Rihapet dosja për "check-up", hetim kontratës së Beqajt dhe pagesave të pajustifikuara

Pagesat për “check-up” bllokojnë ministrin

Vazhdojnë të mbeten sekret të dhënat e kontratës koncesionare. Edhe dikasteri i Financave, i paqartë për shifrat dhe pagesat

Koncesionet në shëndetësi kanë vënë dje në vështirësi ministrin e Financave, Arben Ahmetaj. I pyetur për koncesionin e “Check-up” dhe pagesat që duhet të bëjë shteti ndaj privatit, kreu i dikasterit të Financave e ka pasur të vështirë të japë shifra të sakta. Gjatë diskutimeve për projekt-buxhetin e shtetit në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, ministri Ahmetaj është pyetur për kostot e kontratës koncesionare për “Check-up”. Ka qenë deputeti demokrat, Agron Shehaj, ai që e ka këmbëngulur për të marrë një përgjigje të saktë, por ministri nuk ka dhënë një vlerë për pagesat që bëhen ndaj kompanisë private.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, bëri me dije se tavani për vlerën totale të kontratave, në përqindje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), për të gjitha projektet me Partneritet Publik Privat, ekzistuese dhe ato të kontraktuara rishtazi për vitin 2018, është 40.1%. “Kufizimi i pagesave vjetore në vetëm 5 për qind të të ardhurave tatimore faktike do të sjellë kontrollin e kontratave me PPP. Shuma totale që kemi alokuar shkon 9.4 miliardë lekë“, tha ministri. Sipas Ahmetajt, janë 213 kontrata koncesionare, prej të cilave 178 janë lidhur para vitit 2013. Nga të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, fatura e koncesioneve në shëndetësi do të kushtojë plot 3.97 miliardë lekë. Ofrimi i shërbimit të kontrollit bazë apo Check up-it do të kushtojë në 2018-n 876 milionë lekë, ndërsa ofrimi i shërbimit të sterilizimit kushton në vitin e ardhshëm 1.56 mld lekë. Për ofrimin e shërbimit të dializës kosto do të jetë 655 milionë lekë dhe për shërbimet laboratorike 886 milionë lekë. Pesha e faturave e koncesionarëve në shëndetësi në 2018-n është 42 për qind e totalit të faturave koncesionare. Ndërkohë, koncesionet në infrastrukturë dhe energji do të kushtojnë 2.8 miliardë lekë apo 28 për qind e totalit të fatura për koncesionet. Ministria e Financave dhe Ekonomisë vlerëson dhe miraton paraprakisht të gjitha projektet koncesionare dhe të Partneritetit Publik Privat (PPP), si edhe çdo ndryshim të tyre, nga pikëpamja e implikimeve individuale apo në grup, për shpenzimet buxhetore, deficitin buxhetor, qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe detyrimet kontingjente eventuale. Shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo partneritetin publik privat (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5 për qind të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor. Në rast tejkalimi të këtij kufiri, Këshilli i Ministrave merr masa korrektuese në krahun e të ardhurave buxhetore, të nevojshme dhe të mjaftueshme, për t’u rikthyer brenda kufirit të lejuar, gjatë dy viteve të ardhshme buxhetore.

Aktualisht, janë në fuqi 8 kontrata koncesionare apo Partneriteti Publik Privat (PPP), të cilat marrin mbështetje buxhetore, si dhe pritet që gjatë vitit 2018 të startojnë dhe 3 kontrata të reja të lidhura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë/Bashkisë Tiranë (bashkëfinancim). Kufiri i lejuar prej 5% i të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës, pra i vitit 2017, është rreth 20 miliardë lekë.

Debati
Agron Shehaj: “Zoti ministër sa i kushton Buxhetit të Shtetit ‘chek-up’-i i një personi të vetëm, këtë dua të di unë? Se kohët e fundit i kemi parë lajmet në lidhje me detyrimet që i bëhen administratës që të shkojnë e të bëjnë këto kontrolle.
Arben Ahmetaj: “1537 i kushton sot buxhetit të shtetit një chek-up. Do ta nis me pyetjen tuaj të dytë, ka një numër të caktuar ‘check-up’ që duhet të bëhen…”.
Agron Shehaj: “Sa, pak a shumë?”
Arben Ahmetaj: “Nuk dua të jem i pasaktë në shifra, e ke zakon jo të mirë që më ndërpret”. 
Erjon Braçe: “Zoti Ministër po të sqaron”.
Arben Ahmetaj: “Nuk mund të quhet kërcënim, një thirrje dhe një mesazh që i bëhet administratës, a mund ta mbaroj unë djalë ë?”.
Erjon Braçe: “Zoti ministër do përgjigjesh apo do merresh…”.
Arben Ahmetaj: “Është normale që ne të bëjmë thirrje për ‘check-up’”.
Agron Shehaj: “Ndryshe do hiqesh nga puna. Zoti ministër kjo është tallje, sa do të jetë kostoja reale”.
Arben Ahmetaj: “1537”.
Agron Shehaj: “Kostoja reale është e ndryshme nga ajo nominale, në lajmet që dolën duket se kompania ka probleme. Unë parashikoj që ju do të bëni 80 mijë, dhe kjo përbën diferencën mes kostos nominale dhe asaj reale”.
Arben Ahmetaj: “Detyrimi për këtë vit është 437 mijë kontrolle, nuk është detyrë e ministrit që të shkojë e të numërojë sesa kontrolle që do të bëhen”.
Agron Shehaj: “Nëse ndryshon numri i kontrolleve, ndryshon edhe kostoja. Është kështu apo nuk është kështu?”
Arben Ahmetaj: “Po kështu është”.