Jaka: Marrëdhëniet tregtare Shqipëri-Izrael, mundësi reale për një dimension të ri

736
Sigal

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka takon Ambasadorin e Izraelit në Shqipëri, zotin David Cohen

Ambasadori i Izraelit në vendin tonë, zoti David Cohen zgjodhi Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe kryetarin e saj, zotin Nikolin Jaka për të ndarë planet konkrete që sipërmarrësit izraelitë kanë për vendin tonë. Duke vlerësuar rolin e zotit Jaka që ka luajtur për hapjen e ambasadës së Izraelit në Shqipëri, shefi i diplomacisë së këtij vendi u shpreh se, “nevoja për të qenë këtu ishte e madhe, pasi u panë mundësitë konkrete të bashkëpunimit, falë kontakteve të vazhdueshme mes sipërmarrësve që erdhën si pasojë e forumeve të biznesit të bëra nga Dhoma e Tregtisë Tiranë”. Zoti Jaka u shpreh gjatë takimit se është momenti i konkludimit të mundësive reale për të bashkëpunuar mes dy vendeve tona. Tashmë sipas zotit Jaka ka ardhur momenti të identifikojmë interesat e përbashkëta që kanë sipërmarrjet tona e ku njëkohësisht investitorët izraelitë janë të mirëpritur të vijnë në Shqipëri. “Është një moment i shfrytëzimit impaktit që japin reforma fiskale dhe rregullatore të ndërmarra së fundi, e ky mund të jetë një hap i mirë i tërheqjes së investitorëve izraelitë në vendin tonë”, u shpreh ai. Gjatë bisedës mes dy drejtuesve doli qartë fakti se është i nevojshëm intensifikimi i marrëdhënieve tregtare, pasi tashmë 40 kompani izraelite bashkëpunojnë me kompanitë shqiptare në një marrëdhënie partnershipi të ndërsjellë. Mes dy vendeve tona ka të nënshkruara 9 marrëveshje tregtare dhe gjatë këtij viti po punohet për nënshkrimin e tre marrëveshjeve të tjera. Zoti Jaka cilësoi në këtë kontekst, se nënshkrimi i marrëveshjes për heqjen e taksimit të dyfishtë do të jetë dhe pika kryesore ku do të negociojnë palët, në mënyrë që të arrihet sa më shpejt, për të hequr barrierat e panevojshme. Po kështu një pikë e rëndësishme e bisedës ishte hapja e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Izrael në vendin tonë, ku përfaqësues i saj do të jetë një investues shqiptar që e ka të shtrirë aktivitetin e tij jo vetëm në vendin tonë, por dhe në Izrael, zoti Ilir Kokeri. Po kështu ambasada e Izraelit në Shqipëri po punon me ministritë e linjës shqiptare për të siguruar tërheqje të punëtorëve shqiptarë në Izrael, kryesisht në fushën e ndërtimit. Në këto kushte u dol në konkluzionin se është i nevojshëm intensifikimi i marrëdhënieve mes palëve në koordinimin sa më të saktë në informacionet mes palëve e për të qenë sa më efikas në punën e përbashkët në shërbim të rritjes së shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona.