Greqia me qeveri të re, “tërmeti” SYRIZA në koalicion me ANEL

494
Sigal

ATHINE – SYRIZA, partia e majtë radikale e Aleksis Tsipras triumfoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura të dielën në Greqi, duke u cilësuar si një “tërmet” pasi është e para parti e këtij spektri që vjen në pushtet në vendet e Bashkimit Evropian.
 
Aleanca e Radikalëve të Majtë ka siguruar 149 vende në Kuvend nga 300, por pa arritur të marrë shumicën absolute të 151 mandateve që i duhen për të qeverisur e vetme pa nevojën për koalicion. SYRIZA me mbi 36 % të votave ndiqet nga “Demokracia e Re” e kryeministrit në largim Antonis Samaras me mbi 27 % dhe 76 vende. Forca e tretë ka dalë Agimi i Artë i neonazistëve me mbi 6 % të votave duke siguruar 17 vende në Parlamentin grek, njëjtë me numrin e deputetëve të siguruar nga partia e re POTAMI.  Komunistët kanë marrë 15 vende në parlamentin e ri ndërsa grekët e pavarur të ANEL dhe PASOK i Venizellos kanë siguruar 13 mandate. Surprizë e këtyre zgjedhjeve ishte Jorgos Papandreut, i cili nuk arrit të sigurojë pragun elektoral prej 3 % duke mbetur jashtë parlamentit.

Ora 10: 26 Formohet qeveria e re greke, koalicion SYRIZA ANEL
Formohet në parim qeveria e re greke, me kryeministër liderin e së majtës radikale Syriza, Alexis Tsipras, në koalicion me Grekët e pavarur të ANEL të kryesuar nga Kamenos. Gjatë takimit të sotëm dy liderët i dhanë “zgjidhje vendimit të popullit grek”, siç ata u shprehën, duke formuar koalicionin qeveritar me 162 deputetë në kuvend.

Ora 10:12 – Rezultatet zyrtare ne kohe reale, Syriza mbi 36 % te votave dhe 149 vende ne Kuvend

Rezultatet zyrtare të 99,83% të votave të numëruara deri më tani flasin se:
SYRIZA – 36,34% të votave – 149 vende në Kuvend
Demokracia e Re – 27,81% të votave – 76 vende në Kuvend
Agimi i Artë  – 6,28 të votave – 17 vende në Kuvend
Potami – 6,05 % të votave – 17 vende në Kuvend
ANEL – 4.75 % të votave – 13 vende në Kuvend
PASOK  – 4,75 % të votave – 13 vende në Kuvend
Lëvizja e Socialistëve Demokratë – 2.44 % të votave  – nuk siguron vend ne Kuvend

Ora 09:45 Tsipras nis negociatat me ANEL
kreu i partisë ANEL,  apo “Grekët e pavarur” Panos Kammenos, ka mbërritur në selinë  Syriza. Pritet që Tsipras t’i kërkojë Kammenos, i cili ka marrë 13 vende në parlament, koalicion për të qeverisur.


Ora 09:00 Hollande: Urime SYRIZAS, do ruajmë marrëdhëniet e mira që kemi pasur mes dy vendeve

Presidenti i Francës Francois Hollande nëpërmjet një deklarate zyrtare ka uruar Aleksis Tsipras për fitoren e SYRIZA-s në zgjedhje.

Hollande rikujton në deklaratën e tij “miqësinë që lidh Francën dhe Greqinë” dhe shpreh gatishmërinë e saj për të vazhduar marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve”, për zhvillimin dhe stabilitetin e eurozonës, në frymën e progresit, solidaritetit dhe përgjegjësisë, si dhe vlerat evropiane fondamentale që dy vendet ndajnë.

Ora 08:45  Kryeministri britanik: Do rritet pasiguria ekonomike në Europë
Kryemistri i Britarisë David Cameron: Zgjedhjet në Greqi do të shtojnë paqartësinë ekonomike në Evropë. Ja përse Mbretëria e Bashkuar duhet të vijojë me planin e saj dhe kujdeset për sigurinë në planin e brendshëm. “Zgjedhjet në Greqi do të rrisin Pasigurinë ekonomike në Evropë. Ja përse Britania duhet të qëndrojë me planin tonë, duke rritur sigurinë në shtëpi,”-është shprehur Cameron.


Ora 07:00 – Kryetari i SYRIZA, Tsipras në orën 09:30 takohet me kreun e ANEL, Kamenos
Alexis Tsipras dhe kryetari i ANEL, Kamenos pritet të formojnë qeverinë e re me 162 deputetë në Parlament. Partia ANEL ka marrë 4.75% të votave, duke siguruar 13 vende në Parlament.


Zhvillimet e oreve te vona te mbremjes se 25 Janarit

Ora 22:25 Fjalimi i fitores, Tsipras: Populli grek bëri histori
Në fjalimin e fitores para mbështetësve që u mblodhën në selinë qendrore të partisë SYRIZA në Athinë, deklaroi se populli grek me votën e së dielës bëri histori.

Greqia lë pas 5 vite poshtërim dhe vuajtje, Greqia tashmë merr frymë me dinjitet drejt BE-së, por e ndryshuar. Vota juaj është shembulli i Evropës që po ndryshon, Greqia sot ka bërë që historia të ecë përpara. Për të gjithë popujt e Evropës sot është një festë.

Do të fillojmë me punë të madhe pas këtij vendimi të popullit grek. Mbyllet një kapitull i varfërisë së vendit tonë, duke lënë pas kujtimet e varfërisë dhe katastrofës. Trojka për Greqinë tashmë është një e kaluar. Jemi mëse të vetëdijshëm që populli grek nuk pranon urdhra nga të tjerët, por kemi shpresë për brezat e ardhshëm dhe unitetin e vendit tonë. Do ta përdorim besimin tuaj dhe do të krijojmë një qeveri greke për të gjithë grekët. Do të përfaqësojmë të gjithë grekët pavarësisht nëse votuan apo jo për ne. Do të luftojmë të gjithë sëbashku për të ringritur vendin bazuar në themelet e reja. Sot po i adresohem çdo burri e gruaje greke që po na ndjek në këto momente. Nuk ka fitues dhe humbës por sot kemi mposhtur oligarkinë. Ishte vota e popullit që na solli drejtësinë, ë këtij populli të ditur, punëtor, Greqisë së civilizimit. Është Greqia që lufton, që shpreson dhe që ka kërkuar për vendin e saj të krijojë një të ardhshme të re me dinjitet. Dua t’ju falenderoj përmzemërsisht, por mbi të gjitha ju mijëra grekë që keni ardhur nga mbarë Europa për të treguar këtë solidaritet. Kjo fitore e jona është fitore për të gjithë popujt në Evropë.

Të dashur miq qeveria e re greke nuk do të hapë konflikte të njëanshme, por sot përballë kemi një mundësi të jashtëzakonshme për një forum të ri, edhe për Europën, një politike të re për Evropën, për marrëdhënie të reja bazuar në respektimin e gjithsecilit por edhe në solidaritet.

Pikësynimi ynë i parë do të jetë të menaxhojmë dhe të përballemi me themelet e kësaj krizë. Do të luftojmë korrupsionin për të future kudo principet e reja demokratike.
Prioriteti ynë mbi të gjitha do të jetë që grekët të rifitojnë sërish dinjitetin e tyre dhe ky është mesazhi të fitojmë buzëqeshjen dhe dinjitetin e humbur të popullit tonë.

Falenderoj nga thellësia e zemrës këdo që më dhatë këtë fitore me pasion duke i dhënë shpresë popullit tonë, dhe ju i sollët sërish buzëqeshjen çdo gruaje dhe nënë greke. Ky është një moment historik për Greqinë. Do të luftojmë dhe përpiqemi me të njëjtin pasion drejt kësaj beteje të vështirë dhe të bukur. Le ta ngremë diellin e demokracisë, të dinjitetit dhe së bashku do ia dalim mbanë”.


Ora 22:20 Presidenti i PE, Schulz telefonon Tsipras: Fitore historike, do vij t’ju takoj
Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz telefonoi kryetarin e SYRIZA, Tsipras. “Kjo është një fitore historike, një sukses i madh. Unë do të bëj gjithçka që kam në dorë për të ndihmuar dhe për gjetur një zgjidhje të pranueshme dhe të qëndrueshme. Kam ndërmend të vij në Athinë në mes të javës për t’ju takuar dhe të premten do të takohem me Kancelaren gjermane, Merkel”, tha Schulz.

