Artan Shkreli hesht para përçudnimit me hekur e beton  të urës së Goricës

362

Në DRKK Berat janë mbi 150 ton gëlqere e staxhionuar që është baza për restaurim dhe që është material i përdorur që nga periudha romake

Artan Shkeli, përpara 23 qershorit 2013, u evidentua në publik përmes prononcimeve, madje  edhe protestave shumë të fuqishme që organizonte, në të gjitha ato raste – dhe me të drejtë – kur shikonte që po rrënoheshin monumentet e Trashëgimisë Kulturore, nga shpërfillja e moskujdesi i qeveritarëve. Aq sa  nën përkujdesin e tij, u krijua edhe një shoqatë për mbrojtjen e monumenteve të Trashëgimisë Kulturore.

Mjalti i pushtetit mbyll gojën e protestës

Rastësisht, pas 23 Qershorit, Artan Shkreli “harroi” vullnetarizmin” në mbrojtje të monumenteve të Trashëgimisë Kulturore, thua se çfarë bëri para zgjedhjeve, e bëri si të ishin aktivitete vullnetare të “Ditëve të Enverit”. Dhe gjithë ai vullnetarizëm i Shkrelit, u pagëzua në një vullnetarizëm tjetër, kësaj here jo kaq filantropi, por në shërbim të pushtetit. Shkreli u bë arkitekt i restaurimit të Kryeministrisë, restaurim që siç ka deklaruar edhe vetë Kryeministri, është bërë me vullnetarizëm në kontribut material, ndaj edhe nuk u bë asnjë tenderim publik, por edhe kontribut njerëzor, siç është ndihmesa e Shkrelit, si arkitekt, e jo si mbrojtës. Ditë më parë, Shkreli me madhështinë e propagandës, publikoi edhe mbjelljen e pemëve anës rrugës Tiranë-Rinas, por “harroi” që këto pemë ashtu siç mbillen, buzë kanalit, janë burim aksidentesh me pasoja për jetën e njerëzve, por edhe se këto mbjellje pemësh kanë zvogëluar gjerësinë e rrugës. Pardje, Shkreli, sërish me vullnetarizmin që e karakterizon, na fotografohet përballë restaurimit të Urës së Goricës në Berat, ku në foto të publikuar në Facebook-un e Shkrelit, shikon restaurimin me ….hekur e beton. Shkreli, si mbrojtës i monumenteve të Trashëgimisë Kulturore, tashmë nuk shqetësohet, nuk proteston, nuk denoncon, ata që restaurojnë me hekur e beton një monument të Trashëgimisë Kulturore, siç është Ura e Goricës në Berat, pasi tenderat dhe firmat e restaurimit janë përcaktuar pas 23 qershorit 2014. Dhe meqë mjalti i pushtetit ndahet mes “tanëve”, tani Shkreli nuk mund të hapë më gojë e të protestojë për shkatërrimin e krimin që kryhet në restaurimin e monumenteve të Trashëgimisë së Kulturës.

 

Debati me foto të Shkrelit te Ura e Goricës, me peizazh hekurin e betonin në restaurim

Artan Shkreli: Sot në Berat duke zgjidhur “enigmën” e muraturës devijuese në këmbën e harkut të zbuluar. Së shpejti zgjidhja.

Ledi Shamku, deputete e PS-së: Ua tregove legjendën e këmbës së urës?

Auron Tare: Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit:  Shkreli nuk e kuptova pse beton kaq shumë afër urës?

Artan Shkreli: Prej atij betoni shkuam Auron.

Auron Tare: Shkreli e di që prej atij betoni ke shkuar po nuk e ndjek IMK këtë punë?

Melsi Labi:  IMK është INKOMPETENTE… Auron i dashur..

Artan Shkreli: Thjesht duhej kuptuar se ç’ qe ai mur…

Flasin për “Telegraf” specialistët e monumenteve të Trashëgimisë Kulturore:

 Ajet Nallbani, ish-punonjës i trashëgimisë kulturore në DRKK Berat: Po punohet nga njerëz të licencuar sipas dëshirës, tarafit, apo abuzimit.

Një variant ishte nga ana estetike të hiqen parapetet e betonit të vendosura në vitin 1927 nga Bashkia e Beratit. Variant tjetër të ruheshin këto parmak. Atëherë përse nuk kthehet në identitet kjo urë, siç ishte projekti? Mendoj se është zgjedhur rruga më e lehtë dhe më fitimprurëse për kompaninë zbatuese apo mbështetësit e saj. Në projektim u parashikua që infrastruktura që ishte mbi urën në fjalë (ujësjellës , elektrik etj) të hiqeshin dhe të vendoseshin larg urës sipas kritereve, përkundrazi ato u vendosën përsëri te ura, sigurisht për të lehtësuar të interesuarit se po të ishte për të mirën e  urës dhe të shkencës restauruese duhej e kundërta. Materialet tradicionale janë një kusht i domosdoshëm dhe këto gjenden dhe me kosto të lirë (në DRKK Berat janë mbi 150 ton gëlqere e staxhionuar që është baza  për restaurim dhe që është material i përdorur që nga periudha romake. Guri është afër, por të dyja kërkojnë punë dore dhe kohë më të gjatë se betonet e mekanizuar por që janë të huaja për monumentin. Te ura në fjalë është përdorur çimento në vend të gëlqeres. Absurditet! Gëlqerja në kushte e staxhionuar kthehet në fortësinë e gurit dhe nuk del e nevojshme përdorimi i çimentos. Llaçet e injektimit janë receta të studiuara mirë dhe jo ato që i shërbejnë ndërtimit. Fatkeqësia është se firma fituese nuk ka asnjë vlerë shkencore për restaurim. Më e keqja është se aty punojnë në vend të mjeshtërve që kanë punuar me restaurimin dhe rrinë rrugëve të papunë, specialistë që nuk kanë asnjë lidhje me monumentin, nuk dinë asnjë vlerë të tij, nuk kanë asnjë ndjesi dhe aftësi për restaurimin, ndoshta janë specialistë ndërtimi shumë të mirë.  Po punohet nga njerëz të licencuar sipas dëshirës, tarafit, apo abuzimit.

Reshat Gega Arkitekt-Restaurator

Të ndërtosh një masë apo bllok betoni në atë pozicion, ngjitur me këmbën e urës ke dëmtuar qartazi identitetin e tij. Ndërhyrja brutale e pamjes që do të sjellin betonet aty, do të injorojnë dhe ofendojnë elegancën që ka pamja dhe silueta e urës së Goricës. Është vërtet një përçudnim dhe sakatim i monumentit. Nga sa shihet në fotot e pjesës së urës, ku është duke u bërë një ndërhyrje me struktura betoni të derdhur e të armuar, nuk ngelet asnjë dyshim se kemi të bëjmë me një procedurë restaurimi totalisht të gabuar. Betonimi ka bërë kontakt me strukturën e murit të gurit që ka ura. Të hedhësh beton e të mbështetësh masa të këtij lloj materiali mbi një monument është absolutisht e palejueshme dhe dëmtuese ndaj vlerave trashëguese e kulturore të monumentit. Për këto arsye e të tjera, është vendosur në mënyrë taksative nga konventat ndërkombëtare mospërdorimi i çimentos dhe materialeve të këtij karakteri si betonet, bruto apo të armuara etj. (KartaNdërkombëtareeKonservimitdheRestaurimittëMonumenteve  dheSiteve, Karta e Venecias 1964, Karta Shqiptare e Restaurimit). Në rastin tonë, kush e ka ideuar këtë mënyrë veprimi, duke derdhur e vendosur betone të armuara ngjitur me monumentin e ka pasur shumë gabim dhe ka bërë një dëm të pakthyeshëm. Kush e përkrah idenë dhe veprimin e bërë, ose është diletant, ose është i përfshirë nga ngasje të tjera, të cilat nuk kanë asnjë gjë të përbashkët me kulturën profesionale dhe logjikën e shëndoshë për restaurimin dhe mbrojtjen e monumenteve të kulturës.