A e toleron Strasburgu mungesën e shtetit ligjor dhe korrupsionin në drejtësi?

    452
    Sigal

    Kalvari i pronarëve në dyert e gjyqeve dhe institucioneve shtetërore për të drejtën e sanksionuar me ligj ndërkombëtar

    Lidhur me standardet e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat Komisioneri Stefan Fyle deklaroi se nuk ka kushte shtesë. Kjo duhet lexuar me shumë vëmendje, pasi nga autoritetet e tjera u deklarua se në Qershor 2014 dhënia e statusit nuk është automatike, por duhet luftuar korrupsioni dhe krimi i organizuar. Populli e dëshiron perspektivën Europiane të Shqipërisë, por analistët dhe të huajt që duan ta ndihmojnë Shqipërinë nuk po dallojmë dëshirat dhe interesat e  popullit, që prej vitit 1991 kanë qenë dhe mbeten pozitive nga  veprimet e politikanëve mëkatarë që 1991-2013. Përgjegjëse për mosmarrjen e statusit është klasa politike dhe burim për korrupsionin e pushtetarëve dhe të sistemit të drejtësisë ka qenë dhe mbetet prona e trashëguar, që akoma nuk është kthyer tek pronari.

    Nuk kam qenë dakord me analistët që pretendojnë se, statusi nuk u dha, sepse BE indirekt bën politikën e SHBA-ve dhe problemi u pengua se qeveria nuk pranoi armët kimike të Sirisë; apo versionin tjetër se pengesë është feja myslimane; apo me pretendimet e shprehura në diskutimet e Konferencës së Shoqatës së Gjeodetëve të Shqipërisë, më 23.11.2013, se në popull pretendohet se anarkia e pronës dhe prona në Shqipëri nuk kthehet, sepse kështu i intereson Europës. Shkak kryesor i mosrespektimit të së drejtës së shtetasve lidhur me të drejtën për të gëzuar pronën e tyre të trashëguar, mosfunksionimi i shtetit ligjor, mosndëshkimi i korrupsionit dhe i krimit të organizuar janë në radhë të parë drejtuesit e politikës shqiptare. Gazeta “Telegraf” ka qenë dhe mbetet shtyp i lirë, i mendimit të lirë dhe kjo gazetë, edhe kur në pushtet ka qenë e djathta, apo e majta, vazhdimisht, ka botuar shkrime, pavarësisht se ato kritikojnë maxhorancën. Shqipëria nuk do të mund të marrë statusin edhe për herë të pestë, nëse nuk zbatohen vendimet gjyqësore të GJEDNJ (Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut). Qytetarët pas shembjes së pallatit shumëkatësh në Vlorë mund të pyesin: Kush do t’i paguajë shpenzimet për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën turistike, kush do të paguajë penalitetet që mund të vijnë nga Strasburgu? Taksapaguesit shqiptarë, apo pushtetarët që kanë sjellë këtë situatë absurde, sepse kanë zbatuar keq apo nuk i kanë zbatuar ligjet në fuqi?

     Rasti konkret i Gëzim Boçarit

    Për t’i dhënë përgjigje shqetësimit ose pyetjes se si funksionon sistemi i drejtësisë në Shqipëri dhe ku është niveli i shtetit ligjor, ne kemi analizuar dokumentet e bëra publike në sitin e Departamentit që ndjek Ekzekutimin e Vendimeve të GJEDNJ pranë Këshillit të Europës dhe e sjellim atë para jush si shembull të keq të arbitraritetit të shtetit shqiptar me shtetasit e vet. Rasti që i jemi referuar është komunikimi i Ministrisë së Drejtësisë me Sekretariatin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës. Ky është Dokumenti prej 11 faqesh DH-DD(2013)443, datë: 24/04/2013 “Komunikimi nga autoritetet shqiptare për rastin Gjonboçari dhe të tjerë kundër Shqipërisë (rasti 10508/02). Në pikën 26, faqe 9 e raportit, Autoriteti Shqiptar raporton që:

    “Pretendimet e ankuesit për këmbënguljen e autoriteteve shqiptare se vendimi i Gjykatës Lartë Nr. 502/2003 është ekzekutuar janë të pavërteta. Ne për këtë pretendim, japin të njëjtën përgjigje që atij i është dhënë nga autoritetet shqiptare në vitin 2010, se vendimi i Gjykatës së Lartë ka qenë i ekzekutuar. Arsyetimi i detajuar se pse pala shqiptare insiston në faktin se vendimi i Gjykatës së Lartë ka qenë tashmë ekzekutuar, është përshkruar në paragrafët Nr.8-19 të raportit të lartpërmendur. Aplikuesi duke shkruar letra të shpeshta ka keqpërdorur faktet dhe përpiqet për të manipuluar Komitetin e Ministrave duke pretenduar se vendimi nuk është ekzekutuar”. Në pikën 28, në faqen 10 të raportit të Shtetit aplikantët ankohen që Ministria e Drejtësisë e vlerëson të plotësuar ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, ndërsa Zyra e Përmbarimit tregon të kundërtën.

