Farmacistët nën presion, nga drejtues të korruptuar të drejtorive rajonale të ISKSH-së

555
Sigal

Urdhri i Farmacistëve nuk firmos procesverbalin e negocimit me ISKSH-në

Në kuadër të negocimit të kontratës F2014 grupi negociator i UFSH-së i ka paraqitur ISKSH-së kërkesat dhe sugjerimet e tyre. Sipas Urdhrit të Farmacistëve ISKSH ka krijuar kushte të pabarazisë ndërmjet farmacive që kanë kontratë me ato që nuk kanë kontratë duke i penalizuar këto të fundit. “Raportime në masë i farmacistëve për punonjës dhe drejtues të korruptuar të DRSKSH-ve, të cilët e kanë përdorur këtë pikë për t’u kërkuar shuma të konsiderueshme në këmbim të mos zgjidhjes së kontratës”, thuhet në njoftimin e Urdhrit të Farmacistëve. Në përfundim të negociatave “u arritën të përfshihen disa nga kërkesat dhe sugjerimet tona, por nuk u arrit konsensus për disa të tjera dhe për këtë arsye grupi negociator i UFSH-së nuk e firmosi procesverbalin e negocimit”.

Kërkesat e UFSH-së
1)Vlera e inventarit të nxirret në farmaci.
2) Farmacia të mos jetë e detyruar të ketë si gjendje 60 % të
alternativave të para të barit.
Në rastet kur alternativë e parë e barit në listë mungon për një kohë të gjatë (p.sh. mbi 3 muaj), ISKSH duhet të marrë masat për zëvendësimin e barit me barin tjetër të radhës në listë, si dhe duhet të bëjë të mundur informimin e të gjithë mjekëve dhe farmacistëve të kontraktuar prej saj.
3)Kontrollet duhet të bëhen njëkohësisht edhe te mjeku, jo vetëm te farmacisti. Si dhe të vendosen penalitete deri në zgjidhjen e kontratës për farmacitë që bashkëpunojnë në mënyrë abuzive me mjekët.
4) Të zgjatet koha e kalimit të recetave.
5) Të rishikohet koha e lidhjes së kontratës dhe të bëhet e mundur lidhja e kontratës në momentin e hyrjes në fuqi të listës së re të rimbursimit, duke e lehtësuar farmacinë nga barra e 2 inventarëve për një afat kohor mjaft të shkurtër.
6) Të mos kërkohet sa herë lidhet kontrata vërtetim për numrin e llogarisë bankare, n.q.s ai është i pandryshueshëm, pasi e ngarkon farmacistin me një vlerë monetare prej 900 lekësh. Çdo farmacist e deklaron vetë këtë llogari bankare dhe mban vetë përgjegjësi për çdo veprim për të.
7) Të studiohet dhe të arsyetohet mundësia e shkurtimit të pikave për të cilat farmacisti është përgjegjës në recetën e rimbursimit, pasi këto janë pjesë e mjekut dhe s’ka përse të penalizohet farmacisti.
8) Sasia e barnave në mjekim mbajtës duhet të respektojë dhe
ambalazhet (x28 tab) dhe dhënia e recetës të sistemohet nga mjeku i familjes.
9) Grupi i kontrollit duhet të ketë patjetër një farmacist në përbërjen e tij. Grupi i kontrollit të marrë parasysh vetëdeklarimin e farmacistit.
10) Të zgjatet koha e regjistrimit të faturave.
11) Farmacia të mos kontrollohet për periudha të mëparshme jashtë afatit të kontratës.
12) Të hiqen penalitetet që kanë të bëjnë me detyrimet specifike të farmacisë. Të mos ketë penalizime për vlerat në minus pasi:
-Ekzekutimi i recetave pa rimbursim nuk është objekt i kontratës.
-ISKSH nuk mund të kontrollojë dhe aq më shumë të penalizojë farmacitë në lidhje me vlerat financiare (receta pa rimbursim), të cilat nuk kanë dalë nga fondi i saj.
-Nuk është në kompetencën e ISKSH-së të kontrollojë dhe penalizojë farmacistët për tregtimin e barnave pa rimbursim.
Mjekët nuk pajisen me recetat tip, mjekët i përshkruajnë barnat në copa letrash, të cilat mund të mos merren parasysh nga inspektorët e kontrollit, mjekët u kërkojnë pacientëve që mos t’i lënë recetat në farmaci.

Nuk ulet çmimi i ilaçeve. Jaupllari: Të hiqet TVSH-ja e ilaçeve pa rimbursim!

Kush ka blerë ilaçe ditët e para të këtij viti, nuk i ka gjetur ato me çmim të ulur. Edhe pse ishte premtuar se do të niste në janar heqja e TVSH-së 10% për medikamentet, ajo u parashikua në paketën fiskale të nisë nga data 1 prill. Drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë e argumentojnë këtë shtyrje me hyrjen në fuqi të listës së barnave të rimbursueshme, tre muaj më pas. Por vetë farmacistët pohojnë se i kanë bërë tashmë furnizimet me çmim që përfshin TVSH-në dhe nuk mund t’i shesin më lirë ilaçet në prill. Ish-presidenti i Urdhrit të Farmacistëve, Arjan Jaupllari, propozon që heqja e TVSH-së të nisë që këtë muaj për ilaçet jashtë listës dhe në prill për ato me rimbursim. Heqja e TVSH-së për ilaçet pritet të ulë me 10% çmimin e tyre.