate ngjyrimin e saj të veçantë. Emi ka këtë shqetësim: “Në qoftë se [Hajnci] do ta vidhte ilaçin, atëherë mund ta shpëtonte jetën e gruas, por, po të vidhte, mund t’i duhej të vente në burg, e pastaj gruaja mund të sëmurej prapë, ndërsa ai nuk mund ta gjente më ilaçin” Xheku, i cili e redukton situatën në “jeta e njeriut vlen më shumë se paratë”, i shpërfill të gjitha këto. Gilligan vë në dukje se orientimi themelor moral i grave është përkujdesja ndaj të tjerëve – “të kujdesurit” për të tjerët në mënyrë personale, jo thjesht të qenët i shqetësuar për njerëzimin në përgjithësi – dhe vëmendja ndaj nevojave të tyre. Kjo shpjegon pse përgjigja e Emit fillimisht duket e pështjelluar dhe e paqartë. Ndjeshmëria ndaj nevojave të të tjerëve i bën gratë që “t’ua vënë veshin zërave të tjerë përpos të vetit dhe në gjykimet e tyre të përfshijnë edhe këndvështrime të tjera”. Kësisoj, Emi nuk mundet thjesht ta kundërshtojë pikëpamjen e farmacistit; ajo mundet vetëm të këmbëngulë që të flitet më shumë me të dhe të bëhen përpjekje në ndonjë farë mënyre për ta bindur atë. “Dobësia morale e grave”, thotë Gilligan-i, “e shfaqur në një dukje të jashtme shpërhapjeje dhe pështjellimi të gjykimit, është, pra, e pandarë nga forca morale e grave, nga shqetësimi parësor për marrëdhëniet dhe përgjegjësitë.” Edhe mendimtare të tjera feministe i kanë hyrë kësaj teme dhe e kanë zhvilluar si pikëpamje të veçantë lidhur me natyrën e etikës. Më 1990, Virginia Held e ka përmbledhur idenë themelore feministe si më poshtë: “Përkujdesja, empatia, të ndjerit me të tjerët, të qenët e ndjeshme ndaj ndjenjave të njëri-tjetrit,” thotë ajo, “mund të jenë të gjitha udhërrëfyese më të mira për çka kërkon moraliteti në kontekste reale se sa rregullat abstrakte të arsyes, ose përllogaritjet racionale, ose mund të jenë të paktën komponentë të domosdoshme të një moraliteti adekuat.” Para se t’u kthehemi rrjedhimeve të kësaj ideje për etikën dhe teorinë e etikës, duhet të ndalemi për të shqyrtuar se sa “femërore” është kjo realisht. A është e vërtetë se gratë mendojnë ndryshe nga burrat për etikën? Dhe, nëse është e vërtetë, çfarë e shpjegon këtë dallim?

    Si mund ta shpjegohet një dallim i tillë ndërmjet sekseve?

    Duket se ekzistojnë dy mundësi. Njëra është se gratë mendojnë ndryshe për shkak të rolit shoqëror që u është caktuar. Tradicionalisht, gratë kanë qenë përgjegjëse për mirëmbajtjen e shtëpisë dhe rritjen e fëmijëve; edhe pse kjo nuk është gjë tjetër veçse një nëpërkëmbje seksiste, mbetet fakti që gratë e kanë pasur këtë rol. Mund të kuptohet mjaft lehtë se, po të të caktojnë të tilla detyra dhe po ta kuptosh këtë si “vendin që të takon”, mund të priresh drejt përvetësimit të vlerave që përkojnë me të. Kësisoj, etika e përkujdesjes mund të jetë thjesht pjesë e kushtëzimit psikologjik që vajzat e marrin në mënyrë rutinore. (Kjo teori mund të testohet duke shqyrtuar vajza që janë rritur në shtëpi jo tradicionale: A do të ishin ato gjithsesi të përkujdesshme nga natyra? Po djemtë që janë rritur në mënyrë jo standarde? Mundësia e dytë është se ekziston një lidhje thelbësore ndërmjet të qenit femër dhe përvetësimit të një etike të përkujdesjes. Si mund të jetë kjo lidhje? Duke qenë se ndryshimi i qartë natyror ndërmjet sekseve është se gratë janë ato që lindin fëmijë, mund të hamendësojmë se natyra e grave si nëna i bën ato, në ndonjë farë mënyre, të përkujdesshme nga natyra. Edhe vajza si Ejmi, e cila në moshën 11 vjeçare nuk e ka provuar të qenit nënë, mund të jenë të pajisura me veti natyrore për këtë detyrë, psikologjikisht sikurse edhe fizikisht. “Luftën për mbijetesë” sipas Darëin-it mund ta përfytyrojmë si konkurrencë për të riprodhuar sa më shumë kopje të geneve tona te brezi pasardhës. Çdo tipar që ndihmon për ta arritur këtë do të ruhet në brezat e ardhshëm, ndërsa tiparet që krijojnë dizavantazh në këtë konkurrencë do të shkojnë drejt zhdukjes.