    Në pikën 29 të raportimit të shtetit thuhet se: “Në lidhje me pretendimet e kërkuesit në letrën e tij të datës 16.07.2011, ne konsiderojmë se ata janë vazhdimisht të parëndësishme, për aq kohë sa kërkuesi u përpoq të bindë Komitetin duke ekspozuar dokumentet mbi të cilat ai mbështet pretendimet e tij mbi të drejtën e pronësisë. Ne do të donim të kujtojmë Komitetin se vlerësimi dhe shqyrtimi i dokumenteve teknike që vërtetojnë origjinën e pronës së kërkuar, bie nën juridiksionin e organeve të brendshme administrative të ngarkuara për këtë qëllim, ose nën juridiksionin e gjykatave vendase. Gjykata Europiane nuk ka juridiksion mbi themelin e çështjes. Vlefshmëria e dokumenteve është një çështje e cila bie nën domenin e mekanizmave të brendshme. Prandaj , ne e konsiderojmë këtë përpjekje të bërë nga aplikanti si të parëndësishme dhe të pabazuar në ligj”.

    Në përfundim, në pikën 30 në faqen 11  të relacionit përfaqësuesi i Shtetit thotë:

    “Edhe një herë, në përfundim të asaj që ka pretenduar aplikuesi Gëzim Boçari, në letrën e tij, datë 20/11/2012, ne konsiderojmë se ai është duke u përpjekur për të spekuluar me gjetjet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut për rastin “Gjonbocari kundër Shqipërisë”, i cili ka deklaruar vetëm shkelje të Nenit 6 në lidhje me Nenin 13 të Konventës, ndërkohë që aplikanti në pretendimet e tij përpara: të Gjykatës Europiane, në letrat e tij përpara autoriteteve kombëtare, dhe në letrat e tij për raportuesit e mediave, ka spekuluar duke pretenduar kthimin ose kompensimin në natyrë të pronës. Ne do të donim të theksojmë dhe të nxjerrim në pah faktin se, ky pretendim i kërkuesit, i cili kërkon kthimin e pronës shkon përtej lëndës së Vendimit të Gjykatës Lartë No.502/2003. Prandaj të gjitha pretendimet e kërkuesit duhet të konsiderohen si të papajtueshëm me vendimin e Gjykatës Evropiane”.

    Në dokumentin vijues prej 34 faqesh, i publikuar në sitin e Sekretariatit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës DH-DD(2013)444, datë 24/04/2013, pasqyrohen dhe ankesat e përsëritura të aplikantit. Prej tyre citojmë ankesën e datës 16 Mars 2011, drejtuar Kryeminstrit të Republikës së Shqipërisë z. Sali Berisha, Avokaturës së Shtetit, Av. të  Përgjithshëm Znj. Ledina Mandia dhe Strasburgut. Kjo është ankesa e gjashtë e aplikantit ku ai informon autoritetet për:

     

    1. 1.  Mosekzekutimin nga Institucionet e Republikës së Shqipërisë të Vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut No. 10508/02 Gjonboçari etj., i dt. 23 Tetor 2007.
    2. 2.  Raportimin e gënjeshtërt mbi ekzekutimin e sipërpërmendur nga institucionet përgjegjëse të Shtetit Shqiptar pranë Këshillit të Europës.
    3. 3.  Reflektim negativ dhe mohues të institucionit të Kryeministrit, Avokatit të Shtetit dhe Agjencisë së Kthimit të Pronave për të mos ekzekutuar vendimin e Strasburgut (mbi 10 ankime).
    4. 4.  Për moskryerjen e asnjë veprimi konkret ndaj më shumë se dhjetë ankimeve,  drejtuar Pushtetit Lokal, Prefektit, Kryetarit të Bashkisë Vlorë dhe Policisë Ndërtimore për të zbatuar ligjin në fuqi dhe për të ndaluar prerjet e ullinjve, hapjen e shesheve të ndërtimit dhe kryerjen e ndërtimeve pa leje nga persona të tretë. Gjithashtu, për 11 ankime penale në Prokurorinë e Vlorës për veprat penale të shpërdorimit detyrës, vjedhjes në bashkëpunim mbi pronën, ndaj të cilave Organi i Prokurorisë në mënyrë arbitrare, ka marrë vendime pushimi.
    5. 5.  Kërkesën për të përcaktuar një veprim konkret dhe afat kohor për zgjidhje të drejtave pronësore dhe ligjore, te përcaktuara qartë në Vendimin e Komisionit të Pronave Vlorë në 1996, të sanksionuara nga Vendimi i Gjykatës së Lartë nr 502 dt 6.3.2003 dhe nga vendimi i Strasburgut në 23 tetor 2007.

