Emigracioni dëmton forcën e punës, 18 mijë të rinj shqiptarë 15-29 vjeç më pak në një vit

63
Sigal

Grup-moshat e reja 15-29- vjeç, pjesë e popullsisë në moshë pune, u tkurrën me shpejtësi përgjatë vitit të kaluar.

INSTAT raportoi se popullsia në moshë pune 15-64 vjeç u tkurr me 16.2 mijë persona në raport me janarin 2020 ose me 0.8 për qind.

Por në grupet e reja, rënia ishte më e fortë. Popullsia në grup moshën 15-29 vjeç shënoi tkurrje më të madhe me rreth 18 mijë persona. Në këtë interval moshe pakësimi më i madh ishte për të rinjtë 15-19 vjeç me mbi 8 mijë persona.

Reduktimi në grupet më të reja të popullsisë në moshë lidhet me dy faktorë themelorë: rënia drastike e lindjeve pas vitit 2000 dhe niveli i lartë e emigracionit në moshat e reja.

Gjatë vitit të kaluar INSTAT raportoi se emigruan nga vendi rreth 24 mijë persona, shumica e të cilëve ishin mosha të reja.

Rënia e popullsisë po ushtron presion tek forca e punës, e cila është në një cikël tkurrës pa kthim për shkak të lindshmërisë së ulët, por emigracioni i lartë e ka përkeqësuar më shumë trendin.

Popullsia në moshë pune shënoi rritje për grup-moshën 30-39 vjeç me rreth 10 mijë persona, por rënie është vërejtur në grup-moshën 40-49- vjeç me rreth 11 mijë persona, teksa shihet se në grup-moshën 60-64-vjec ka një rritje me mbi 3 mijë persona në krahasim me janarin 2021.

Teksa forca e punës në grup-moshat e reja po tkurret me shpejtësi, bizneset në të gjithë vendin po ndejnë vështirësitë që po krijon mungesa e punonjësve.

Njësitë e shërbimeve, hotele dhe restorante në të gjithë vendin sidomos në zonat turistike, sektori fason dhe call center po ndjejnë mangësitë.

Kriza pandemike e cila erdhi edhe si një krizë ekonomike pritet të ketë ndikim negativ në treguesit demografike, sidomos në drejtim të emigracionit.

Ilir Gëdeshi, ekspert i njohur i çështjeve të emigracionit, tha se krizat ekonomike në Shqipëri janë pasuar nga valë emigracioni. Krizat e vitit 1990, 1997, 2008 e kanë vërtetuar këtë fakt. Edhe kriza pandemike, sipas zotit Gëdeshi, rrezikon të përshkallëzojë emigracionin në vend.

Në vitet e ardhshme, pritet që fenomeni të përkeqësohet pasi do të tentojnë të ikë pjesa që kishte planifikuar dhe nuk emigroi gjatë pandemisë. Përkeqësimi i kushteve të ekonomisë mund të nxisë të tjerë emigrantë që para pandemisë nuk kishin planifikuar të largoheshin, tha zoti Gëdeshi. Të dhënat ndërkombëtare tregojnë se kriza e pandemisë ka kthyer tendencat e vjetra të emigracionit.

Në planin afatshkurtër, pandemia mbylli kufijtë dhe kufizoi udhëtimet, duke shkaktuar rënie të ndjeshme të emigrimit.

Sidoqoftë, goditjet që pandemia ka dhënë në ekonominë e vendeve të varfra dhe atyre në zhvillim lajmërojnë valë të reja emigracioni. Ekspertët ndërkombëtarë lajmërojnë se vala e emigrimit ndodh dy ose tre vjet pas krizave që tronditin jetën e njerëzve.

Shkalla e emigrimit pas vitit 1990, në raport me popullsinë shqiptare, ka qenë më e larta në Europë dhe një nga më të lartat në botë. Sipas të dhënave të INSTAT nga 1990-2019 stoku i emigrantëve jashtë vendit kanë arritur në 1.6 milionë persona, ose 59% e popullsisë banuese në vend.

Anketa e madhe e emigracionit, e zhvilluar më 2019 nga INSTAT, në rreth 20 mijë familje në të gjithë vendin, ka gjetur se, gjatë periudhës 2011-2019, ka emigruar jashtë 13% e popullsisë banuese e vitit 2011, ose mbi 360 mijë persona