LSI: Skema e TVSH-së dëmton biznesin e vogël

Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi se përfshirja e biznesit të vogël në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar e dëmton sipërmarrjen, ndërsa premtoi se brenda pak ditësh do të ketë gati propozimet konkrete për çështjet fiskale dhe ekonomike. Deklarata është bërë nga kryetarja e kësaj partie, Monika Kryemadhi pas një takimi me kryetarin e Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm në Shqipëri, Albert Nasto. “Dhjetëra mijëra biznese janë në prag të falimentimit. Kjo do të thotë që dhjetëra mijëra njerëz do ti shtohen armatës së të papunëve. Biznesi i vogël dhe i mesëm ka nevojë për mbështetje dhe stimuj, dhe jo për gjoba, penalitete apo rritje taksash. LSI mbështet biznesin e vogël dhe te mesëm, duke cilësuar ato si shtyllën kurrizore për ekonominë e vendit. LSI është kundër rritjes së taksave dhe është kundër përfshirjes së këtyre bizneseve në skemën e TVSH-së. Në ditët në vazhdim, LSI do të dëgjojë të gjithë grupet e interesit dhe do të ketë propozime konkrete për çështjet fiskale dhe ekonomike”, tha Kryemadhi. Sipas saj, zhvillimi i ekonomisë së vendit, lufta kundër varfërisë, përmirësimi i klimës së biznesit dhe nxitja e punësimit janë disa nga objektivat kryesor të forcës politike që ajo përfaqëson.