5 fshatra pinë ujë në liqen, ku derdhen ujërat e zeza

1232
Sigal

Parku Kombëtar i Prespës, zonë e mbrojtur në nivel ndërkombëtar me fshatra turistike pa ujë të pijshëm dhe pa kanalizime

 Pustec, 5 fshatra të bashkisë, pinë ujë në liqen, ku derdhen ujërat e zeza!

Nga Vepror Hasani

Bashkia Pustec ka 9 fshatra: Liqenas, Shulin, Leska, Zarashka, Cerje, Goricë e Madhe, Goricë e Vogël, Diellas dhe Gollomboç; në pesë prej tyre: Goricë e Madhe, Goricë e Vogël, Gollomboç, Cerje dhe Zaroshkë pinë ujë në liqen ku derdhen ujërat e zeza. Duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Kjo situatë nuk është e sotmja, vijon prej vitesh, por zgjidhja për sigurimin e ujit të pijshëm vonon pafundësisht. Jeta e banorëve të 5 fshatrave vijon të jetë e rrezikuar nga mundësia e prekjes prej sëmundjeve të ndryshme apo epidemive që mund të vijnë si shkak i ujit të ndotur. Dhe kjo gjë ndodh në një nga bashkitë që sot duhej të kishte jo vetëm ujësjellës dhe kanalizime për ujërat e zeza, por edhe një pasuri përrallore si bashki, pasi bëhet fjalë për një nga vendet më të bukura jo në rang kombëtar, por ndërkombëtar. Por për bashkitë e vogla me pak vota, (Bashkia Pustec, sipas regjistrit civil, ka 5,345 banorë (ose 1,421 familje), qeveritë që vijnë dhe ikin nuk tregojnë ndonjë interes të madh, ndryshe nuk do të kishte ndodhur kështu për vite me radhë, edhe pse territori i bashkisë përkon me pellgun ujëmbledhës të liqenit të Prespës, i cili ka statusin e Parkut Kombëtar, zonë e mbrojtur në nivel ndërkombëtar. Veç sa më sipër furnizimi me ujë të pijshëm duhej të ishte zgjidhur me kohë, pasi zona ku shtrihet territori i bashkisë, burimet natyrore të ujit të pijshëm janë shumë të rrallë.

Mungesa e ujit të pijshëm, e tmerrshme!

Por, për të kuptuar sa e pajustifikueshme dhe e tmerrshme është mungesa e ujit në këtë zonë, mjafton të kujtojmë se territor i bashkisë Pustec përkon me Parkun Kombëtar të Prespës, një nga 15 parqet kombëtare të vendit tonë, zonë e mbrojtur, e shpallur edhe “Zonë Ramsar”. Dhe jo vetëm kaq: Në shtator të vitit 2008, Prespa u zgjodh nga “Lonely Planet” si një nga njëzet destinacionet evropiane. Liqeni i saj është i mrekullueshëm, atraksionet natyrore të shumta, pamjet panoramike befasuese, peizazhet gjithashtu, gatimet tradicionale të veçanta, me ndërtesa të vjetra buzë liqenit të cilat u përkasin shekujve të 13 dhe 14; ka ishullin e Maligradit (monument natyre), Kishën e Shën Mërisë (monument kulture), pa folur për vlerat kulturore, historike, arkeologjike dhe biospeleologjike, për biodiversitetin shumë të pasur, praninë e shumë kolonive të zogjve. Të gjitha këto e bëjnë një vend përrallor. Përreth vijës liqenore Kallamas – Liqenas, gjen plazhe ranone dhe shkëmbore të cilat mund të shndërrohen në pika të preferueshme për turistët, por investimet në këtë drejtim ende janë të pakta. Prespa prezanton një listë të gjatë të atraksioneve kulturore dhe historike, të vlefshme për t’u vizituar, siç është ishulli i Neolitit, në afërsi të fshatit Kallamas, kompleksi nënujor në Staro Sello, rruga romake, pa përmendur kishat e tjera, shpellat dhe manastiret e shumtë. Dhe megjithatë në këtë vend që do ta kishte zili gjithë bota, banorët e 5 fshatrave pinë ujë në liqen, ku derdhen ujërat e zeza, sepse në këtë bashki mungojnë edhe kanalizimet për këto ujëra.

Fshatra turistike, pa kanalizime

Askush nuk do ta besonte dot që këto 9 fshatra turistike, kanë mungesa të shumta në infrastrukturë, ujë të pijshëm, kanalizime etj. Pusteci është bashkia më e varfër e qarkut Korçë, e cila me fondet e saj nuk është e zonja të blejë qoftë edhe një zjarrfikëse për mbrojtjen e parkut kombëtar nga zjarret apo një automjet për mbledhjen e mbetjeve urbane. Megjithatë nga burime pranë Bashkisë Pustec mësohet se, kjo bashki po kërkon ndihmën e AKUM-it për sigurimin e fondeve me qëllim ngritjen e rrjeteve të ujësjellësve për fshatrat që pinë ujë në liqen. Madje bashkia përveçse i gati edhe projektet për gjithë zonën, ia ka dorëzuar ato Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-kanalizimeve dhe infrastrukturës së Mbetjeve. Por a do të bëhen realitet këto projekte? Le të presim! Sigurimi i ujit të pijshëm nuk do të ishte vetëm një shpëtim për banorët e 5 fshatrave, por edhe një mundësi më shumë që Parku Kombëtar “Prespa” (me natyrë ndërkufitare) me një sipërfaqe prej 27,750.00 ha me mbrojtje në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për shkak të statusit RAMSAR, të ishte më shumë i vizitueshme, pasi bimësia e tij me pyje ahu, kullota subalpine dhe alpine, me bimë dhe shpend të rrallë e bën tepër të veçantë. Në këto pyje gjen edhe disa lloje bimësh që janë endemike për rajonin tonë dhe te tjera që rrezikohen të zhduken. Megjithatë të gjitha këto mund ti gjesh vetëm në bashkinë e Pustecit, aty ku banorët pinë ujë në liqen edhe pse atje zbrazen ujërat e zeza.