PPP dhe miliona pa fund, por rrugët në gjendje të mjerueshme

1108
Sigal

Nga 2015-a në 2018, fondi i rrugëve nacionale në gjendje të mirë, është përgjysmuar

 

 

Qeveria e Shqipërisë ka orientuar vitet e fundit fondet publike në investime në rrugë, kryesisht me koncesione të Partneritetit –Publik- Privat, por sakaq gjendja e rrugëve nacionale në vendin tonë, po degradon më ritme të shpejta, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës.

Në vitin 2015, pas një inventari në rrjetin Kombëtar të Rrugëve, u vlerësuan me status në gjendje të mirë, 1200 kilometër në rrjetit kombëtar. Në vitin 2019 Autoriteti Rrugor Shqiptar ka vlerësuar vetëm 572 kilometër rrugë të Rrjetit Kombëtar në gjendje të mirë.

Rrugët në gjendje të mirë janë pakësuar me 52 për qind ose 628 kilometër në katër vite. Ndërsa operatorët që menaxhojnë kontratat e mirëmbajtjes me performancë të mbështetura nga Banka Botërore, kanë raportuar se fondi i rrugëve kombëtare në gjendje të mirë është vetëm 810 kilometër.

Matjet nga burime të ndryshme sugjerojnë se, cilësia e rrugëve kombëtare në vend është përkeqësuar me ritme të shpejta në katër vitet e fundit, edhe pse për mirëmbajtjen e tyre tashmë ka kontrata private.

Qeveria kishte marrë angazhimin që në vitin 2019,  fondi i rrjetit kombëtar të rrugëve në gjendje të mirë të arrinte në 1382 kilometër, me 182 kilometër më shumë se më 2015, mirëpo situata ka shkuar në të kundërtën. Jo vetëm që nuk është shtuar asnjë kilometër rrugë e re, por përkundrazi është shkatërruar gjysma e rrugëve në gjendje të mirë.

Më i dëmtuar paraqitet aksi Elbasan – Skurraj – Peshkopi, me gjatësi 117 kilometra. Të gjitha segmentet e kësaj rruge, që lidh disa qytete të Veriut, janë në gjendje shumë të keqe. Në të njëjtën gjendje është edhe aksi tjetër Elbasan – Cërrik – Gramsh, me gjatësi 41 kilometër që është tërësisht në gjendje të mjerueshme.

E dëmtuar në gati 95% të shtrirjes së saj është edhe rruga Pusi i Mezinit – Sarandë, me gjatësi 121 kilometër, pjesë e aksit kombëtar. Në të njëjtën gjendje është edhe rruga e vjetër Shkodër – Kukës me gjatësi 138 kilometra, e cila është thuajse totalisht e dëmtuar.

Rrjeti rrugor i Shqipërisë, përfshirë rrugët interurbane kryesore, rrugët interurbane dytësore dhe ato urbane përbëhet prej rreth 18.600 km, nga të cilat rreth 1500 kilometër janë akse kombëtarë.

Më 2015 Autoriteti Rrugor Shqiptar, inventarizoi rrjetin kombëtar të rrugëve në vend dhe inspektoi cilësinë e tyre nën një projekt të Bankës Botërore, që ka mbështetur me një hua mirëmbajtjen e rrjetit rrugor kombëtar në vend nëpërmjet katër kontratave që menaxhohen nga privatët.

 

Mirëmbajtja e rrugëve, nevojitet katërfishim i fondeve

Prej vitesh rrjeti kombëtar i rrugëve mirëmbahet nga katër kontrata private, por gjithsesi këto nuk mbulojnë 25 për qind nga totali i rrjetit.

Qeveria nëpërmjet Autoritetit Rrugor do të duhet të ndërmarrë hapa shtesë për mirëmbajtjen e kësaj pjese, që kërkon edhe burime financiare shtesë.

Gjatë vitit 2019, buxheti i ARRSH-së për mirëmbajtjen ekzekutoi 20.6 milionë euro, për afro 2.200 km rrugë.

Ministria e Infrastrukturës vë në dukje se standardet ndërkombëtare kërkojnë më shumë investime për mirëmbajtjen. Nga 3 mijë euro që janë shpenzimet aktuale për një kilometër në vit, duhet të arrijnë në 11 mijë euro. Më shumë fonde të programuara për investimet në rrugë duhet të shkojnë drejt mirëmbajtjes dhe rehabilitimit, në mënyrë që të ruhen investimet e kaluara në rrugë.

Një projekt  BB “Për Mirëmbajtjen dhe Sigurinë në Rrugë të bazuar në Rezultate” hyri në vitin e tretë të zbatimit të tij. Projekti mbështet mirëmbajtjen rutinore dhe periodike të rreth 1,333 km rrugë kryesore përmes mirëmbajtjes të bazuar në performancë që po zbatohet përmes katër kontratave ka një vlerë prej 79.8 milion eurosh.

Kontratat origjinale u ndryshuan dhe u rregulluan për të reflektuar kostot që nuk ishin llogaritur më parë. Rishikimi i katër kontratave rriti me 11% të vlerën e financimit të tyre.

Kontrata A, është kontrata  që përfshin Rajonin Verior Shkodër-Kukës, me gjatësi në kilometra 336 dhe me vlerë 21.2 milionë euro që është marrë nën menaxhim nga (JV) “BIOLIAP A.T.E.V.E”. & “GECI LTD”.

E dyta, është zona B që përfshin Rajonin Veri /Qendër/Lindje – Tiranë – Dibër me gjatësi 286 kilometra dhe me vlerë 19.6 milionë euro e fituar edhe kjo nga (JV) “BIOLIAP A.T.E.V.E”. & “GECI LTD”.

E treta, zona C, përfshin rajonin Qendër/Jugor Lindje-  Fier-Elbasan – Korçë me gjatësi 419 kilometra me një vlerë 11.6 milionë euro dhe e lidhur me kompaninë “Rawafed Al-torok Contracting Establishment”.

E katërta zona D, rajoni jugor-Vlorë-Gjirokastër, me një gjatësi 350 kilometra, vlerë 13.7 milionë euro dhe operator fitues “Elicatechnical Commerce Societa” & “Salillari” sh.p.k.

Projekti i katër kontratave të bashkëfinancuara nga qeveria dhe Banka Botërore, përfshin hetime në terren për të siguruar të gjithë informacionin e nevojshëm për të azhurnuar të dhënat për asetet rrugore, gjatë gjithë kohëzgjatjes së projektit. Kontraktorët përpilojnë çdo vit një inventar të gjendjes së pasurive rrugore dhe dorëzojnë atë tek konsulenti, i cili pas verifikimeve të nevojshme, ia paraqet ARRSH-së.