Qeveria projekton të financojë me rreth 900 mln euro, 72 km e autostradës, Thumanë-Vorë-Rrogozhinë

417

Autostrada Thumanë-Kashar-Rrogozhinë do të jetë projekti më i kushtueshëm pas Rrugës së Kombit, pasi qeveria ka programuar të financojë punimet e saj nëpërmjet kontratës me koncesion Publik-Privat me 113 miliardë lekë (rreth 900 milionë euro) për 72 kilometra, sipas të dhënave nga Ministria e Financave. Projekti është i ndarë në dy segmente. I pari që përfshin ndërtimin e 20 kilometrave të para, për përfundimin e të cilëve, qeveria ka pranuar propozimin e pakërkuar nga kompania GENER 2 kundrejt vlerës 225.8 milionë euro. Negocimi i kontratës ndërmjet koncesionarit dhe kompanisë është në proces dhe punimet pritet të nisin vitin që vjen. Ndërsa segmenti i dytë Kashar-Rrogozhinë është programuar të financohet me mbi 84 miliardë leke, gjithashtu nëpërmjet kontratës koncesionare PPP, procedurat e së cilës janë në nisje, duke e çuar koston totale të projektit në 113 miliardë lekë (893 milionë euro). Kosto për kilometër e projektit arrin në 12,4 milionë euro. Një raport i Bankës Islamike, që është financues i rrugëve në Shqipëri, llogariti më herët se kostoja e Thumanë–Rrogozhinë ishte 320 milionë euro në 72 kilometrat e saj. Me koncesionin PPP, kostot gati trefishohen. Në fund të viteve 2000, qeveria shqiptare renditi si prioritet një autostradë në pjesën qendrore të vendit, përkatësisht në Thumanë-Rrogozhinë për të lidhur autostradën e re të Veriut me Jugun, sipas një varianti më të shkurtër dhe për të shmangur trafikun në këtë zonë të ngarkuar tashmë. Pjesa e parë e këtij segmenti prej 20 kilometrash, Thumanë-Kashar u përfshi në 13 projektet parësore të strategjisë sektoriale të transportit për periudhën 2016-2020. Dokumenti, që ka marrë miratimin e qeverisë, parashikonte një kosto 92 milionë euro për 20 kilometrat e para por dy vite më vonë nga strategjia në fuqi, qeveria shqiptare e kontraktoi segmentin për ndërtimin nëpërmjet koncesionit me PPP kundrejt 225 milionë eurove. Koncesionin e fitoi kompania Gener 2, pasi bëri ofertën më të ulët. Kostoja me të cilën do të ndërtohet rruga është 2.5 herë më e lartë se parashikimi i qeverisë në dokumentin që vetë miratoi vitin e kaluar. Ekspertët e sektorit vlerësuan se kjo është shumë e lartë, pasi autostrada kalon në një pjesë fushore ku disa pjesë të segmentit janë të shtruara. Ndërsa veprat e artit janë katër kilometër ura dhe tre nyje nënkalimesh dhe mbikalimesh. Sipas këtyre rezultateve, Shqipëria futet ndër vendet me kosto të larta në ndërtimin e rrugëve. Sipas vlerësimit të World Highways, koston më të lartë të ndërtimit të autostradave për 1 kilometër e ka Austria me mbi 12 milionë euro për kilometër, Hungaria me 11 milionë euro dhe Gjermania me mbi 8 milionë euro. Kostoja e lartë e këtyre autostradave në këto shtete vjen nga terreni i vështirë, pasi në rrugët e zonave malore.