Elsa (Skënderi) Rakipllari: Nuk ka një standard kryekëput të ri të gjuhës shqipe

1575
Në një kohë tallazesh të mëdha për gjuhën shqipe dhe mësimdhënien e saj, Gazeta Telegraf ka biseduar me gjuhëtaren e re, Elsa Skënderi Rakipllari, pedagoge në Departamentin e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Tiranës. Kjo intervistë do të sillet nga çështjet e gjuhësisë në ato të akademizmit në Shqipëri; nga fushat e kërkimit shkencor në këtë lëmi në këshillat për ata që duan të përveshin mëngët e t’i futen me themel kësaj “sfide”.
Profil
Elsa Skënderi-Rakipllari është diplomuar me rezultate të shkëlqyera në degën Gjuhë-Letërsi. Studimet pasuniversitare i ka kryer për “Gjuhësi të Përgjithshme”, në Universitetin e Bergenit, në Norvegji. Aktualisht është pedagoge pranë Departamentit të Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, në Universitetin e Tiranës. Fushat e saj të studimit përfshijnë Filozofinë e Gjuhës, Gjuhësinë teorike, Analizën Kritike të Diskursit etj. Zj. Skënderi-Rakipllari është autore e monografisë “We, the Balkanians: A Critical Analysis of the Political Discourse”
-Profesorëshë Elsa, dëshiroj t’ju falënderoj për kohën që po i kushtoni kësaj interviste. Është kënaqësi për mua.
-Dëshiroj ta nis intervistën duke ju pyetur për një çështje aktuale që, shkakton gjithmonë debate. E kam fjalën për rishikimin e standardit të gjuhës shqipe. Si mendoni ju, a është në interes të kombit kjo kërkesë e grupeve të caktuara gjuhëtarësh dhe a është një nismë e nxituar? 
Sot në të vërtetë flitet shumëçka rreth standardit duke nisur që nga nevoja për të riparë disa nga rregullat e tij e deri te argumentet se standardi duhet ribërë, a më saktë duhet zhbërë. Historia e gjuhësisë na tregon se herë pas here gjuhëtarët janë përballur me “akuzat” se puna e tyre nuk është mjaftueshëm shkencore, pasi gjuhëtari si çdo folës tjetër e ka gjuhën pjesë të pandashme të qenies së tij, ndaj nuk mund t’i qaset asaj në mënyrë objektive. Përtej faktit që shkenca e gjuhësisë ka metodën dhe objektin e saj, aty-këtu ndodh që edhe gjuhëtarët të jenë emocionalë kur flasin për gjuhën. Ata që mbajnë qëndrime të skajshme për një standard kryekëput të ri, janë pjesë e njerëzve emocionalë. Një gjykim i ftohtë të bën të kuptosh se rishikimi i standardit është më se i nevojshëm dhe aspak i nxituar, pasi gjuha e folësve ka evoluar. Nismat për rishikim të standardit të një gjuhe pas periudhash 30-40-vjeçare, nuk janë vetëm shpikje e shqiptarëve, por praktika të njohura në shumë vende si p.sh. në Francë, Kanada, Norvegji etj.
Një problematikë e hasur ditëve tona janë fjalët e huaja të përdorura vend e pavend, nga parlamenti në institucione, në shkolla e deri në media. Mos vallë situata ka dalë jashtë kontrolli dhe ç’duhet bërë për ta ndryshuar?
Çdo gjuhë përballet me rrezikun e “kontaminimit” nga fjalët e huaja. Sot e gjithë ditën, nën ndikimin e globalizmit, rrjeteve sociale e ritmit të shpejtë të jetës, folësit janë më të ekspozuar ndaj fjalëve të huaja. Çështja e përdorimit të tyre në vend të fjalëve shqip lidhet me pragmatizmin e folësve. Thënë thjesht nëse për arsye nga më të ndryshmet (qofshin këto gjuhësore apo jashtëgjuhësore), folësve u vjen më për mbarë të thonë fjalën e huaj, ata do ta përdorin atë edhe nëse e dinë se në vend të saj mund të përdorin një fjalë shqip. Huazimet nuk duhen parë si kërcënim serioz për një gjuhë, qoftë edhe nëse ato përdoren deri edhe në Kuvend. Kërcënimi më serioz është njohja e cunguar e rregullave dhe drejtshkrimit të shqipes. Tre sektorët më problematikë në këtë drejtim janë shkolla, administrata dhe media. Së pari duhen bërë studime për të parë gjendjen e ngulitjes së standardit në terren dhe së dyti duhet rritur ndërgjegjësimi për rëndësinë e përdorimit të saktë të gjuhës shqipe në të folur e në të shkruar. Departamenti i Gjuhës Shqipe, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, ka përgatitur një projekt tepër dinjitoz për shkallën e zotërimit të shqipes, por është ende në pritje të burimeve të financimit për ta realizuar këtë projekt. Flasim pak për akademizmin në Shqipëri.
Dëgjojmë rëndom që në radhët e pedagogëve ka rënë përgjegjshmëria ndaj mësimdhënies, a është e vërtetë dhe si mund të eliminohet?
