Haberet e Mitros

1119
Sigal

O xhajë! E ka hak një dajak !

Më shumë për të vrarë kohën, çdo ditë bëj nga një xhiro brigjeve të Liqenit Artificial. Dje në rreth orës 17:00 e mbarova detyrën. Poshtë pallatit, dy djem po mundoheshin të riparonin një motor. Ndalova hapin. Vështrova djemtë. Duke punuar me duar, nuk po u ecte. Me shumë takt u them:
-Unë banoj në këtë pallat. Tu sjell një pincë dhe ndonjë çelës?
Djemtë as denjuan të ngrenë kokën. Unë vazhdova avazin:
-Mos ma merrni për keq! Mbase nuk më dëgjuat! Banoj në këtë pallat. Kam vegla pune. Mund tua sjell? Nuk rregullohet motori me gishta!
-Xhaxho! Do na lësh rehat!
-Unë nuk përtoj…
-Ik or xhaj! Le gomari që na ngordhi, por edhe mizat nuk na lënë rehat!
U largova me bisht në shalë. Një nga djemtë foli:
-E njeh këtë tipin?
– Diku e kam parë! Më duket se ka qenë deputet demokrat?!
-Këlyshi i Berishës, thua! Tani që ranë nga fiku, kërkon ta ketë mirë me popullin, që nesër të bëhet përsëri Baba Kombi! E kishte hak një dajak të mirë! Pak se e rropën popullin, por do të hiqet edhe xhentëlmen!?

*************************************

HABERET E MITROS
I MARROSUR PËR BISNES!
Një natë, si në përrallat e Arabisë, dëgjova ministrin e Ekonomisë, zotninë Arben Ahmetaj. Foli si ekspert, sepse shkollën e lartë që e ka për gjuhë të huaja dhe masterin për ekonomi. Bilbil! Tha. Ekonomia doli nga kriza ku e kishte futur Berisha. Vazhdoi. Jemi nga vendet e para në botë, për lirinë për të bërë biznes!
Nuk më zuri gjumi nga gazi atë natë. Ëndërroja me sy hapur: Pse të mos merrem edhe unë me biznes? Nën një çati bëhemi tre ekonomistë. Unë-një. Zonja-dy. Djali-tre. Bile, djali, qëndron një shkallë më lart: Ka marrë doktoraturën në Hiroshima të Japonisë ….
…I armatosur me besim dhe kurajë mora rrugën për tek “Rajfazen Bank”. Më e madhja në Shqipëri. “Nëna” në Vjenë. “Bijat” në shumë shtete të Europës… Ju afrova sportelit. Një vajzë bionde më vështronte në dritë të syrit?…Njihemi,- i thashë,- ndërsa mishi më ishte bërë koqe-koqe!…Ne i duam klientët,-buzëqeshi biondina duke nxjerrë jashtë një palë dhëmbë si rruazë!..
-Më duhen 300 mijë euro kredi…Dua të hap edhe unë një biznes…
-Kush të këshilloi të vish tek banka jonë,- më tha biondina, që tashmë e kishte tretur buzëqeshjen…
-Arben Ahmetaj, ministri i Ekonomisë,- ju përgjigja duke nxjerrë gjoksin përpara…
Vajza doli nga sporteli. U fut në një zyrë. Doli andej me dy bodigardë të qethur ballaboks. Me shumë respekt, bodigardët më futën krahun. Njeri majtas. Tjetri djathtas. Unë në mes. Mu kujtua nga Fakulteti i Ekonomisë, teorema e dy policëve: “Nëse dy policë, të kanë futur në mes dhe ata shkojnë në Rajonin e Policisë dhe t’i do futesh në polici.”
Ndërkohë, u dëgjua sirena e një autoambulance… Kishin njoftuar spitalin psikiatrik. Biondina kishte menduar se isha me dërrasa mangët… Shyqyr o zot, që në spital punon vëllai im i vogël. Është radiolog. Ai u bë garant, që nuk kisha rrjedhur nga fiqiri! Shkarjen ime, sipas doktorit, kishte ardhur nga haberi I ministrit të Ekonomisë ?!