Shtohen të papunët me arsim të lartë – Instat: Rreth 39 mijë të diplomuar nuk gjejnë punë

632
Sigal

Papunësia mes të diplomuarve u rrit gjatë vitit 2018. Sipas Institutit të Statistikave, ky tregues arriti në 14%, nga 13.7% që kishte qenë një vit më parë.

Në shkallën e papunësisë sipas nivelit arsimit, i vetmi segment që regjistroi rritje vitin e kaluar është ai i individëve me arsim të lartë. Gjithnjë duke iu referuar shifrave të Instat, Shqipëria ka zyrtarisht rreth 39 mijë të diplomuar të papunë. Kjo shifër përbën më shumë se një të pestën e numrit total të të papunëve në ekonomi. Ajo çka bie në sy është se shkalla e papunësisë mes të diplomuarve është ndjeshëm më e lartë edhe në raport me individët që kanë arsim tetë apo nëntëvjeçar.

Kjo sigurisht lidhet edhe me faktin që mes të diplomuarve pjesëmarrja në tregun e punës është më e lartë. Sidoqoftë, shifrat dëshmojnë se pasojat e masivizimit të arsimit të lartë po reflektohen në tregun e punës. Nga viti 2005 e në vazhdim, shkollat private krijuan një akses të gjerë në arsimin e lartë për të rinjtë, pa kritere pranimi dhe shpeshherë edhe me tarifa shumë të ulëta. Kjo rriti numrin e të diplomuarve, por, edhe uli cilësinë e tyre. Me sa duket, tregu i punës në Shqipëri nuk ka vend për të gjithë.

Vetëm në vitin 2017, në Shqipëri u diplomuan mbi 35 mijë individë në arsimin e lartë, nga të cilët rreth 60% në nivel bachelor. Kërkesa dhe oferta duket se janë çbalancuar, ndërsa tregu i punës po vuan edhe rrjedhjen e burimeve njerëzore drejt emigrimit, sidomos në profesione të veçanta. Ekspertët dhe sipërmarrja prej vitesh shprehen se tregu ka më shumë nevojë për prurje me arsim profesional, por, po të shohim shifrat balanca vazhdon të anojë dukshëm në favor të arsimit të lartë.

Në periudhën 2013-2017, në shkollat shqiptare janë formuar mesatarisht rreth 4,300 nxënës me arsim profesional çdo vit. Kjo shifër përbën vetëm 14% të numrit mesatar të të diplomuarve në arsimin e lartë