Projektligji, shfuqizohet gjoba për mosdeklarim të ndryshimit të banesës brenda 6 muajve

575
Sigal

Qytetarët që ndryshojnë banesë dhe nuk e deklarojnë atë do t’i shpëtojnë gjobës për 6 muaj. Sipas një projektligji të ri të dërguar në Kuvend, parashikohet ndryshimi i masës së gjobës për banorët që ndryshojnë banesë dhe nuk e deklarojnë brenda 6 muajve. Në nenin 11, të projektligjit, është parashikuar një dispozitë kalimtare, me qëllim pezullimin e masës së gjobës për një periudhë prej 6 muajsh, e cila, aktualisht, aplikohet ndaj shtetasve që nuk deklarojnë ndryshimin e vendbanimit, brenda afateve ligjore. “Vlera e gjobës, e cila u rrit ndjeshëm me ndryshimet ligjore të ligjit për gjendjen civile, në vitin 2016, nuk solli efektet e pritshme në ndërgjegjësimin e shtetasve për deklarimin e ndryshimit të vendbanimit. Pezullimi për gjashtë muaj i aplikimit të kësaj mase administrative konsiderohet një mundësi, shtysë tjetër për ndërgjegjësimin e atyre shtetasve që nuk kanë deklaruar vendbanimin aktual, përmendim këtu shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të cilët nuk kanë pasur informacionin e duhur për detyrimin ligjor të deklarimit të vendbanimit.”- thuhet në relacionin që shoqëron Projektligjin. Në vitin 2016 u vendos që banorët që ndryshojnë banesën kanë detyrim ligjor deklarimin e tyre pranë gjendjes civile përkatëse, ndryshe masa e gjobës për mosdeklarim do të ishte 10 mijë lekë. Sipas relacionit, pikat e tjera që synohet të përmirësohen lidhen kryesisht me:

– rregullimin e marrëdhënies së punës së nëpunësve të shërbimit të gjendjes civile në bashki/njësi administrative si dhe në zyrat e arkivit të gjendjes civile pranë prefektit të qarkut, për të qartësuar detyrimet e punëdhënësit, në rastin konkret të kryetarit të bashkisë dhe prefektit të qarkut, të cilët kanë detyrimin për lidhjen e kontratës së punës me nëpunësin e shërbimit të gjendjes civile, që emërohet sipas rregullave të përcaktuara nga DPGJC-ja;

– administrimin e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, në linjë me politikat e administrimit të bazave të të dhënave shtetërore;

– parashikimin në mënyrë të shprehur qartë për ofrimin e shërbimeve nga zyrat e gjendjes civile për shtetasit me vendbanim në juridiksionin territorial të tyre;

– pezullimin e masës së gjobës për gjashtë muaj, nga hyrja në fuqi e këtij projektligji, për mosdeklarimin e ndryshimit të vendbanimit nga shtetasit brenda afateve ligjore.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”, të ndryshuar”, propozohet me qëllim zgjidhjen e problematikave të ndeshura gjatë zbatimit të tij, siç janë dy prej çështjeve kryesore lidhur me ndryshimin e politikave të ndjekura nga Këshilli i Ministrave për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore si dhe pezullimin për gjashtë muaj të masës administrative që aplikohet ndaj atyre shtetasve që nuk deklarojnë ndryshimin e vendbanimit brenda afateve ligjore.