    Në këtë dokument në faqen 30/34, KE publikon ankesën e shtatë të datës 15 07.2011, ku prej aplikantit ripërsëriten pretendimet e tij, si më lart.

    Në po këtë dokument, në faqen 31/34 pasqyrohet një kërkesë e përsëritur e Avokatit të Popullit, datë 9.05.2012,  drejtuar Ministrit të Drejtësisë, zotit Eduard Halimi. Avokati i Popullit përsërit kërkesën për ndërhyrje institucionale të rekomandimit të dhënë datë 14.11.2011, drejtuar Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Tiranë, lidhur me ekzekutimin e Vendimit të Gjykatës së Strasburgut në favor të familjes Boçari. Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, znj. Ledina Mandia dhe vetë Ministri i kohës, duke mos vlerësuar letërkëmbimet e mëparshme të Ministrisë së Drejtësisë, duke neglizhuar kërkesat e avokatit të Shtetit dhe ankesat e aplikantit ose për t’i treguar atij se duhet të pranojë të përkulet para autoriteteve, kanë bërë një bllok të plotë për ligjin.

    Drejtuesit e AKKP-së me shkresën nr 646/1 prot. datë 04.04.2012 në përgjigjen që i kthen Ministrisë së Drejtësisë, në lidhje me çështjen Gjonbocari ku shkruan “ … Agjencia nuk mund të shprehet me vendim në lidhje me ankimet e paraqitura deri në miratimin e shtytjes së afatit ligjor të ligjit në fjalë (ligjit 9235)”. Përsëri në lidhje me çështjen GjonBoçari, Kryetari i Agjencisë së Pronave me shkresën nr 1739/1 prot. datë 27.6 2012 i përgjigjet  Ministrisë së Drejtësisë dhe thotë se: “Agjencia …. së shpejti do të shprehet me vendim në lidhje me ankimet e paraqitura”.

    Kryetari i Agjencisë në atë kohë ka raportuar se vendimi i GJDNJ është i ekzekutuar me marrjen e vendimeve. Me dt. 18.06.2010, është bërë kallëzim penal kundra drejtuesit të AKKP në bazë të nenit 248, 320 të Kodit Penal, për pengim dhe mbajtjen të bllokuar të ekzekutimit të vendimit të Gj. Lartë dhe të vendimit të GJEDNJ. (kallëzimi me protokoll nr 3887). Më 20.07.2010 Prokuroria ka vendosur mbylljen e hetimeve dhe të procedimit penal. Pas këtij veprimi, bashkëpronarja M.B konform ligjit, brenda 5 ditëve ka bërë ankim në Gjykatën e Tiranës. Kjo padi, prej Marsit 2012 gjendet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, por pa marrë fund ky proces gjyqësor, në Shtator 2012 drejtori, personi i paditur, megjithëse i akuzuar për vepër penale është zgjedhur nën kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. E gjithë kjo veprimtari është shkelje e çdo ligji të brendshëm dhe maskon një megakorrupsin me këtë pronë me vlera turistike që vlen të analizohet si rast përgjithësues i keqfunksionimit të drejtësisë dhe shtetit 1991-2013.

