Emigracioni dhe rënia e lindjeve – Si po plaket popullsia e Shqipërisë

627

Shtohen personat e moshuar mbi 60 vjeç, “tkurret” rinia

Jo vetëm po pakësohet, por popullsia në Shqipëri sa vjen e plaket, duke ndryshuar strukturën e saj në disfavor të moshave të reja, ndërsa popullsia në moshë pensioni po rritet me shpejtësi. Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, në janar të këtij viti, popullsia në grupmoshën 0-24 vjeç ra me mbi 31 mijë persona në raport me vitin 2018. Rënia më e madhe i përket grupmoshës 15-24 vjeç, me më shumë se 17 mijë persona. Rrudhja e popullsisë në këtë grupmoshë lidhet edhe me flukset e larta të emigracionit dhe lindjet më të pakta rreth vitit 1997. Në këtë periudhë Shqipëria përjetoi një eksod masiv për shkak të trazirave civile. Rënia e numrit të lindjeve nga viti në vit po tkurr me shpejtësi numrin e foshnjave. Në vitin 2019 grupmosha 0-4 vjeç u pakësua me 6700 persona, teksa numri i lindjeve në tërësi vitin e kaluar ishte 6.3% më e ulët se në vitin 2018. Në grupmoshat 0-54 vjeç në përgjithësi ka rënie të popullsisë në raport me një vit më parë, teksa shihet se, rritje ka vetëm për grupmoshën 29 deri në 39 vjeç. Ndryshimet e popullsisë në raport me 2018 tregojnë se ka një rritje të ndjeshme të popullsisë mbi moshën 55 vjeç me rreth 30 mijë persona më shumë se një vit më parë. Sipas të dhënave të Censit, popullsia në moshë të re 0-24 vjeç ishte më e madhe se sa aktualisht, teksa në tetë vite, shihet se raporti mes të rinjve e të moshuarve ka ndryshuar ndjeshëm në favor të pleqve. Në raport me totalin e popullsisë, rënien më të madhe e pati grup mosha 15-19 vjeç. Në vitin 2018, kjo grupmoshë zinte 7.48% të totalit të popullsisë, ndërsa në vitin 2019 zuri 6.09% të totalit të popullsisë, duke shënuar rënie me 0.24 pikë përqindje. Ndërsa rritjen më të madhe e pati grupmosha 60-64 vjeç, pesha e së cilës në totalin e popullsisë u rrit me 0.24 pikë përqindje në totalin e popullsisë.
Ndikimi negativ në tregun e punës dhe sistemin e pensioneve
Tregjet e punës kanë nisur të sforcohen për krah pune, sidomos sektori i bujqësisë. Teksa sistemet e pensioneve dhe sigurimeve në tërësi do të përballen me deficite të larta nga rënia e numrit të punonjësve që paguajnë sigurimeve dhe atyre që përfitojnë pension. Një popullsi e plakur ul produktivitetin demografik dhe e ndikon për keq rritjen e qëndrueshme të ekonomisë. Disa sektorë të tillë, si fasoni, bujqësia, mjekësia dhe call center kanë nisur të vuajnë pasojat e mungesës së forcës së re të punës. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë, në një analizë të posaçme për dinamikën e forcës së punës të publikuar së fundmi, vënë në dukje se, është hera e parë që vendi ynë ndeshet me një zhvillim të tillë demografik, deri tani i panjohur nga ekonomia jonë. Analistët e Bankës Qendrore lajmërojnë se rrjedhojat e tij shpejt do të fillojnë të ndihen në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore në vend, duke filluar nga nivelet e ndryshme të arsimit e deri tek implikimet më të rëndësishme ekonomike të lidhura me prodhimin e brendshëm, produktivitetin, konsumin, skemat e sigurimeve shoqërore, standardin e jetesës etj.
Sigal