Standardet, në 2018 u adoptuan 2604, DPS: Problem mbetet përkthimi

472
Sigal

Vitin e kaluar u adoptuan 2604 standarde. Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit  në raportin vjetor të 2018 nënvizon se të paktën 1096 standarde të adoptuara në Shqipëri janë të publikuara nga CEN (Komiteti Evropian për Standardizimin), 488 të tjera nga CENELEC (Komiteti Evropian për Standardizimin në Fushën e Elektroteknikës) rreth 400 nga ETSI (Instituti Evropian i Standardizimit në fushën e Telekomunikacionit), ndërsa 620 standarde të adoptuara si standard shqiptare janë standarde ndërkombëtare të Organizata Ndërkombëtare për Standardizimin dhe Komisioni Ndërkombëtar për Standardizimin në fushën e Elektroteknikës. Në total sipas DPS sot në Shqipëri janë adoptuar si Standarde Shqiptare 25,395 Standarde Evropiane (EN & HD përfshirë edhe amendamentet), specifikisht 3,069 standarde të ETSI, 6,620 standarde të CENELEC dhe 15,706 standarde të CEN; dhe 4984 janë standarde ndërkombëtare të ISO & IEC. Edhe pse vit pas viti ka një adoptim gjithmonë e më të madh të standardeve ndërkombëtare duke zëvendësuar ato puro shqiptare duket se problem për DPS mbetet përkthimi i plotë i tyre. Në raportin vjetor të 2018-ës nënvizohet se problem në adoptimin e pjesës më të madhe është përkthimi vetëm i faqes së parë. Një standard është një dokument që përcakton kërkesat për një produkt, material, komponent, sistem ose shërbim të veçantë dhe jep detaje/specifikime teknike për një metodë ose procedurë të veçantë. Standardet lehtësojnë tregtinë ndërkombëtare, duke siguruar përputhshmërinë dhe ndërveprimin e komponentëve, produkteve dhe shërbimeve. Standardet sjellin përfitime për bizneset dhe konsumatorët në drejtim të reduktimit të kostove, rritjen e performancës dhe përmirësimin e sigurisë. Produktet me Standarde nënkuptojnë që konsumatorët mund të kenë besim se produktet e tyre janë të sigurta, të besueshme dhe me cilësi të mirë. Standardet për sigurinë në rrugë, sigurinë e lodrave dhe paketimin e sigurt mjekësor janë vetëm disa nga ato që ndihmojnë në krijimin e një vendi më të sigurt për të jetuar./Monitor