Skandali i investimit 14,8 mln euro/ Spitalit të ri në QSUT, që është ende në ndërtim, i vidhen tubat e oksigjenit për bakër, askush nuk u interesua

312
Sigal

 

Kryeministri Edi Rama u shfaq në kronikat mediatike të së shtunës, duke inspektuar punimet në spitalin A2 të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, i cili shton kapacitetet e repartit të sëmundjeve të brendshme në institucionin më të madh shëndetësor në vend. Në këtë vizitë inspektuese, Rama zgjodhi vetëm të dëgjonte referatin e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu për investimin 14.8 milionë euro, si edhe shpjegimet teknike dhe aspak të kuptueshme për kryeministrin, të dhëna prej inxhinierëve të ndërtimit. Në krah të tyre qëndronte drejtori i QSUT-së, Enkelejd Joti, i cili nuk foli fare. Me shumë mundësi, askush prej shoqëruesve të Ramës në këtë vizitë fundjave, nuk i ka shpjeguar se, ndërtimi i godinës luksoze ka një pasiguri ekstreme. Defektet e këtij ndërtimi i ka zbuluar një 37-vjeçar, Elvis Bicolli, i cili natyrisht nuk ka pasur asnjë qëllim për të vënë në provë sigurinë e spitalit të ri. Pasditen e 31 Marsit 2021, ai ka shkuar qetësisht në godinën e re në ndërtim dhe ka menduar që të sigurojë disa shuma monetare, lehtësisht. Me një palë pinca në dorë, Bicolli ka pikasur disa tuba bakri dhe ka nisur dalëngadalë dhe me qetësi t’i presë në copa të vogla, për t’i marrë më pas në një çantë që mbante me vete, e mandej për t’i shitur në pikat e skrapit. Ai nuk e dinte dhe, natyrisht, nuk i tha askush se ato tuba ishin pjesë e rrjetit për furnizimin me oksigjen të pacientëve të pritshëm në spitalin e ri të sëmundjeve të brendshme. Ai, po ashtu, nuk kishte si ta dinte se “puna” e tij, të cilën po e kryente qetësisht, kishte shkaktuar një dëm mbi 12 mijë euro. Këto të dhëna, Bicolli, si edhe të tjerët, i mësuan gjatë seancës gjyqësore, kur u vendos arrestimi i tij, pas kapjes në flagrancë me tubat e bakrit në duar. “Boldnews.al” ka siguruar vendimin e Gjykatës së Apelit të Tiranës, e cila ka konfirmuar vendimin e shkallës së parë për caktimin e “arrestit me burg” për 37-vjeçarin Elvis Bicolli. Në vendimin e gjykatës është paraqitur shkurtimisht edhe ngjarja. “Më dt.11.03.2021, rreth orës 16.00 është kapur në flagrancë shtetasi Elvis Bicolli, në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “ Nënë Tereza”, në spitalit A2, i cili është në ndërtim e sipër, duke këputur dhe vjedhur tubat prej bakri që kanë qënë të montuara në ambientet e këtij spitali, të cilat shërbejnë për furnizimin e dhomave të pacientëve me oksigjen”. Gjykata konstaton më tej se Bicolli, me veprimet e tij, ka “shkaktuar një dëm të konsiderueshëm monetar në vlerën 12.000 euro, duke nxjerrë jashtë funskionit sistemin e shpërndarjes së oksigjenit”. Elvis Bicolli mbahet i arrestuar, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale të “Vjedhjes” dhe “Shkatërrimit të pronës” me dashje.