    Boçari: Shteti shqiptar gënjen Europën. Vendimi i Strasburgut nuk është ekzekutuar

     I pyetur nga “Telegraf” se nëse është e drejtë që pronarët të ankohen për mosekzekutim të vendimit të GjEDNJ,  z. Gëzim Boçari, që na vuri në dispozicion, me të drejtë kthimi, disa dosje me dokumentacionin që i kërkuam,  u përgjigj :- Po ju përgjigjem pak gjatë. Prej vitit 1997 na shkoi jeta nëpër zyra dhe nëpër gjyqe për pronën, megjithëse prona duhet të na ishte kthyer 20 vjet më parë, pasi dokumentet i kemi të plota dhe të padiskutueshme dhe që të gjitha ligjet në fuqi na e kthejnë pronën, por sistemi i drejtësisë nuk funksionon, Jonufra është rasti, ku antiligji ose “Maliqi”  ka 20 vjet që nuk pyet fare për ligjin shton Gëzim Boçari. Strasburgu e gjobiti Shtetin për mos ekzekutim të vendimit, por më janë dashur që nga viti 2008 të bëj gjyqe pas gjyqesh për të vërtetuar  se vendimi i Strasburgut vazhdon të mbahet i pa ekzekutuar. Po ashtu, shton ai prej 3 vjetësh jemi në Gjykatën e Shkallës së parë Vlorë ky janë zhvilluar disa dhjetëra seanca gjyqësore. Si palë e paditur janë dy subjekte që quhen pronarë dhe janë regjistruar pronarë në Jonufër me dokumente që Kontrolli i Brendshëm i Prefekturës, Antikorrupsioni i Kryeministrisë dhe Prokuroria e Vlorës, me kohë i kanë evidentuar si dokumente pa bazë ligjore. Të gjitha këto, trupi gjykues me akrobaci i ka anashkaluar. Së fundi një nga gjyqtarët u transferua në Gjykatën Administrative dhe na u desh të fillonim nga e para. Të presim kur trupi i ri gjyqësor do të marrë vendimin. Jam i sigurt se prona do të kthehet plotësisht së bashku me zhdëmtimin dhe shton se këtë e pret prej vendimit të Gjykatës së Strasburgut. Gazeta nuk e kthen pronën, por ju falënderoj se duke sensibilizuar për rastin tim ndihmoni luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe qindra  pronarë të tjerë që janë në të njëjtat kushte. Prandaj, kësaj pyetje lidhur me Strasburgun është më mirë që  ti përgjigjet dhe ti japë drejtim Prokurori i Përgjithshëm dhe Shteti Shqiptar, pa përjashtuar dhe ata që lanë postin. Kështu, ju të medias dhe konkretisht Gazeta “Telegraf”, kontribuoni  t’i vihet kufi korrupsionit. Këtë sensibilizim për zbatimin e disiplinës së ligjit, shton ai, ja kam kërkuar dhe ambasadorit të BE-së, zotit Ettore Sequi, pasi me pronarët dhe anarkinë e titujve të pronësisë, ambasadori me heshtjen dhe veprimet “as mish e as peshk” ka pjesën e tij të “mëkatit”. Gjithsesi, personalisht e kam te patundur besimin se prona do të shkojë tek i zoti, demokracia dhe drejtësia do të triumfojë.

    Paradoksi

    Gjithashtu, aplikanti i ka kërkuar Europës për të verifikuar në vend këtë rast flagrant, kur shteti raporton se vendimi është ekzekutuar, kur në fakt vendimi nuk është ekzekutuar. Sot prona për të cilën është zhvilluar procesi gjyqësor shkruan ankuesi, nuk është regjistruar në emrin tim, por vazhdon të jetë e regjistruar në emër të personave të tretë dhe të shfrytëzohet prej tyre. Kjo mund të verifikohet shumë lehtë dhe kështu del qartë se cila palë po gënjen. Mungesa e përgjigjes dëmton në shumë drejtime pasi favorizon shkeljen e ligjit, mohon kthimin e pronës së trashëguar, krijon hapësirë kohe që prona të grabitet nga mafia e trojeve turistike dhe pushtetarët e korruptuar, situatë që na shtyn drejt vetëgjyqësisë, që nuk e dëshirojmë.

    Florian Nuri: Shteti shqiptar rrezikon të penalizohet

    Po aty, në faqen 33/34 pasqyrohet shkresa e datës 22.10.2009 me të cilën Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë Drejtësisë, z. Florian Nuri, i drejton Agjencisë së Pronave dhe i kujton se është e domosdoshme që ky institucion duhet të veprojë me urgjencë për zbatimin e këtij vendimi, sepse në prill 2009 Avokati i Shtetit ka raportuar në Strasburg se çështja është në shqyrtim, duke bërë të qartë se nuk mund të raportohet sërish e njëjta gjë, pasi në të kundër Shteti Shqiptar rrezikon të penalizohet ….. Dhe penalizimi ndodhi në 2013 me kthimin për herë të katërt të statusit.