Ky konstatim nuk besoj se është i drejtë. Profesioni i pedagogut nuk është ndër më të paguarit, madje është i keqpaguar krahasuar me vendet fqinje. Ata që i hyjnë botës akademike dhe zgjedhin të mbajnë frymën me këtë profesion, zakonisht janë njerëz që e kanë pasion mësimdhënien. Në universitet ka shumë e shumë profesorë pasionantë që i jepen auditorit me gjithë shpirt dhe këta vetëm të papërgjegjshëm ndaj mësimdhënies s’mund të jenë.
Mitmarrja, një fenomen tepër negativ, cilat janë shkaqet e këtij fenomeni në radhët e pedagogëve dhe si mund të frenohet?
Mitmarrja nuk ka asnjë lidhje me akademizmin dhe profesorati nuk mund të njolloset prej disa rasteve sporadike. Mund të ketë përjashtime, por këto përjashtime nuk bëjnë asgjë tjetër veçse përforcojnë rregullin. Përvoja ime si studente, por edhe si lektore më ka bërë të kuptoj se universiteti dita-ditës po shërohet nga kjo dukuri.
Ju jeni e specializuar në Linguistikë të Përgjithshme. A ka diçka në gjuhësi të përgjithshme që ju intrigon dhe për të cilën dëshironi të shkruani?
Me gjuhën, e nesërmja është përherë një ditë e re, me surpriza e me risi. Pra ka doemos diçka të re për të studiuar, për të kërkuar e për të shkruar. Fushat e mia të interesit përfshijnë Filozofinë e Gjuhës, Gjuhësinë teorike, Psikolinguistikën eksperimentale etj. Tani për tani po kryej studime në lëmin e Analizën Kritike të Diskursit (Critical Discourse Analysis), që është një disiplinë e re, jo fort e lëvruar në Shqipëri. AKD-ja merr përsipër të kryejë një qasje ndërdisiplinore për të studiuar ligjërimin duke e konsideruar thelbësor kontekstin në të cilin gjuha përdoret. Kryesisht, jam përqendruar te ligjërimi politik në Ballkan dhe se si e formëson identitetin kombëtar ligjërimi i politikanëve që gjenden midis trysnisë së nacionalizmit dhe të integrimit evropian. Ligjërimi politik ballkanas ka gjurmë të qarta ideologjike e nacionaliste që duhen zbuluar përmes strategjive gjuhësore që vihen në punë si përdorimi i përemrave, metaforave dhe metonimive konceptuale (në kuptimin Lakoffian), prania e fjalive pësore ku agjenti mungon etj., etj.
A po vlerësohet sot gjuha shqipe si degë kryesore në UT dhe çfarë këshillash keni për studentët e ardhshëm të departamentit tuaj?
Departamenti i gjuhës është një ndër departamentet më shembullore sa i takon kërkimit shkencor. Konferencat kombëtare e ndërkombëtare, botimet shkencore dhe memorandumet e bashkëpunimit me departamentet e Gjuhësisë në universitete brenda e jashtë vendit, janë disa nga faktorët që e dëshmojnë këtë gjë. Vlen gjithashtu të theksohet se stafi akademik i departamentit ka një formim shkencor për t’u lavdëruar. Arritjet e departamentit, por edhe të studentëve që kanë studiuar Gjuhësi, janë treguesit më të mirë që studentët e ardhshëm duhet të kenë parasysh, kur të bëjnë zgjedhjen e tyre. Gjuhësia të krijon mundësi për të pasur një karrierë të respektueshme në të ardhmen. Nga ana tjetër vetë gjuhësia përfshin një sërë çështjesh interesante për t’u studiuar, duke nisur nga lidhja mes gjuhës, njeriut e realitetit për të përfunduar te lidhja e gjuhës me teknologjinë e internetin. Sidomos këto dy të fundit ofrojnë mundësi pa fund pasi çdo aspekt i internetit e teknologjisë kërkon ekspertizën e një gjuhëtari. Gjuhëtari i mirënjohur David Crystal, i pyetur se përse duhet të merremi me gjuhësi, ndër të tjera thotë: “Gjuha ndryshon vazhdimisht dhe ka gjithmonë diçka për t’u studiuar”.
Si është marrëdhënia juaj me studentin?
Salla e leksionit më fal shumë kënaqësi, ndërveprimi me studentët po aq. Misioni im është t’i bëj studentët që ta kuptojnë se në universitet edhe ata janë pjesë e botës akademike dhe se çdo punë e tyre kërkimore kërkon origjinalitetin që i takon një kërkimi shkencor.
-Po me kolegët, çfarë marrëdhëniesh keni ?
Shumë prej kolegëve janë ish-profesorët e mi, ndaj i kam dyfish miq. Kolegët janë aset prej të cilëve mund të mësosh shumë.
-Cilat janë problemet e femrës shqiptare sot?
Problemet kryesore janë papunësia, vështirësitë ekonomike dhe ato sociale. Megjithatë fakti që vajzat dhe gratë sot kanë mundësi më të mira për t’u arsimuar, më gëzon shumë. Besoj se shoqëria shqiptare po ndërgjegjësohet për t’i njohur dhe respektuar të drejtat e grave.
Sigal