Rama: Investimi gjerman, kontribut në rritjen e ekonomisë kombëtare

751
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në përurimin e “Tirana Business Park”, një investim i palës gjermane që sipas tij, përbën një prurje të re në botën e sipërmarrjes shqiptare dhe do të ndihmojë në zhvillimin urbanistik dhe punësimin. Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama e vlerësoi këtë investim të palës gjermane me vlerë kulturore për Shqipërinë, si rruga për të konkurruar dhe për të pasur sukses. “Ky investim përbën një prurje të re në botën e sipërmarrjes shqiptare dhe do të ndihmojë në zhvillimin urbanistik dhe punësimin. 

Kjo është një tjetër arsye e fortë pse do të bëjmë çmos të stimulojmë sa më shumë sipërmarrjet gjermane në Shqipëri. Investimet gjermane të këtyre përmasave kanë një tipologji krejt të veçantë sepse janë investime familjesh që trashëgojnë brez pas brezi eksperiencën e dijen dhe rrisin ekonominë duke pasur kontribut në rritjen e ekonomisë kombëtare. Është një shembull për shumë të tjerë që duan të investojnë për të parë një realitet me standarde tërësisht gjermane. Kjo është rruga për të konkurruar dhe për të pasur sukses. Ky është një investim 100 milion euro, i cili deri në vitin 2020 do të ketë10 mijë të punësuar, ku shqiptarët që punësohen në këtë kompani duhet të trajtohen si gjermanë. Duam të hyjmë në një fazë të re bashkëpunimi që në thelb ka vetëdijen e Europës dhe Gjermanisë për të mbështetur një rajon europianësh, pavarësisht problemeve. Nëse ata janë BE, ne jemi E, domethënë Europë, dhe rruga drejt B-së do të jetë e gjatë. BE duhet të mbështesë vendet e Ballkanit që të bëhen BE dhe të mos ngelen E”, tha Rama. 
I pranishëm në ceremoninë e përurimit ishte edhe kryetari i sapozgjedhur i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. “Dua që t’ju ftoj publikisht, në atë që do të jetë këshilli ekonomik i Tiranës. Është në miniaturë dhe një strukturë e ngjashme me Këshillin Ekonomik Kombëtar, e ngjashme me atë që drejton kryeministri dhe që organizohet nga qeveria shqiptare. Ne besojmë se komuniteti i biznesit ka çfarë të japë për qytetin, dhe jo vetëm të jeni anëtarë të rinj të biznesit në Këshillin e ri Bashkiak, por duam që këshilli ekonomik i Tiranës të jetë forumi kryesor, i cili filtron të gjithë vendimmarrjen e bashkisë së madhe të Tiranës, përpara se këto vendime të shkojnë në këshillin bashkiak”, nënvizoi Veliaj. 
Gjithashtu, Veliaj u bëri thirrje të gjitha bizneseve për të marrë pjesë në garën për fondin e nxitjes së punësimit, e cila tanimë do të zhvillohet edhe nga bashkia e re e Tiranës. “Duam gjithashtu, që prej shumë prej kompanive pjesëmarrëse këtu, të bëhet një garë e shëndetshme me qeverinë kur vjen puna tek fondi i nxitjes së punësimit. Qeveria aplikoi një eksperiment të suksesshëm për fondin e nxitjes së punësimit, pra për të investuar në ato kompani që ofrojnë punësim për të rinjtë dhe gratë. Duam shumë që qyteti i Tiranës, të ofrojë një garë me qeverinë, duke shtuar fondin e nxitjes së punësimit por këtë herë nga bashkia e Tiranës”.
Sigal