Konkurrenca: Vendimi pas vlerësimit të koncesionit nga Financat

747
Sigal

Rishikimi kontratës për pullat fiskale

Autoriteti i Konkurrencës pret vlerësimin ekonomik të Ministrisë së Financave për koncesionin e pullave, për të dalë me një vendim për këtë shërbim monopol. AK ka vendosur të rishikojë kontratën koncensionare për prodhimin e pullave fiskale për barnat në 20 nëntor të këtij viti. Vendosja e pullave, sjell për publikun një kosto shtesë prej 2.3 lekë për çdo medikament, gjë e cila në këndvështrimin e Autoritetit të Konkurrencës është një barrë e pajustifikuar, për një produkt me ndjeshmëri të lartë siç janë ilaçet. Autoriteti i Konkurrencës vë në dukje se “marrëveshja e koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave dhe shoqërisë SICPA Holding SA është nënshkruar në 30 nëntor 2012. Shoqëria koncensionare SICPA HOLDING SA është një shoqëri anonime e regjistruar sipas kuadrit ligjor të Zvicrës. Nga krahasimi i çmimeve të pullave fiskale para dhe pas dhënies së koncensionit rezulton se për cigaret dhe alkoolin çmimet e pullave janë rritur rreth 4 herë duke përbërë kosto të shtuar për biznesin. Çmimi i shitjes së pullave fiskale para marrëveshjes koncensionare ka qenë: Pullat fiskale te cigareve 0.49992 leke / copa me tvsh dhe pullat fiskale te pijeve 1.20 (një.dy) leke / copa me tvsh. Pas dhënies së koncensionit çmimi i pullës fiskale ka ndryshuar si vijon: për duhanin 2.7 lekë, 4.4 lekë për alkoolin, 3 lekë për birrën dhe 2.9 lekë për ilaçet”. AK vlerëson se në tërësi marrëveshja koncesionare për vendosjen e pullave fiskale me kompaninë “Sicpa Holding”, ka mungesë të qartësisë dhe transparencës lidhur me interesin publik.

Për pjesën e barnave, marrëveshja nuk është zbatuar ende dhe vendosja e pullave nuk ka nisur. Por, marrëveshja në fjalë është kundërshtuar ashpër nga biznesi, sepse sillte rritje të kostos së pullës për duhanin dhe pijet alkoolike me rreth katër herë.

Komisioni i Konkurrencës ka kërkuar vlerësimin e Ministrisë së Financave mbi arsyetimin dhe justifikimin ekonomik të koncensionit, për të kuptuar nëse dhënia e një të drejte eskluzive për një operator privat, që është pasuar me rritjen e kostos së biznesit, ka pasur apo jo efekt në qëllimin për të cilin është dhënë koncensioni, rritjen e të ardhurave fiskale dhe luftën ndaj evazionit dhe kontrabandës së produkteve të akcizës. Ministria e Financave është përgjigjur zyrtarisht se nuk ka një vlerësim ekonomik për koncensionin e dhënë as në fazën paraprake dhe as në momentin e tanishëm. Rrjedhimisht, Autoriteti i Konkurrencës kërkon në vendimin e fundit kryerjen e vlerësimit ekonomik dhe teknik mbi zbatueshmërinë e kushteve të kontratës koncensionare dhe analizën e justifikimit ekonomik të koncesionit. Gjithashtu, i është kërkuar koncensionarit informacion i detajuar mbi koston, investimet dhe informacionin përkatës qe lidhej me procesin e marrjes së koncesionit. Koncesionari me anë të shkresës 372/3, datë 8.10.2014, ka dërguar kontratën koncensionare dhe pasqyrat financiare, por jo argumente dhe analizën shoqëruese mbi justifikimin ekonomik të marrëveshjes koncensionare.