Ligji i KLSH, mazhoranca rrëzon Nishanin, Braçe: Dekret i pavend

878
Sigal

TIRANE – Komisioni i Ekonomisë ka rrëzuar sot dekretin e Presidentit Bujar Nishani që kthen për rishqyrtim projektligjin për “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, pasi sipas tij ky projektligj bie ndesh me kushtetutën.

Gjatë mbledhjes së këtij komisioni, deputetja e mazhorancës Blerina Gjylameti, propozoi që në emër të qeverisë, të rrëzohet dekreti i Presidentit pasi sipas saj Kuvendi është në të drejtë të plotë në ligjin për KLSH.

Kjo është kundërshtuar nga ana e deputetit të opozitës, Ridvan Bode pasi sipas tij Presidenti ka respektuar Kushtetutën dhe prandaj duhet që mazhoranca të respektojë ligjin, dhe sipas tij të mos shkelet si në rastin e ligjit për Gjykatën e Lartë.
 
Kjo pasi sipas tij, Kushtetuta ka përcaktuar kompetencat dhe organizimin e KLSH dhe më konkretisht sa i përket sharkimit të kreut të këtij institucioni, dhe çdo shtesë kërcënon pavarësinë e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Presidenti ka respektuar Kushtetutën prandaj duhet që mazhoranca të rëspektojë ligjin. Dhe mos ta shkelë atë si bëri me ligjin për Gjykaten e Lartë. Kushtetuta e tregon qartë dhe e ka të përcaktuar. Çdo shtesë kërkon ta kërcënojë pavarësinë e KLSH. Gjersa Kushtetuta nuk e ka parashikuar shkarkimin si kryetari i Gjykatës së Lartë do të thotë që është lënë vetë ashtu. S’kemi pse bëjmë shtesa.” u shpreh Bode
 
Por në reagim ndaj Bodes, kreu i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe tha se ligji i ri nuk i merr kompetencat Presidentit, lidhur me shkarkimin e kreut të KLSH duke shtuar se kjo kompetencë do të vijojë të mbetet e kreut të shtetit, por në mënyrë më të ngushtuar. Braçe theksoi se ligji në fjalë është kërkuar nga vetë KLSH dhe synon t’i japë më tepër pavarësi këtij institucioni nga qeveria.

“Ne nuk i marrim Presidentit kompetencën e shkarkimit të kryetarit të KLSH. Ajo i takon Presidentit. Ne kemi gjithë elementët që shkarkohet kryetari i Gjykates së Lartë dhe i kemi njësuar. Këtë ndryshim e kërkoi vetë KLSH, se kuptoj pse Presidenti kërkon të kundërtën. Vetëm nëse Presidenti do ta shkarkojë pa arsye kryetarin e KLSH. Ky ligj i jep pavarësi KLSH nga qeveria. Ligji i ngushton mundësinë Presidentit ta shkarkojë kryetarin e KLSH.” tha Braçe

Ligji për KLSH
Projektligji i ri i KLSH parashikon imunitet të barabartë të kreut të saj me gjyqtarin e Gjykatës së Lartë.  Pr/ligji i ri forcon pozitat e kreut të këtij institucioni, si dhe shton kompetencat e miratimit të projektbuxhetit, që pas miratimit nga Kuvendi e zbaton atë në mënyrë të pavarur. Një risi janë edhe auditimet e Teknologjisë së Informacionit, duke përcaktuar nëse sistemet e informacionit ruajnë integritetin e të dhënave. Ligji i ri do të diskutohet edhe neser nen për nen në komisionin e Ekonomisë. 

“Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit gëzon imunitet për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrim të funksioneve të tij.

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria në çfarëdo formë apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Gjykatës Kushtetuese, përveçse nëse kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi.

Në këtë rast, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Gjykatën Kushtetuese e cila në qoftë se nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë”, – thuhet në nenin 22 të këtij projektligji.