Falje 80% të gjobave për subjektet që shlyejnë sigurimet deri në 30 prill

90

TIRANE – “Të gjithë ata subjekte të cilat do të paguajnë brenda datës 30 prill kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, do të përfitojnë faljen në masën 80% të gjobave.” Deklarata është bërë ditën e sotme nga Ministri për Zhvillimin Ekonomik Arben Ahmetaj në një dalje për mediat.

Në fjalën e tij Ministri Ahmetaj theksoi se falë vendimit të marrë ditën e sotme nga Këshilli i Ministrave rreth 59 411 subjekte mund të përfitojnë faljen e gjobave në masën 80%. Port ë gjithë këta subjekte duhet të paguajnë detyrimet e prapambetura të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore brenda datës 30 prill 2015.

Sipas Ahmetaj ky është një lajm i mirë për të gjitha sipërmarrjet shqiptare, të cilat mund të përfitojnë nga ky lehtësim, vetëm nëse paguajnë detyrimet brenda afatit të përcaktuar.

Më poshtë deklarata e plotë për media e Ministrit për Zhvillimin Ekonomik Arben Ahmetaj:
Përshëndetje! Edhe një lajm tjetër i mirë për sipërmarrjen shqiptare. Sot, Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin “Për faljen e gjobave për mospagimin në afat të kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga subjektet juridike dhe fizike”. Ligji në fjalë falë në masën 80% gjobat e gjeneruara si rezultat i mosdeklarimit në afat të detyrimit tatimor të kontributit, qoftë për sigurime shëndetësore, qoftë për sigurime shoqërore. Përfitoj nga rasti t’i informoj subjektet që përfitojnë nga ky lehtësim, – pra nga heqja në 80% të masës së gjobave, – se ky lehtësim ka vlerë nëse detyrimet do të paguhen brenda datës 30 prill 2015. Pra, falja e gjobave prej 80 % të masës së tyre do të arrihet dhe do të bëhet vetëm nëse janë paguar kontributet e tjera brenda datës 30 prill 2015. Nga ky lehtësim i drejtpërdrejtë përfitojnë 59 411 subjekte. Dua të rikujtoj që kemi falur gjobat elektorale, kemi hequr kamatëvonesat për energjinë për qytetarët dhe tani falim edhe një pjesë të konsiderueshme të gjobave për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Pra, kemi lehtësuar atë barrë të krijuar, qoftë dhe në përplasje në moment me kohën e pagesës apo me klauzolat e ligjit. Ky lehtësim është njëkohësisht edhe një sinjal i drejtpërdrejtë për detyrimin dhe domosdoshmërinë e formalizimit te ekonomisë ne vend. Gjej rastin t’i bëj thirrje sipërmarrjes për formalizimin e të gjithë të punësuarve në të gjitha sektorët e ekonomisë. Faleminderit!