Samaras pranon humbjen: E nxora vendin nga kriza e thellë
Ora 21:45 Kryeministri në detyrë i Greqisë Antonis Samaras, ka pranuar publikisht humbjen, edhe para shpalljes së rezultateve zyrtare, duke marrë parasysh diferencën e thellë me partinë e kundërshtatit të tij politik Aleksis Tsipras.
 
Kreu i Demokracisë së Re, partisë së dytë pas SYRIZES, në një deklaratë nga selia e partisë së tij, tha se ndihej krenar për ndryshimet pozitive që i solli vendit, që siç theksoi ai e mori udhëheqjen e Greqisë në prag katastrofe dhe e nxorri vendin nga kriza.
 
Ai tha se shpreson që partia e re që do të marrë drejtimin e Greqisë të mos hedhë poshtë arritjet që kolaicioni i Demokracisë së Re me PASOK solli për vendin. Pavarësisht humbjes, Samaras tha partia e tij do të vazhdojë të rualë rol të rëndësishëm për reformat.
 
“Kur mora qeverisjen e mora vendin në prag katastrofe dhe u përpoqa ta zgjidh situatën. Arritëm të evitojmë më të keqen dhe e nxorëm Greqinë nga kriza e thellë. Një koalicion partiak i panjohur për Greqinë, ishim të detyruar të ndërmerrnim hapa të vështirë megjithatë arritëm të evitojmë më të keqen. Pra sot dorëzoj vendin në një situatë më të mirë ekonomike, një vend që ka dalë nga kriza dhe mbi të gjitha dorëzoj një vend që është anëtar i BE dhe për të mirën e këtij vendi shpresoj që qeveria e re të mos i hedhë poshtë këto arritje. Unë ndihem krenar që i kam thënë të vërtetën popullit grek, shpresoj qe edhe qeveria e ardhshme të jetë e tillë. Rezultatet nuk janë të kënaqshme për ne, por tregojnë që Demokracia e Re qëndron ende pavarësisht vështirësive që ka përjetuar. Dhe pavarësisht këtij rezultati kemi një humbje të vogël në krahasim me zgjedhjet e mëparshme. Demokracia e Re do të vazhdojë të luajë rol të rëndësishëm për reformat, kemi nevojë që të ecim përpara. Do të vazhdojmë të luajmë plotësisht rolin tonë”, u shpreh Antonis Samaras, kryeministri ende ne detyre ne fjalimin e pare menjehere pas shpalljes se rezultateve paraprake.
 
Ora 21:40 Samaras pranon humbjen: Kjo është kulturë politike
Kryeministri aktual i Greqisë, njëherësh kreu i Demokracisë së Re Antonis Samaras ka telefonuar kundërshtatin e tij politik Aleksis Tsipras ku e ka përgëzuar për fitoren. Sipas mediave greke Tsipras e ka vlerësuar telefonatën, ndërsa Samaras është shprehur: Kjo është kulturë politike. Kjo telefonatë vjen pak çaste para se Samaras të dalë para qytetarëve në deklaratën që do të pranojë publikisht humbjen e zgjedhjeve në Greqi.

Ora 21:30 – Venizellos uron fitoren e SYRIZES  
Ministri aktual i Jashtëm i Greqisë, Venizellos, kreu i PASOK, partise ne koalicionin qeverises, ka pranuar publikisht fitoren e partisë SYRIZA, duke uruar sukses për të mirën e vendit. Në një deklaratë për mediat ai tha se tashmë SYRIZA ka një përgjegjësi të madhe pasi është zgjedhur nga populli.
 
“Kemi detyrim që të respektojmë zgjedhjen e popullit. S’kemi kohë për të humbur, duam që gjërat të shkojnë mirë”, tha Venizellos.
 
Venizellos tha se neonazistët e Agimit të Artë nuk duhej të ishin në vendin e tretë, por se PASOK duket të kishte atë vend. Kjo, shtoi Venizellos, do të kishte ndodhur nësë Papandreu nuk do të ndante partinë.