Kreditë e këqija pa fshirjet nga bilancet ishin 1 mld euro, ose gati 30 % e totalit në 6-mujorin e parë

733
Sigal

Kreditë e fshira nga bilancet e bankave që kur ky proces nisi në vitin 2015 arritën në 51 miliardë lekë në fund të 6-mujorit të parë të 2018. Nëse këto hua nuk do të ishin fshirë nga llogaritë e bankave atëherë kreditë e këqija në fund të 6-mujorit të parë do të ishin 29.7% e totalit, nga 13.3% që janë sot. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë stoku i kredisë në 6-mujorin e parë të vitit ishte 430 miliardë lekë. Ndërsa kreditë me probleme shënuan 13.3% ( 77 miliardë lekë). Po ti shtojmë kësaj shume kreditë e fshira nga bilancet huatë që janë marrë dhe nuk janë kthyer në sistemin bankar arrijnë ne 128 miliardë lekë (1 miliard euro) ose rreth 29.7% e stokut të kredisë (430 mld leke) në të njëjtën periudhë. Duke filluar nga janari 2015, bankat janë të detyruara nga kërkesat rregullative të ndërmarrin procesin e pastrimit të bilanceve, fshirjen e kredive që gjenden në kategorinë “e humbur” për më shumë se 3 vjet. Gjithsej, që nga fillimi i procesit janë fshirë 51 miliardë lekë kredi të humbura. Kjo shumë është e barabartë me rreth 40% të totalit të huasë problematike që nuk kthehet në afat në banka. Që prej muajit dhjetor 2017 janë fshirë rreth 3.1 miliardë lekë kredi të humbura, të përfaqësuara kryesisht nga kreditë e bizneseve në lekë. Ndaj një viti më parë, teprica e kredive me probleme është tkurrur me rreth 16 miliardë lekë ose me 17%. Banka e Shqipërisë raportoi se në 6-mujorin e parë të 2018 stoku i kredive me probleme zbriti me 3%, në nivelin 77 miliardë lekë. Sipas madhësisë së kontributit në rënien e tepricës së kredive me probleme renditen shlyerjet, fshirjet e kredive të humbura dhe kalimi i disa kredive me probleme në klasat performuese të kredisë. Sipas Bankës së Shqipërisë cilësia e kredisë paraqitet më e dobët për kredinë në valutë, kredinë për bizneset dhe kredinë me afat të gjatë maturimi. Në qershor 2018, cilësia e kredisë për secilin nga këto segmente shënoi përkatësisht 14.1% (valuta), 17.1% (biznesi) dhe 15.1% (afati i gjatë). Të gjithë këta tregues kanë shënuar rënie të lehtë gjatë periudhës. Cilësia e kredisë në valutë të pambrojtur nga kursi i këmbimit është përmirësuar lehtë gjatë periudhës, duke vijuar prirjen e nisur që prej vitit 2015. Raporti i kredive me probleme për këtë kategori kredie ra në nivelin 12.4%, nga 12.6% në fund të vitit 2017. Ndikimin kryesor në përmirësimin e cilësisë së kredisë së pambrojtur e dha kredia në euro. Raporti i cilësisë për kredinë e pambrojtur në euro ra nga 13% në 12.9%, ndërsa për portofolin në dollarë amerikanë raporti i kredive me probleme shënoi të njëjtin nivel si në muajin dhjetor 2017 (9.2%).