Tatimet/ Shehaj: Aksioni kundër informalitetit, jo luftë kundër biznesit

684
Në prag të nisjes së aksionit kundër informalitetit nga ana e qeverisë, drejtoresha e përgjithshme e tatimeve, Briseida Shehaj, në një deklaratë për shtyp ka thënë se ky operacion nuk është luftë kundër biznesit.
Briseida Shehaj : “Nuk kemi të bëjmë me një luftë kundra biznesit, përkundrazi ky është një aksion që do mbrojë konsumatorin në shumë dimensione. Ky aksion mbron çdo qytetar, që teksa paguan për çdo mall e shërbim që blen duhet të sigurohet që paratë që ai jep për shtetin të kalojnë realisht tek shteti. Kjo bëhet e thjeshtë vetëm duke u siguruar që për çdo produkt apo shërbim që paguajmë të marrim në këmbim një kupon tatimor”
Drejtoresha e tatimeve ka theksuar rëndësinë e kuponit tatimor si një element tregues “se paratë që qytetarët paguajnë po shkojnë me të vërtetë në arkën e shtetit dhe se në këtë mënyrë rriten rrogat e pensionet, ulen taksat, ndërtohen më shumë spitale, shkolla, çerdhe apo rrugë”.
Shehaj tha se operacioni kundër informalitetit është i rëndësishëm edhe për të mbrojtur të gjitha bizneset të mëdha apo të vogla.
“Nëse të gjithë do të paguajnë, jo vetëm qeveria mund të jetë në pozicion më të favorshëm për të ulur taksat, por edhe konkurrenca mes sipërmarrësve do të jetë më e ndershme,” u shpreh ajo.
“Dua të siguroj që administrata tatimore do jetë në krah të konsumatorëve dhe sipërmarrësve për të luftuar informalitetin dhe për të dhënë gjithë asistencën e nevojshme që detyrimet të paguhen, publiku të mbrohet, e konkurrenca e ndershme të garantohet”, tha Shehaj në fund të deklaratës për shtyp nderkohe qe nuk pranoi t’i behej asnje pyetje.
Sigal