510 mijë euro mbajnë peng dëftesat e shkollave

    386
    Ministria e Arsimit, ky institucion qendror orientues i dijes, i cili fatkeqësisht ka në krye një ish-mësuese që nuk bën dot as “planin ditor”, prej 20 muajsh përjeton krizën e drejtimit, duke mbetur një ndërtesë zyrash luksi, të mbushura me nëpunës e profesionistë, të cilët prej hallit të pagës, po zbatojnë verbërisht skemat dhe urdhrat e ministres Lindita Nikolla. Në zbatim të urdhrave të saj, drejtuesit detyrohen të firmosin edhe skandale ekonomike, financiare, profesionale, ligjore, administrative e shkencore. 
    Gazeta “Telegraf”, po publikon sot skandalin e radhës që ka lidhje me dëftesat shkollore të arsimit para-universitar, për shkollat 9 vjeçare e ato të mesme. Përfundimi i këtij viti shkollor për nxënësit e klasave të 9-ta e të 12-ta, do të figuroj në regjistrat e shkollave, por nuk do të jetë në duart e nxënësve, mbasi dëftesat do të prodhohen me vonesë për “shkaqe teknike”, siç ka ndodhur edhe në vitet e mëparshme. Shkaku real është një pazar që ka organizuar ministrja e Arsimit Lindita Nikolla me një firmë private klienteliste për prodhimin e dëftesave. Ky dokument që konfirmon zyrtarisht përfundimin e ciklit 9 vjeçar e të mesëm shkollor, nuk është dërguar ende në shkolla, ndërkohë që sipas rregullores së shkollave, duhet të ishte në muajin shtator në drejtoritë arsimore rajonale, në muajin tetor në drejtoritë arsimore të rretheve dhe në muajin dhjetor në drejtoritë e shkollave. Por dëftesat nuk janë prodhuar akoma. Ministria e Arsimit nuk jep asnjë shpjegim. Kërkesës së gazetës “Telegraf” në ministri, për informacion në lidhje me shkaqet e këtij skandali me dëftesat shkollore para-universitare, disa këshilltarë mediokër, që luajnë gjithë ditën shah në kompjuter, iu përgjigjën me “citatin” e dalë boje: “Nëse doni informacion, bëni kërkesë me shkrim, pas 40 ditësh, merrni përgjigje”! E kujt i vlen kjo përgjigje pas 40 ditësh, kur shkolla përfundon pas 20 ditësh! E kujt i vlen kjo përgjigje pas 40 ditësh, kur pas 40 ditësh, ata që kanë përfunduar arsimin e mesëm, duhet të paraqiten me dëftesa për konkurrim për arsimin e lartë! 
    E po kështu nxwnësit e shkollave 9 vjeçare që u duhet të konkurrojnë në shkollat profesionale! Por ata nuk mund të konkurrojnë dot, mbasi i bllokon pazari i bërë nga ministrja Nikolla, e cila ka bllokuar prodhimin e dëftesave, për shkak se është duke “kopsitur letrat”, për t’ia dhënë tenderin e dëftesave të shkollave 9 vjeçare e të mesme, klientit të përzgjedhur prej saj! Nuk e dimë se çfarë pazari tjetër fshihet pas këtij bllokimi të dëftesave, por dimë faktin që kjo vonesë pajisjes së nxënësve me dëftesa ka ndodhur edhe vitin e kaluar, duke ndarë dëftesat 1-2 muaj pas fillimit të vitit të ri shkollor. Kujtojmë, që vlera e prodhimit të dëftesave shkollore për vitin mësimor 2014-2015 është 510 mijë euro. Kujtojmë gjithashtu, që ky skandal ka si tregues faktin, që prodhimi i dëftesave nuk bëhet me prokurim të hapur, as me publikim në Buletinin e Prokurimeve Publike të APP, por me urdhër direkt të ministres, duke caktuar shtypshkronjën që dëshiron ministrja Nikolla.
    Sigal