Bankat lobing për të grabitur shqiptarët

326

Skandali/ Banka e Shqipërisë, zëdhënëse e Shoqatës së Bankave Tregtare

Në komunikimin e fundit për shtyp të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë (BSH), Këshilli Drejtues i kësaj banke e mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit, 3.5 për qind. BSH kumtoi se ishin ulur pak normat e interesit të kredive për biznesin dhe qytetarët. Mund të jetë e vërtetë që janë ulur shumë pak, në krahasim me një vit më parë, por e vërteta e madhe lakuriq është që normat e interesit të kredive për qytetarët dhe bizneset këtu tek ne janë rrjepëse, më të lartat në rajon. Një kredi për shtëpi në Shqipëri sigurohet nga bankat për 3-4 për qind interes më të lartë se sa e njëjta kredi, ne kushte të njëjta sigurie e fuqie blerëse, në Maqedoni apo Mal të Zi. Banka qendrore e vendit tonë, Banka e Shqipërisë e ka në dorë të ulë përqindjet e interesave të kredive për qytetarët dhe sipërmarrësit, nëpërmjet normës së saj bazë të interesit. Por nuk e bën këtë. Po pse? Sepse ruan interesat e bankave tregtare tek ne. Jo të qytetarëve dhe ekonomisë sonë, sikurse stafi i saj paguhet ta bëjë. Të gjitha bankat e tjera qendrore të Europës, me shpërthimin e krizës në shtator 2008, e ulën menjëherë normën e tyre bazë të interesit. Banka e Maqedonisë nga 5.5 për qind që e kishte, në 6 muaj gati e zeroi, në 1.2 për qind. Po kështu vepruan dhe bankat qendrore të Malit të Zi, Kroacisë, Serbisë, etj. Për të mos folur për bankat qendrore të vendeve të zhvilluara perëndimore që vepruan edhe më shpejt. Kjo, për të liruar kreditin, për ta bërë atë më të lirë, më aktiv. Një politikë që banka qendrore amerikane (Rezerva Federale) dhe fill pas saj, Banka Qendrore Evropiane e ndoqën menjëherë me shpërthimin e krizës. Politikë që po sjell frytet sot, kur ekonomia amerikane dhe ajo e Eurozonës po e rimarrin veten. Politikë që nuk e ndoqi Banka jonë qendrore, Banka e Shqipërisë. Kjo u mjaftua me disa ulje mikroskopike (me 0.25 pikë të një një përqindëshi) çdo 3 apo 4 muaj në kulmin e krizës. Ulje që realisht nuk ndikuan në tregun tonë bankar. Në një kohë që nevoja për të ulur koston e parasë, përqindjet e interesit të kredive bankare ishte e dukshme. Mirëpo, nëse do të ishte ulur ndjeshëm përqindja e interesit, do të ishin dëmtuar interesat e bankave kryesore tregtare tek ne, pse do të ishte ulur po ashtu ndjeshëm përqindja e maturimit të bonove të Thesarit, ndërkohë që blerëset kryesore të këtyre bonove (dhe kësisoj kreditoret e brendshme të qeverisë) janë pikërisht këto banka. Duke mos e ulur fort dhe menjëherë përqindjen e interesit të parave që ajo u jep bankave tregtare, Banka e Shqipërisë u bë zëdhënëse e Shoqatës së Bankave Tregtare të vendit, por jo e interesave të qytetarit shqiptar. Bankat tregtare i japin hua qeverisë sonë në vit rreth 600 milionë euro (70 për qind e tregut të bonove të thesarit). Nëse BSH do të ulte menjëherë normën e saj bazë të interesit, këto banka do të humbnin rreth 3-3.5 për qind të përqindjes së interesit të bonove të thesarit, ose mbi 20 milionë euro në vit. Do të fitonte shteti shqiptar dhe qytetarët e tij, nëpërmjet kredive më të lira nga bankat. Po me sa duket, kjo fatkeqësisht nuk është interesi themelor i BSH.  Nga ana tjetër, një ngathtësi e pafalshme e saj ishte mosmarrja në kohë e vendimit për rritjen e shifrës së garantimit të depozitave në bankat tregtare të vendit. Që nga 28 shtatori 2008, kur shpërtheu kriza me falimentimin e Bankës së madhe amerikane « Lehman Brothers » e deri në mesin e marsit 2009, kur qeveria e rriti nivelin e garancisë nga 700 mijë lekë të reja në 2 milion e pesëqind mijë (Banka e Shqipërisë duhej t’i kishte qëndruar mbi kokë qeverisë për ta bërë këtë rritje që në tetor 2008), nga depozitat bankare të Shqipërisë kishin rrjedhur rreth 600 milionë euro. Kjo ishte një goditje e rëndë për ekonominë tonë dhe kreditin bankar dhe kjo goditje mund të kishte qenë shumë më e butë, nëse Banka e Shqipërisë do të vepronte në kohë. Qeveria në kohë temperaturash ekstreme politike, si në vitin 2009 dhe këtë vit, që ishin vite zgjedhore, i rriti shpenzimet e saj në nivele faraonike dhe Banka jonë e Shqipërisë nuk arriti (më mirë të themi, nuk deshi) t’ia ndalte këtë vrull vetëvrasës në ekonomi. U mjaftua vetëm me disa këshilla dhe paralajmërime të buta. Ka ardhur koha që BSH të mos luajë me këto lojëra të shëmtuara, në dobi të stafit të saj drejtues dhe në dëm të plotë e kolosal të ekonomisë e qytetarëve të këtij vendi. Po kush do ta vendosë përpara përgjegjësisë këtë bankë qendrore, që bën edhe shiun, edhe erën në politikën tonë financiare e bankare?