Pabarazia në Shqipëri – 42% e banorëve në fshat janë të varfër

560
Sigal

Pabarazia në Shqipëri është ulur në dekadën e fundit, por gati gjysma e popullsisë në fshat vazhdon të jetojë në varfëri. Koeficienti Gini, i cili mat indeksin e pabarazisë, është ulur në dekadën e fundit (2008-2018) sipas raportit “Demografia dhe shëndeti”, i cili u formulua nga INSTAT dhe Instituti i Shëndetit Publik nëpërmjet një studimi që zgjati 6 muaj dhe përfshiu një anketë mbi 16,800 persona në të gjithë vendin gjatë shtator 2017-shkurt 2018. Rezultatet treguan se koeficienti Gini u ul nga 0.26 në 0.11 pikë ndërmjet 2007-2018 (Gini është një koeficient që mat pabarazinë në shpërndarjen e pasurisë. Vlera ndryshon nga “0.0” nëse pasuria shpërndahet në mënyrë të barabartë në “1.0” nëse pasuria është tërësisht e pabarabartë ose e përqendruar). Koeficienti Gini në Shqipëri në vitin 2018 ishte në vlerën 0.11. Pasuria është më e shpërndarë në zonat urbane (0.05) sesa në zonat rurale (0.15). Sipas rezultateve të raportit, rishpërndarja e pasurisë është rritur për faktin se, më shumë familje në shtresat e ulëta sociale, kanë qenë të afta për të blerë më shumë pasuri në dekadën e kaluar. Indeksi i pasurisë është zhvilluar për të testuar pabarazitë në të ardhurat e familjeve, përdorimin e shërbimeve shëndetësore, edukimit, infrastrukturës etj. Të dhënat tregojnë se pasuria, burimet dhe mundësitë ekonomike janë më të përqendruara në zonat urbane, pasi 30% e familjeve në zonat urbane janë në kuintilin më të lartë të pasurisë, krahasuar me vetëm 5% të familjeve në zonat rurale. Në anën tjetër, vetëm 5% e familjeve në zonat urbane janë në kuintilin më të ulët, krahasuar me 42% të familjeve në zonat rurale, te cilat gjenden në kuintilin më të ulët të pasurisë.

Shpërndarja e pabarabartë e pasurisë, siç tregohet nga koeficienti Gini, ndryshon dukshëm nëpër prefektura, nga 0.06 në Durrës dhe 0.11 në Vlorë në 0.19 në Elbasan dhe 0.26 në Dibër. Vrojtimi i INSTAT gjeti se të gjitha familjet kanë televizor (98%), telefona celularë (97%), frigoriferë (96%), makina larëse (94%). 54% e familjeve në zonat urbane dhe 28% në zonat rurale kanë kompjuterë. Lidhur me pronësinë e mjeteve të transportit, 37% e familjeve kanë një makinë ose kamion, 26% kanë një biçikletë, dhe 10% kanë një motor ose skuter. Ndërmjet 2008-‘09 dhe 2017-‘18, përqindja e familjeve me kompjuter u rrit nga 30% në 54% në urban dhe nga 5% në 28% në zonat rurale. Indeksi i Pasurisë u formulua bazuar në llojet e konsumatorëve dhe mallrat që ata zotërojnë, duke filluar nga zotërimi i një televizori, biçikleta apo makine, si dhe nga karakteristikat e strehimit të tilla si burimi i ujit të pijshëm, objektet e tualetit dhe materiali i dyshemesë./Monitor