Sara & Kestrina Dande: Përfaqësimi i Shqipërisë në not, ëndrra për t’u realizuar

736
Sporti që përfshin një familje, kështu mund të quhet edhe familja Dande që ka dy vajzat e veta, Sarën dhe Kestrinën, që aktivizohen në sportin e bukur të notit. Por ky aktivitet i tyre nuk është më një dëshirë fëmijërie, pasi motrat kanë arritur që ta kthejnë në një profesion, edhe pse janë vetëm 9 vjeçe, duke arritur kështu që të fitojnë medalje të shumta, të thyejnë edhe rekorde kombëtare për moshën e tyre, diçka që sigurisht të lë të mendosh se nuk ke të bësh vetëm me “mbushjen e një hapësire boshe”. Në lidhje me këtë tregon edhe mamaja e tyre, që thotë se aktivitetet sportive për vajzat filluan që t’i largonin nga përdorimi i tepërt i teknologjisë, por gjithashtu do të ishte edhe një vlerë më tepër për shëndetin e tyre. Por noti nuk është sporti i vetëm që aplikojnë, pasi paralelisht me të Sara dhe Kestrina merren edhe me taekwondo, duke fituar kësisoj edhe rripin blu. Një histori motrash që shkojnë në shkollë bashkë, notojnë bashkë, fitojnë bashkë dhe mësojnë bashkë për çdo gjë që aspirojnë në jetë, duke marrë nga sporti vlerat më të mira që mund të mësojnë, e në këtë rast, deri më tani, kanë arritur shumë, por aspirojnë edhe më shumë, pse jo të përfaqësojnë Shqipërinë në turnetë madhorë ndërkombëtar të notit.
Sara dhe Kestrina, si filloi çdo gjë për ju në sportin e notit?
-Fillimisht ne donim thjesht të përmirësonim notin, pasi na pëlqente shumë. Kështu vendosëm që të fillonim stërvitjen dy herë në javë. Më pas kuptuam se noti ishte edhe më i bukur, por kishte edhe shumë gjëra për të mësuar, prandaj i shtuam ditët e stërvitjes. 
Keni marrë gjithmonë pjesë bashkë, në çdo aktivitet, të dy motrat?
-Po, po, gjithmonë bashkë. Vetëm në rastet kur ndonjëra nga ne ishte sëmurë (qeshin).
Cila është më e mira nga ju të dyja? Të vërteten!
-Sara: Të dyja (qesh)
-Kestrina: Unë mendoj se Sara është pak më e fortë se unë, por unë garoj në një stil që më jep më shumë avantazh. 
A njihni ju notare që doni të vazhdoni në hapat e saj?
-Kestrina: Mua më pëlqen shumë Missy Franklin
-Sara: Kurse mua Allison Schmitt. I kemi parë shumë herë ne youtube garat e tyre individuale dhe stafetat, sidomos ato gara ku kanë thyer rekorde botërore dhe olimpike. 
Keni thyer rekorde në not, qoftë brenda akademisë apo kombëtare?
-Po, kemi thyer katër rekorde kombëtare në stafetë.
Në cilin stil noti ndiheni më mirë, (bretkosë, stil i lirë etj.)?
-Kestrina: Stili im i preferuar është shpina, por më pëlqen edhe bretkosë.
-Sara: Kurse mua më pëlqen më shumë stili i lirë dhe delfin.
A kënaqeni ju të dyja, si motra që jeni, njëlloj si kur fitoni vetë apo kur fiton motra?
-Sara: Unë kënaqem shumë kur fiton Kesi. Kur ajo ka gara unë bëj tifo më shumë nga të gjithë.
-Kestrina: Edhe unë kënaqem shumë kur fiton Sara, por më shumë kënaqem kur ngjitemi në podium të dyja.
A e mendoni maksimumin që doni të arrini në not, për shembull, pjesëmarrje në Lojërat Olimpike apo medalje në turnetë madhor ndërkombëtar?
-Sigurisht që po. Ne e dimë që për të arritur diçka të tillë duhet shumë, shumë punë, por nuk ka asnjë gjë të pamundur nëse e dëshiron me të vërtetë.
Cila është dita e garimit që ju ka bërë më të lumtur?
-Sara: Për mua ka qenë ky kampionat, (Kampionati Kombëtar për Fëmijë, 2015) sidomos dita e parë, kur unë për herë të parë garova në 200m stil i lirë dhe zura vendin e tretë. Gjithashtu atë ditë në stafetën 4x50m stil i lirë, unë dhe shoqet e mia thyem me 4 sek rekordin kombëtar që ishte vendosur në vitin 2006.
-Kestrina: Dita më bukur e garimit për mua ka qenë data 21 mars, kur unë fitova dy vende të para, në 100m dhe 50m shpinë. 
Shkoni më mirë me shkollën apo me notin?
-Ne nuk kemi lënë pas dore asnjë mësim që kur kemi filluar notin. Para se të shkojmë në stërvitje, bëjmë detyrat dhe mësimet dhe nëse nuk i mbarojmë, i vazhdojmë dhe pas stërvitjes. Tani nuk na del më koha të luajmë me tablet (qeshin të dyja).
Kush ju ndihmon më shumë në not, trajneri, prindërit apo shokët dhe shoqet?
-Më shume na ndihmon trajneri pa të cilin nuk do të kishim arritur këto rezultate, por edhe babi i cili është marrë shumë me ne.
A do ta quanit veten më shumë notare të mira apo nxënëse të mira në shkollë?
-Më shumë nxënëse të mira, por dëshirojmë që të bëhemi edhe notare të mira.
Për ju, deri më tani, sa i rëndësishëm është ky sport?
-Kur filluam, nuk e menduam shumë të rëndësishëm. Ne stërviteshim në taekwondo, dhe njëkohësisht filluam edhe notin. Sa më shume rezultate të mira ne arrijmë aq më i rëndësishëm bëhet noti. 
A e keni imagjinuar se ndonjë ditë mund të përfaqësoni Shqipërinë jashtë, në turne noti?
-Në fakt ne kemi marrë pjesë në kupën “Mimoza” në Herceg Nov, me skuadrën tonë të Akademisë se notit “te Stela”, por të përfaqësojmë Shqipërinë, tani për tani na duket si ëndërr që shpresojmë të realizohet. 
Përveç notit, keni ndonjë “profesion” tjetër që doni të vazhdoni?
-Kestrina- Unë dua të vazhdoj shkollën për mjekësi
-Sara- Unë dua të bëhem arkitekte.
Sara dhe Kestrina, faleminderit dhe shumë suksese!
Sigal